
Nuk ka dilemë se shqiptarët në vazhdimësi kultin e shqiponjës e ruajtën dhe e kishin pjesë të strukturës shpirtërore, që dëshmohet në dekorime dhe objekte kulti. Kur flasim për shqiponjën dykrerëshe në Ballkan, duhet cekur se janë iliro-arbrit që e kishin dhe si rrjedhojë ata ua dhanë të tjerëve.
Shqiponja, simbol i Perandorisë Romake
Në sajë të burimeve historike dëshmohet se kulti i shqiponjës ka qenë simbol i Perandorisë Romake. Por, me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395, shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e Lindjes me qendër Kostandinopojën (Bizantin). Ndërkohë Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476, duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja (Bizanti) vazhdoi të jetojë edhe për dhjetë shekuj të tjerë duke ruajtur këtë simbol. Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562), perandorit me origjinë ilire. Më vonë, me kalimin e kohës, me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë Perandori shumëkombëshe si: princave rumunë, bullgarë, maqedonas, gjermanë, rusë, serbë, grekë, shqiptarë etj.. Kjo është arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një grup popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë pasur kontakte kulturore me Bizantin.
Simbol në Arbëri
Me këtë rast duhet cekur se më përpara nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës, shqiponjën njëkrerëshe të stemave heraldike familjare e gjejmë tek arbërit. Gjurmët më të hershme i kemi te Principata e Arbrit, ku natyrshëm edhe në flamurin shtetëror të këtij formacioni politiko-shtetëror, është shqiponja njëkrerëshe në shek.. XII. Kjo do të thotë se shqiptarët e praktikonin para fqinjëve të tyre ballkanikë këtë simbol në flamur.
Por, në shek. XIV në Arbëri praktikohej në emblema dhe në flamuj shqiponja dykrerëshe. Shqiponja dykrerëshe në stema dhe në flamuj mesjetarë ndoshta është bashkëkohëse me paleologët bizantinë, por është e sigurt se tek arbërit është shumë përpara serbëve, rusëve, habsburgëve të Austrisë etj..
Flamuri shqiptar, më i vjetri në Evropë
Flamuri i shek. XV i kombit tonë me shqiponjën dykrerëshe u ruajt në vazhdimësi vetëm te shqiptarët. Në Evropë asnjë flamur nacional nuk ka vazhdimësi në pesë shekuj, prandaj flamuri kombëtar shqiptar renditet si flamuri më i vjetër në Evropë. Duke marrë parasysh se simboli kultik i shqiponjës dykrerëshe është pjesë e kulturës shpirtërore e materiale të ilirëve e në vazhdimësi deri në ditët tona, atëherë vihet në përfundim se është simboli i flamurit më të lashtë në Evropë dhe nga më të lashtët në botë.
Është i njohur fakti që shqiponja dykrerëshe u pranua njëzëri, si flamuri i kombit shqiptar, më 2 mars 1444, në Kuvendin e “Besëlidhjes së Lezhës”. Madje Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në vulën dhe unazën e tij kishte shqiponjën dykrerëshe, ku ndërmjet dy krerëve të saj është vendosur një yll me gjashtë cepa.
Simboli i Kastriotëve
Dihet se flamuri, që u shenjtërua i tillë, ishte simboli heraldik administrativo-politik i dinastisë së Kastriotëve, të cilët e trashëgonin si shenjë dhe flamur, që shumë kohë përpara shekullit XIV. Ruajtja e flamurit kombëtar shqiptar në shekujt e robërisë pesëshekullore është e lidhur dhe në traditën e lashtë të paraardhësve të shqiptarëve me kultin e shqiponjës.
Shqiptarët, që nga shekulli XV, në flamurin e tyre shihnin vazhdimin simbolikisht të kultit të hyjnisë, së bashku me shenjën etniko-historike të bashkimit shtetëror e politik të kombit shqiptar. Deri më sot na ruhen disa monumente e dokumente, që e pasqyrojnë motivin e shqiponjës së Kastriotëve.
Gjatë gjithë rrugës së mbijetesës nga prehistoria dhe iliro-arbëroro-shqiptarët e ruajtën kultin e shqiponjës dhe kjo është një ndër faktorët që flamuri kombëtar shqiptar, i përcaktuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës, të pranohej, sepse ishte edhe pjesë përbërëse e pasurisë shpirtërore tradicionale mbarë etnike. Studiuesit kanë vënë re dhe kanë ardhur në përfundim se “Shqiponja dykrerëshe e Skënderbeut nuk ishte ndikim nga ‘faktori bizantin’, por ishte përfytyrim i një kulti të paraardhësve të shqiptarëve”.
Flamuri kombëtar i pranuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës nuk ishte vetëm akti i pranimit të një simboli heraldik kombëtar, por përkoi me atë që ky simbol kultik e shpirtëror u bë edhe simbol politik dhe i identitetit etnik. (vijon)