
Më 20 maj 2023 u bë inaugurimi i presidentit të ri të Malit të Zi i dalur nga zgjedhjet e 2 prillit 2023, ku fitoi kandidati i subjektit “Evropa Tani”, Jakov Millatoviq dhe humbi Millo Gjukanoviq, politikani me jetën më të gjatë politike jo vetëm në vendin e tij por edhe në rajon. Që nga ajo ditë (20 maj 2023) M. Gjukanoviq për herë të parë në karrierën e tij 35-vjeçare politike, nuk do të mbajnë asnjë funksion politik apo shtetëror.
Lidhur me pushtetin e më shumë se tre dekadave të M. Gjukanoviqit dhe partisë së tij dhe efektet e këtij pushteti në raport me shqiptarët në Mal të Zi, unë kam shkruar vazhdimisht, shkrime këto të cilat i kam përmbledhur në dy librat e mi autorial me titull “Diaspora dhe Vendlindja” (2011) dhe “Shqiptarët në Mal të Zi – Popull i rrezikuar”(2019).
Megjithatë, me këtë rast do mundohem të bëj një përmbledhje të ngjarjeve dhe fakteve që dëshmojnë se pse pozita e shqiptarëve në Mal të Zi pësoi një degradim të dukshëm gjatë kohës së pushtetit të M. Gjukanoviqit dhe partisë së tij (PDS-së).
Protestat e diasporës
shqiptare në Amerikë
Fillimisht, dëshiroj të bëj një reflektim të shkurtër të së kaluarës ku përfshihen disa aktiviteteve të diasporës shqiptare në SHBA, përkatësisht të diasporës me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi e cila, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka shpenzuar kohë dhe energji të mëdha në protesta e demonstrata para përfaqësive diplomatike të Malit të Zi ,në Uashington DC dhe në Nju Jork, ku ka ngritur zërin e saj sa herë që janë cënuar dhe mohuar të drejtat e bashkëkombasve tanë në Mal të Zi nga ana e pushtetit të Millo Gjukanoviqit dhe partisë së tij (PDS-së).Në kuadër të këtyre altiviteteve, kemi marrë pjesë në seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan dhe kemi lobuar për kërkesat legjitime të shqiptarëve dhe realizimin e të drejtave të tyre kombëtare, duke përfshirë të drejtën e përdorimit të simboleve tona kombëtare, të drejtën e themelimit të komunës së Malësisë me qendër në Tuz, të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve në organet e administratës shtetërore, të drejtën e kthimit të pronave (Valdanosit në Ulqin, Bjeshkëve të Nemuna në Plavë etj). Në ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare shqiptare në Mal të Zi një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm ka luajtur Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye ish-kongresistin me prejardhje shqiptare, Jozef DioGuardi-n dhe bashkëshorten e tij, Shirli Klois DioGuardi.
Poashtu, gjatë këtyre dy dekadave të fundit ka pasur reagime të shumta të shoqatave dhe organizatave shqiptare me prejardhje nga trojet e tyre etnike në Mal të Zi kundër ligjeve diskriminuese ndaj shqiptarëve të qeverisë malazeze, kundër politikës asimiluese e shpopulluese ndaj shqiptarëve, etj.
Këtu nuk mund të lihen pa u përmendur protestat e diasporës shqiptare të Malësisë në Miçigan me rastin e arrestimit, dënimit dhe burgosjes së bashkëvendasve të tyre në aksionin e njohur famëkeq “Fluturimi i Shqiponjës” në Malësi, në shtator të vitit 2006, disa muaj pasi që Mali i Zi u shpall shtet i pavarur.
Pra gjithë ky aktivitet me vite të tëra në shërbim të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, është bërë gjatë kohës kur Millo Gjukanoviq ushtronte detyrën e kryeminstrit apo të presidentit dhe kur partia e tij (PDS) udhëhiqte me pushtetin në Mal të Zi.
M. Gjukanoviq, përgjegjës për shpopullimin e trevave shqiptare
Mendimi im është se Millo Gjukanoviqin duhet gjykuar në bazë të asaj se sa çfarë ka bërë në aspektin e përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi gjatë tre dekadave të fundit dhe jo në bazë të asaj se çfarë ka bërë ai për shtetin e tij në aspektin gjeostrategjik. Argumentin që unë e kam dëgjuar vite me radhë nga përkrahësit shqiptarë të Gjukanoviqit është se ai eshtë një ‘politikan pro-përendimor’ i cili ‘shpalli pavarësinë e Malit të Zi dhe anëtarësoi vendin e tij në NATO’, etj.
Unë gjithnjë vazhdoj të mendoj se pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006, si dhe më pas anatarësimi i tij në NATO, ishin projekte amerikane, kurse politika e jashtme e këtij shteti në një masë të konsiderueshme vendoset në Uashington dhe Bruksel.
Për këtë është i vetëdijshëm secili president apo kryeministër që vjen në pushtet në Mal të Zi.
Është për t’u habitur fakti se si votuesit shqiptarë të Gjukanoviqit dhe partisë së tij, e kanë mohuar krejtësisht politikën e brendshme të tij, përkëtësisht politikën e tij në raport me pozitën e shqiptarëve në këtë shtet. Derisa M. Gjukanoviq në njërën anë integroi shtetin e tij në strukturat euroatlantike, ai në anën tjetër i dezintegroi shqiptarët dhe faktorin e tyre politik dhe është përgjegjësi kryesor për zbrazjen dhe shpopullimin e vendbanimeve shqiptare.
Duhet përmendur edhe faktin se një pjesë e përgjegjësisë për pozitën e pavolitshme të shqiptarëve si dhe për mos realizimin e shumë kërkesave të tyre legjitime e mbajnë edhe disa parti politike shqiptare që kohë pas kohe për interesa personale, karrieriste apo partiake bënin koalicione qeverisëse me PDS-në e Gjukanoviqit.
Gjatë më shumë se tre dekada të pushtetit të M. Gjukanoviqit dhe partisë së tij, viset shqiptare vazhduan të mbeten viset më të pazhvilluara ekonomike në Mal të Zi, në rend të parë si rezultat i mos investimit të atij pushteti, por njëherë edhe shkatërrimin e ndërmarrjeve ekzistuese të këtyre vendbanimeve. Mu për këtë arsye edhe përqindja më e madhe e numrit të të emigruarve ka rrjedh nga trevat me popullsi shqiptare gjatë këtyre tre dekadave, pra gjatë kohës kur M. Gjukanoviq dhe partia e tij mbanin pushtetin. Emigrimi i shqiptarëve në Mal të Zi ka qenë dukuri edhe para viteve ‘90-ta, por gjatë tre dekadave të fundit ka arritur përmasa alarmante sa që sot rreth gjysma r numrit të shqiptarëve në këtë vend, jetojnë në botën e jashtme.
Nga ky prizëm dhe sipas kësaj vije logjike, këtu duhet të përmendet një paradoks i veçantë që ka të bëjë me disa pjesëtarë të diasporës shqiptare, pra me ata të cilët vazhdojnë gjithnjë ta përkrahin M. Gjukanoviqin. Kjo përkrahje u shfaq edhe në rastin e zgjedhjeve të fundit presidenciale të 2 prillit 2023, ku disa pjesëtarë të diasporës shqiptare bënë thirrje publike që të votohet M. Gjukanoviq në këto zgjedhje.
Paradoksi qëndron në atë se të njëjtit pjesëtarë të diasporës janë detyruar të largohen nga vendlindja e tyre dhe të emigrojnë në botën e jashtme pas viteve “90-ta, e mu për shkak të politikës së diskriminimit ekonomik por edhe politik, për shkak të mos zhvillimit e mos investimit apo për shkak të papunësisë dhe të pa përspektivës që pushteti i M. Gjukanoviqit dhe partia e tij (PDS) kanë udhëhequr vite me radhë ndaj vendbanimeve shqiptare.
Shqiptarët në Mal të Zi gjatë pushtetit të Gjukanoviqit ishin lypsarë të të drejtave të tyre në vendin e vet
Që nga viti 1990 e deri në vitin 2020, gjatë periudhës kur Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka udhëhequr me pushtetin në Mal të Zi (bashkë në koalicion edhe me parti të tjera), shumica e kërkesave të shqiptarëve në Mal të Zi, pra kërkesat që kanë të bëjnë me statusin politik dhe shoqëror të tyre në këtë shtet, nuk kanë hasur asnjëherë në mirëkuptim nga ana e këtij pushteti. Në fakt, kërkesat e shqiptarëve nuk ishin gjë tjetër veçse të drejta legjitime të tyre të garantuara me kushtetutë dhe me ligjet në fuqi në Mal të Zi. Shpeshëherë këto të drejta janë (keq)përdorur në mënyrë perfide nga Podgorica si karrem për të tërhequr shqiptarët që ata të jenë pjesë e pushtetit dhe të qeverisjes qendrore.
Të marrim për shembull të drejtën e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në organet e administratës dhe qeverisjes shtetërore, si e drejtë e cila është e garantuar me Kushtetutën e Malit të Zi, por që çdo herë, sidomos para zgjedhjeve parlamentare, bëhej objekt negocimi i PDS-së me subjekte të caktuara politike shqiptare që pretendonin të ishin pjesë e pushtetit. Pyetja që shtrohet është se pse bëhej marrëveshje për diçka që automatikisht duhet të jetë e drejtë ligjore dhe kushtetuese e shqiptarëve?!
Pra, gjatë kohës së qeverisjes së PDS-së, të drejtat legjitime të shqiptarëve kanë qenë gjithmonë në mëshirën e pushtetit qendror, realizimi i të cilave varej nga vullneti politik i tij, duke i kthyer shqiptarët në lypsarë të të drejtave të tyre që u takojnë.
Shembulli më tipik i kësaj ishte Komuna e Malësisë me ç’rast realizimi i rikthimit të statusit të plotë dhe me të drejta të barabarta të saj me komunat e tjera në Mal të Zi, u refuzua nga pushteti i M. Gjukanoviqit për 27 vite me radhë për llogaritjet politike të partisë së tij.
Të drejtat e një populli autokton i cili jeton në trojet e veta stërgjyshore, siç janë pra shqiptarët në Mal të Zi, nuk do të duheshin asnjëherë të jenë pjesë e diskursit politik por të drejta të garantuara ligjore dhe kushtetuese. Përveç kësaj, Mali i Zi ka nënshkruar shumë marrëveshje e konventa ndërkombëtare të cilat garantojnë dhe sigurojnë të drejtat e popujvë pakicë ku bëjnë pjesë shqiptarët.
Millo Gjukanoviq ishte personifikim i korrupcionit ekonomik dhe politik
Kur përkrahet një politikan si M. Gjukanoviq, atëherë përkrahet një politikan mbi të cilin rëndojnë shumë akuza për korrupcion. Sipas burimeve të shumta të mediave të pavaruara dhe organizatave joqeveritare ndërkombëtare që merren me aktivitetet e liderëve politikë, kanë raportuar vazhdimisht për krimin e organizuar, për korrupcionin politik dhe ekonomik që e ka përcjellë dhe e ka karakterizuar Malin e Zi gjatë gjithë kohës që me pushtetin e tij ka udhëhequr M. Gjukanoviq. Në vitin 2015 M.Gjukanoviq u shpall “Person i vitit për krim të organizuar dhe për korrupcion” nga OCCRP (Orginized Crime and Corruption Reporting Project), një organizatë e njohur e cila merret me hetimin dhe zbulimin e korrupcionit të udhëheqësve qeveritar në vendet e ndryshme të botës. Revista britanike “Indepedent” e datës 19 maj 2010 e vendosi Millo Gjukanoviq-in në një ndër 20 liderët më të pasur botëror, me vlerë prej 10 milion funta ku shfaq dyshime lidhur me prejardhjen e pasurisë së tij, duke pasur parasysh se si kryeministër qeverie ai kishte pagën prej 1300-1700 euro dhe ishte pushtetar i një ndër shteteve më të varfra në rajon. Kurse sipas revistës “Forbes”, familja e Millo Gjukanoviq është një ndër familjet më të pasura në Mal të Zi me vlerë prej $167 milion dollarësh ,por për pasurinë e vertetë të tij nuk ekzistojnë të dhëna transparente. Një ndër mënyrat e pasurimit të Millo Gjukanoviq-it ka qenë edhe përmes shfrytëzimit të konfliktit të interesit, keqpërdorimit të pozitës (pozitave) të tij udhëheqëse shtetërore, përmes korrupcionit, përmes pastrimit të parave, etj.
Si përfundim,
Mali i Zi tani ka presidentin e ri dhe pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit do të këtë edhe kryeministrin e ri.
Por pa marrë parasysh se kush është president, si dhe kush do të jetë kryeministër i ri, aspiratat dhe sfidat e shqiptarëve në Mal të Zi për më shumë të drejta dhe për një status më të avancuar shoqëror dhe politik, do të vazhdojnë të jenë temë edhe në të ardhmen.
Është për keqardhje që në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 qershor 2023 faktori politik shqiptar garon i ndarë, pjesa më e madhe e tyre dalin me dy lista zgjedhore, kurse një parti tjetër politike shqiptare garon në koalicion parazgjedhor me PDS-në.
Derisa faktori dhe përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi vazhdojnë të jenë të përçarë,
derisa mungon një unitet, kohezion dhe angaxhim i përbashkët i tyre në shërbim të interesit të përgjithshëm, e që është përmirësimi i statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, shqetësohem dhe brengosem se ashtu si gjatë pushtetit 30-vjeçar të M. Gjukanoviqit, ata do të vazhdojnë edhe më tutje të jenë lypsarë të të drejtave të tyre në vendin e vet.
