
Në politikën shqiptare janë të rrallë ata udhëheqës që arrijnë të bashkojnë vizionin, guximin dhe idealin kombëtar në një figurë të vetme. Albin Kurti është pa dyshim një nga këta udhëheqës. Ai nuk është vetëm një udhëheqës politik, ai është simbol i idealit dhe i vetëdijes kombëtare.
Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktualisht kryeministër i Kosovës, është pa dyshim një nga figurat qendrore në skenën politike në Kosovë, por edhe ndër zërat më të dëgjueshëm në hapësirën mbarëkombëtare. Me ardhjen e tij në pushtet, Kurti ka ndërtuar një model të ri të udhëheqjes, ku sovranitetin, dinjitetin kombëtar dhe drejtësinë i sheh si shtyllat kryesore të ndërtimit të shtetit. Në rrugëtimin e tij si aktivist politik dhe më pas në ngritjen e tij si udhëheqës institucional, përmes diskursit politik dhe kauzës kombëtare ai ka fituar përkrahjen masive të shqiptarëve dhe mbetet figurë komplekse dhe e rëndësishme në jetën politike të Kosovës dhe është shndërruar në simbol kombëtar.
Kurti përfaqëson politikën e pastër për një shtet ligjor dhe një shoqëri ku vlerat kombëtare nuk mbeten vetëm fjalë. Ai ka sjellë një frymë të re në politikë, frymën e aspiratave kombëtare, ku ideali kombëtar nuk është thjesht një koncept, por një mision i qartë.
Udhëheqësi që artikulon interesin e shqiptarëve
Albin Kurti është ndër udhëheqësit e paktë shqiptarë që e ka artikuluar hapur rëndësinë e mbrojtjes së interesave kombëtare si parim themelor në politikë. Në thelb, qëndrimet e tij kanë tre dimensione kryesore:
- Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës;
- Interesi kombëtar mbi interesin partiak; dhe
- Lidhja shpirtërore dhe politike mbarëkombëtare.
Kthehemi tek e para: Kurti është shprehur vazhdimisht se shteti i Kosovës duhet të jetë sovran në vendimmarrje dhe i barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Qëndrimi i tij në dialog me Serbinë është refuzimi i kompromiseve që cenojnë integritetin territorial të Kosovës. Kjo e ka portretizuar si një udhëheqës të vendosur dhe të pakompromis kur bëhet fjalë për shtetin.
Ndryshe nga shumë figura të tranzicionit politik, Kurti është parë si politikan që e vendos interesin kombëtar mbi kalkulimet partiake. Ai është një prej politikanëve që e ka artikuluar hapur idealin e bashkëpunimit të ngushtë ndërshqiptar. Ai flet për nevojën e afrimit të politikave, tregjeve ekonomike, të kulturës, sportit etj. midis shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe diasporës. Për Kurtin, çështja kombëtare nuk është thjesht një parullë, por është një projekt afatgjatë që kërkon zhvillim ekonomik, integritet shtetëror dhe bashkëpunim strategjik. Andaj, pa dyshim Albin Kurti është ndër figurat më qendrore të kohës sonë në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare.
Udhëheqës i një politike të re shqiptare
Albin Kurti është për shumë arsye një ndër politikanët më të rëndësishëm në Kosovë dhe përtej kufijve të saj. Ai përfaqëson brezin e ri të politikës shqiptare, duke tentuar të modernizojë qeverisjen, të forcojë shtetin dhe të promovojë integritetin. Si udhëheqës i një force politike – Vetëvendosjes, partisë më të madhe në Kosovë, ai influencoi jo vetëm politikën e brendshme, por edhe orientimin e Kosovës ndaj Evropës, rajonit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Por jo vetëm kaq.
Albin Kurti është promotor i reformave në mbrojtjen e rendit mbarëkombëtar, është shpresa e shqiptarëve. Ai solli qëndrueshmëri politike në forcimin e shtetit ligjor, ruajtjen e identitetit kombëtar, transparencë dhe ndëshkim të korrupsionit, që janë parimet politike që Albin Kurtin e kanë bërë të jetë një nga ata udhëheqës që nuk lëkundet lehtë para presioneve ndërkombëtare. Duke i respektuar parimet demokratike dhe evropiane, fjalimet e tij shpesh shkojnë përtej kufijve shtetërorë. Kjo e ka bërë atë figurë qendrore dhe referencë për shumë të rinj që shohin tek ai modelin e një politikani të drejtë, intelektual dhe parimor.
Albin Kurti po përballet me kundërshtime të vazhdueshme, si brenda ashtu dhe jashtë Kosovës, presionin nga Serbia, kritikat e opozitës e deri te narrativat e mediave të shkruara dhe elektronike – gazetarë, analistë e matrapazë politikë, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, duke uluritur e hedhur vrer, – ndërsa në anën tjetër propaganda dhe qëndrimi politik i Qeverisë së Shqipërisë, të kryesuar nga Edi Rama me suflerët e tij, të cilët me retorikën e tyre po i fryjnë përçarjes. Kjo është për keqardhje!
Të gjitha këto sulme, Albin Kurti po i përtyp me qetësi e duke i kthyer në forcë. Qëndrimi i tij politik në ruajtjen e identitetit kombëtar e bëjnë atë jo vetëm një politikan të përmasave shtetërore, por një burrështetas me dimension mbarëkombëtar dhe po dëshmon se është politikani më i fuqishëm shqiptar.
Politikan me vizion të qartë politik
Albin Kurti si kryeministër dhe si udhëheqës ka sjellë qëndrime dhe prioritete që e dallojnë nga politikanët tjerë. Ai ka promovuar idenë e qartë për sovranitin e Kosovës. Në retorikën e tij politike shpesh përmenden konceptet e drejtësisë sociale, shtetndërtimit, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik. Ai e paraqet mbrojtjen e interesave kombëtare jo vetëm si betejë politike, por edhe si proces në forcimin e institucioneve dhe mirëqenies së qytetarëve.
Albin Kurti është idealist dhe i pathyeshëm, është figurë e madhe politike me peshë ndërkombëtare, i cili nuk matet vetëm me pushtetin që mban, por me vlerat dhe idetë që përçon. Vizioni i tij i qartë politik, guximi, qëndrimi parimor, integriteti moral dhe aftësia për të parë përtej së tashmes, janë vlerat që e dallojnë atë nga politikanët tjerë.
Udhëheqësit që arrijnë t’i tejkalojnë kufijtë e politikës kombëtare, shndërrohen në figura të kalibrit evropian dhe botëror. Ata shpesh bëhen frymëzim për brezat e ardhshëm, sepse me shembullin e tyre dëshmojnë se politika mund të jetë një forcë për të mirën e shoqërisë. Figurë e madhe politike është ai që lë pas një trashëgimi të qëndrueshme. Trashëgimia e tyre matet jo me periudhën e qëndrimit në detyrë, por me gjurmën që ai ka lënë. Udhëheqësit e këtij kalibri bëhen pjesë e historisë universale dhe emrat e tyre kujtohen si pikë referimi për kohën në të cilën kanë jetuar. I tillë është Albin Kurti.
Në përfundim, edhe pak ditë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë dhe Albin Kurti 3 po vjen! Fitorja e tij do të vlerësohet si shprehje e pastër e vullnetit të popullit për një Kosovë sovrane, sociale dhe të orientuar drejt interesit kombëtar.
