
Pozita e shqiptarëve në Jugosllavinë e vjetër është njëra prej periudhave më të rënda në historinë e shqiptarëve. Më 1918 u bë themelimi i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve e Sllovenëve. Ky shtet ka qenë unitarist, i mbështetur në marrëdhënie borgjeze-feudale dhe i rregulluar mbi bazën e parimeve të monarkisë e të etatizmit centralist. Për këtë shkak, kjo krijesë shtetërore u bë instrument i robërimit dhe i eksploatimit të pamëshirshëm social e kombëtar, në rend të parë të nacionalitetit shqiptar.
Jugosllavia e vjetër u bë vendi më tipik i shtypjes kombëtare në Evropë. Kroatët, sllovenët dhe malazezët ishin të nënshtruar, shqiptarët, maqedonët dhe të tjerë ishin të robëruar e të nënshtruar ndaj padrejtësive. Udhëheqësia hegjemoniste serbomadhe, në grykësinë e vet për pasurim, në krye me mbretin, e sundoi 22 vjet Jugosllavinë, krijoi një regjim të xhandarëve, të ‘gllavnjaçave’, regjim të robërimit social dhe kombëtar.
Me çfarë nënçmimi dhe poshtërimi u trajtuan shqiptarët nga qarqet sunduese të Jugosllavisë së vjetër mund të shihet mirë nga një raport i Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë së Jugosllavisë më 1924, në të cilin, ndër të tjera, thuhet: “Nëpër shumë rrethe të Serbisë Jugore jetojnë arnautë, popull brutal, i pakulturë, i pabesë, dinak, i pagjunjëzuar, me norma juridike nga periudha më e vjetër e zhvillimit të së drejtës penale”.
Në Jugosllavinë e tillë antipopullore, kombësia shqiptare përjetoi robërim më të rëndë kombëtar dhe social. Ajo jo vetëm që nuk gëzoi kurrfarë të drejtash kombëtare, madje as ato që pakicave kombëtare iu garantuan me Kushtetutën e Vidovdanit dhe me obligimet ndërkombëtare të Jugosllavisë, por mbi të u zbatua edhe shtypja totale e brutale, ekonomike, sociale dhe politike, deri te gjenocidi fizik dhe zbatimi i të gjitha metodave të njohura të diskriminimit e të robërimit nga arsenali i politikës së metropolave evropiane në vendet koloniale.
Duke vënë në pah pozitën specifike e më të rëndë të kombësisë shqiptare në Jugosllavinë e vjetër, Zhivko Avramovski thotë: ”Në pikëpamje kombëtare, kulturore, ekonomike dhe politike, shqiptarët ishin në pozitë më të rëndë se cilado pakicë kombëtare” në Jugosllavi.
Pozitën më të rëndë kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavinë e vjetër e vunë në pah në mënyrë të vazhdueshme të gjitha dokumentet partiake të PKJ-së, që kanë të bëjnë me çështjen kombëtare në këtë periudhë. Duke theksuar pozitën e rëndë të kombësisë shqiptare në Mbretërinë e Jugosllavisë, në rezolutën e Konferencës së Parë të Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar të Kosovës e Metohisë, që u mbajt kah fundi i vitit 1943, ndër të tjera, thuhet: “Populli shqiptar në Kosovë e Metohi jo vetëm që u shtyp në pikëpamje politike, kombëtare e ekonomike, por i qe nënshtruar edhe çfarosjes fizike. Atij iu mohuan të gjitha të drejtat kombëtare. Përfaqësuesit e tij ishin agjentë besnikë të klikave hegjemoniste serbomëdha për plaçkitje dhe shtypje.”
Fakte dhe qëndrime të shumta nga dokumentet partiake të PKJ-së dhe deklaratat e revolucionarëve Kosta Novakoviq, Mosha Pijade, Josip Broz Tito, Eduard Kardel, Velko Vllahoviq, si dhe Llasllo Rehak, Zhivko Avramovski etj. vërtetojnë se pozita e nacionalitetit shqiptar në Jugosllavinë e vjetër ishte më e rënda në krahasim me pozitën e të gjitha kombeve dhe kombësive të tjera në Jugosllavinë e vjetër. Pra, udhëheqësia politike serbe ndaj shqiptarëve në veçanti ka përdorur metoda koloniale dhe ka bërë eksploatimin dhe robërimin e popullit shqiptar në Jugosllavi.
Lëvizjet demografike të shqiptarëve
Sipas regjistrimit të popullsisë në Turqinë osmane, në viset ku jetonin shqiptarët, kah mbarimi i shekullit XIX ka pasur rreth 550-600 mijë shqiptarë. Ndërkaq, sipas regjistrimit të popullsisë më 1921, në Jugosllavi atëherë jetonin 439 613 pjesëtarë të kombësisë shqiptare.
Megjithëse regjistrimi i popullsisë i vitit 1921 u bë 3-4 dekada pas regjistrimeve të përmendura turke, përkundër faktit se është i njohur shtimi i madh natyror i popullsisë shqiptare, prapëseprapë sipas regjistrimit të vitit 1921 numri i shqiptarëve qe radikalisht i pakësuar në viset ku jetonin shqiptarët në Jugosllavi. Kjo është pasojë e shumë shkaqeve:
- Vetë regjistrimi i popullsisë në vitin 1921 nuk ishte real sa i përket gjendjes faktike, sepse qarqet sunduese të Jugosllavisë u përpoqën me qëllim të paraqesin numër më të vogël të shqiptarëve; prandaj në këtë drejtim bënë keqpërdorime të shumta gjatë regjistrimit të popullsisë. Kështu, shqiptarët u paraqitën turq ose thjesht myslimanë, duke keqpërdorur mosdijen ose mungesën e vetëdijes së qartë kombëtare dhe religjiozitetin e thellë të qytetarëve me rastin e dhënies së deklaratave gjatë regjistrimit.
- Gjatë luftërave ballkanike dhe në kohën e Luftës së Parë Botërore një numër i madh shqiptarësh humbën jetën gjatë vetë operacioneve të luftës ose në masakrat dhe terrorin e njohur që zbatuan ushtritë serbe, malazeze e bullgare me rastin e arritjes në viset ku jetonin shqiptarët. Ekzistojnë dokumente se vetëm me rastin e arritjes së ushtrisë serbe e malazeze në këto vise në vitin 1912, u vranë 12 777 shqiptarë.
Përveç kësaj, në prag dhe gjatë vetë luftërave ballkanike, si dhe gjatë Luftës së Parë Botërore edhe menjëherë pas saj, një numër i madh shqiptarësh iku në shtete të tjera, gjë që solli pakësim të posaçëm të numrit të shqiptarëve që u përfshinë në kufijtë e Jugosllavisë së vitit 1918.
Pra, edhe pse ekzistojnë shkaqe të shumta të pakësimit të popullsisë shqiptare sipas regjistrimit të vitit 1921, prapëseprapë bazuar në numrin 439 613 të deklaruar si shqiptarë, kjo kombësi ishte pakica më e madhe kombëtare në Jugosllavinë e vjetër dhe, pas serbëve, kroatëve, sllovenëve dhe eventualisht myslimanëve, ishte nacionaliteti më i madh në vetë Jugosllavinë e vjetër. Por përkundër të gjitha këtyre, siç theksuam, shqiptarët në Jugosllavinë e vjetër nuk gëzonin kurrfarë të drejtash kombëtare, por ndaj tyre u bënë presione të pamëshirshme në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
Pozita juridike e shqiptarëve
Edhe pse, siç theksuam, pakica kombëtare shqiptare ishte pakica më e madhe dhe territorialisht më homogjene në Jugosllavinë e vjetër, ajo faktikisht nuk gëzonte as ato të drejtat e pakicës, që ishin të garantuara me Kushtetutë dhe me obligimet ndërkombëtare të Jugosllavisë, por ndaj saj ushtroheshin presione totale.
Shqiptarët nuk gëzonin as të drejtat e pakicave të garantuara me Kushtetutën e Vidovdanit të vitit 1921. Në nenin 16 të kësaj kushtetute proklamohet se “pakicave të racës e të gjuhës tjetër u sigurohet mësimi fillor në gjuhën e tyre, sipas kushteve që do t’i përcaktojë ligji”. Në ligjin e aprovuar më vonë, lidhur me këtë thuhet: ”Në vendet ku jetojnë në masë të konsiderueshme shtetas të gjuhës tjetër do të hapen paralele të shkollës fillore për fëmijët e tyre… Mësimet në këto paralele zhvillohen në gjuhën mësimore të nxënësve”.
Ndërkaq, pakica kombëtare shqiptare u diskriminua sa u përket të drejtave të përmendura kushtetuese dhe ligjore, sepse gjatë tërë kohës së Jugosllavisë së vjetër jo vetëm që nuk u bënë aspak të mundshme mësimet në gjuhën shqipe, por me qëllim që kjo kombësi të lihet analfabete dhe e paditur nuk iu bë e mundur as përfshirja më e madhe e fëmijëve në shkollat në gjuhën serbokroate.
Edhe sipas traktateve të Sen Zhermentit mbi të drejtat e pakicave, Jugosllavia ishte e obligueshme të siguronte disa të drejta të pakicave edhe për pakicën kombëtare shqiptare, të cilat përndryshe ua siguroi disa pakicave të tjera kombëtare në këtë vend. Megjithatë, Qeveria e Pashiqit ua bëri të pamundshme çfarëdo të drejtash pakicës kombëtare shqiptare në Jugosllavi.
Politika e terrorit dhe presionit fizik mbi shqiptarët
Politika e terrorit dhe e presionit fizik ndaj kombësisë shqiptare në Jugosllavi ishte praktikë permanente e të gjitha qeverive dhe të gjitha organeve të pushtetit në Jugosllavinë e vjetër. Në këtë mënyrë synohej që popullsia shqiptare të detyrohej ta lëshonte Jugosllavinë ose, të paktën, të shpërngulet në vise të tjera të Jugosllavisë, kështu që të eliminohej homogjenizimi i tyre në territoret përkatëse.
Me rastin e arritjes së ushtrisë serbe më 1918 në vise ku sot jetojnë shqiptarët në Jugosllavi pati më pak terror, gjenocid fizik dhe keqpërdorime të popullsisë shqiptare sesa në vitin 1912, në saje të pranisë së ushtrisë franceze në ato momente në ato vise. Mirëpo, pas tërheqjes së ushtrisë franceze e gjatë qërimit të hesapeve me popullsinë e shumtë shqiptare, që u arratis në male në radhët e kaçakëve, në periudhën e viteve 1919-1924 u zbatua një terror i rëndë sistematik dhe keqpërdorimi i masave të gjera popullore të kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Qarqet sunduese ndërmorën gjenocid masiv fizik ndaj popullsisë shqiptare, sidomos pas kryengritjes masive të shqiptarëve në Dukagjin më 1919, gjatë dhe pas kryengritjes së madhe në anën e Llapit më 1920, e gjithashtu edhe gjatë kryengritjeve të tjera që ishin karakteristike deri më 1924. Vetëm gjatë dhe pas kryengritjes së Llapit u vranë më se njëmijë shqiptarë, ndër të cilët shumë gra, fëmijë dhe pleq.
Përndryshe, ka ekzistuar praktika permanente që zakonisht në çdo 2-3 vjet të organizohet i ashtuquajturi aksion për mbledhjen e armëve nga popullsia shqiptare. Në ato raste ushtria dhe xhandarmëria i rrihnin në masë dhe publikisht shqiptarët, gjoja për dorëzimin e armëve, të cilat shpesh qytetarët nuk i posedonin. (vazhdon)
