Shtypi malazez i kohës për ngjarjet në Vilajetin e Kosovës dhe Isa Boletinin

Hajrullah Hajdari

Ngjarjet në Kosovë në vitin 1910, shtypi malazez i përcillte me interes të veçantë. Për këto ngjarje kanë shkruar vetëm dy gazeta: “Glas Crnogoraca” dhe “Cetinjski Vjesnik” që botoheshin në Cetinë, sepse të tjera nuk kishte! Këto gazeta të gjitha njoftimet për ngjarjet në Kosovë i bazonin në raportimet e gazetave të huaja, pasi nuk kishin korrespondentët e tyre në Kosovë. Shkrimin e parë për ngjarjet në Kosovë në vitin 1910 e hasim në gazetën “Glas Crnogoraca”, të datës 27 mars 1910. Korrospondenti i kësaj gazete nga Selaniku shkruan: “Gjendja në Shqipërinë e Veriut, sidomos në rrethin e Prishtinës është shumë serioze. Zhvillohen luftime ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë osmane. Është vendosur që në Prishtinë të shpallet gjendja e shtetrrethimit”, dhe vazhdon: “Ushtria, përderisa t’i vijnë përforcimet e paralajmëruara, po shmangë çdo konflikt me shqiptarët kryengritës…Çarmatimi i shqiptarëve në Pejë po vazhdon”.
Ndërkaq gazeta “Cetinjski Vjesnik”, më datë 31 mars 1910, në titullin “Rrebelimi i shqiptarëve” ndër të tjera shkruan: “Sanxhaku i Prishtinës është shndërruar në llogor lufte. Fiset shqiptare janë rrebeluar dhe po përgatiten për mbrojtje. Betejat e përgjakura pa ndërprerje vazhdojnë. Pushteti ndërkohë ka vendosur të ndërmarrë masa të rrepta, ndërsa kryengritësit kërkojnë përgjigje në kërkesat e tyre. Edhe deputetët e tyre në Stamboll kanë kërkuar që të caktohet një komision i cili do të shqyrtojë kërkesat e kryengritësve në mënyrë që mos të derdhet gjak kot”. Po në të njëjtin numër kjo gazetë në titullin “Kryengritja në Shqipëri” njofton për rrebelimin e shqiptarëve. “Nga Shkupi, Prishtina, Ferizaji, Selaniku e Stambolla vijnë pandërprerje telegrame për kryengritësit shqiptarë. Nëpër Kosovë dëgjohen gjëmat e topave, ndërsa rreth Pejës, Prishtinës e Gjakovës po derdhet gjaku. Mbi 15.000 shqiptarë të armatosur deri në dhëmbë janë mbledhur në Prishtinë, Pejë, Prizren”.
Edhe gjatë muajit prill gazeta “Glas Crnogoraca” vazhdon të njoftojë lexuesit e vet me ngjarjet në Vilajetin e Kosovës. Korrespondentët e kësaj gazete nga Beogradi, Selaniku e Stambolli lajmërojnë se: “Qeveria ka dhënë urdhër që reformat e duhura në Shqipërinë e Veriut të zbatohen në mënyrë energjike e nëse duhet edhe me forcë.” Kjo gazetë, po ashtu në këtë numër përcjellë shkrimin e gazetës “Jani gazeta” nga Stambolli të datës 29 mars 1910, e cila boton deklaratën e ministrit të MPB-së mbi rëndësinë e kryengritjes në Shqipëri. Ministri e hedh poshtë lajmin mbi ndikimin e agjentëve të Austro-Hungarisë në ngjarjet në Prishtinë. Po ashtu gazeta njofton se kryengritësit në luftime kundër ushtrisë qeveritare kanë humbur 80 veta. Sipas po kësaj gazete, nga Stambolli më 12 prill lajmërojnë se: “Sipas lajmëve të besueshme, në Shtimje (Vilajeti i Prishtinës) në rrugën Ferizaj – Prizren nga dje luftojnë 10.000 shqiptarë me 8 batalione ushtarësh. Hollësitë akoma nuk janë të njohura”, ndërsa nga Selaniku më 13 prill lajmërojnë se: “ Nga Shqipëria e Veriut vijnë lajme shumë të pafavorshme. Në vende të ndryshme qëndrojnë 31.000 shqiptarë, ndërsa ushtria turke numron 52 batalione e 16 bateri… Thuhet se shqiptarët kanë pasur humbje të mëdha dhe po tërhiqen”. Sipas korrespondentit të kësaj gazete nga Selaniku “kryengritësit më 14 prill kanë ndërprerë komunikacionin hekurudhor ndërmjet Shkupit dhe Mitrovicës. Janë përhapur zërat se dje ndërmjet Kaçanikut dhe Ferizajit ka pasur një konflikt në mes të shqiptarëve dhe ushtrisë dhe disa vende janë bombarduar”. Ndërkaq, në lajmet e 15 prillit veçohet se shqiptarët lëshojnë vetëm trenat që transpotojnë njërëz dhe postën. Po i njëjti korrespondent më 16 prill njofton se kryengritësit e kanë marrë Gjakovën dhe kanë çarmatosur një gjysëm batalioni të ushtrisë dhe i kanë përzënë pushtetarët. Po këtë ditë nga Stambolli, Porta zyrtarisht njofton se ushtria e ka rrethuar Grykën e Kaçanikut dhe ka ndërmarrë masat e duhura për kapjen e kryengritësve.
Kjo gazetë më 26 prill 1910, në titullin “Rrebelimi i shqiptarëve” boton telegramet e ardhura nga Selaniku dhe Stambolli. Nga Selaniku më 19 prill, njoftohet se përreth Grykës së Kaçanikut mbretëron qetësia, ndërsa nga Stambolli po atë ditë, valiu i Kosovës njofton se shqiptarët pas luftimeve në Gjilan dhe Kaçanik kanë filluar të shpërndahen, ndërsa më 21 prill nga Stambolli njoftohet se në Grykën e Kaçanikut shqiptarët kanë pasur rreth 500 të vrarë, në mesin e të cilëve edhe vojvoda i tyre Idris Seferi.
Gazeta “Cetinjski Vjesnik” më datë 1 maj 1910, ndër të tjera shkruan: “Pesëdhjetë batalione të përqendruara midis Kaçanikut dhe Ferizajit nuk janë të mjaftueshëm që të thyhen shqiptarët, e këtë e shohin mirë edhe komandantët… Ushtria përsëri po grumbullohet. Për dy-tri ditë pritet që ushtria të niset në disa drejtime kundër shqiptarëve… Përleshje të reja dhe më të forta do të ketë në Drenicë. Sa më thellë që të hyjë ushtria, do të përballohet me rezistencë më të fortë dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë e vështirë të depërtojë deri në Prizren… I gjithë rreziku vjen nga Luma e cila akoma nuk ka ngritur krye… Është shumë vështirë të mendohet se Luma do të qëndrojë e qetë. Ajo po hesht dhe po pret ushtrinë turke… Kur të ngritet Luma, do të ngritet e gjithë Shqipëria. Sipas statistikave të Ministrisë së Ushtrisë, kryengritësit prej datës 10 prill në luftimet te Gryka e Carralevës kanë pasur 250 të vdekur ndërsa në luftimet të Nikovci dhe Kaçanik 50 të vdekur, ndërkaq, forcat turke kanë pasur vetëm dy ushtarë të plagosur. Në mesin e kryengritësve të vrarë ka pasur edhe disa udhëheqës shqiptarë të kryengritësve… Duke gjykuar nga shumë shenja, në kohën e fundit shqiptarët kujdes më të madh i kanë kushtuar Grykës së Carralevës. Aty përveç bajraqeve përreth është përqendruar edhe bajraku i Rahovecit me 2.000 njerëz të udhëhequr nga Musë H. Mustafa, Hajrullah Çanta, Hasan Shtavica, Jashar Bugari, Shaban Bude, Dervish Mire, Shaban Ondozi dhe Hasan Shabani. Isa Boletini me të tijët është në Carralevë kështu që mendohet se në Carralevë dhe rrethinë janë grumbulluar forcat më të mëdha të kryengritësve shqiptarë… Janë themeluar gjyqet e jashtëzakonëshme në Ferizaj dhe Kaçanik dhe me të madhe kanë filluar të punojnë. Është dhënë një urdhër i rreptë sipas të cilit askush nuk guxon të dalë nga shtëpia pas orës 6 në mbrëmje, sipas orës evropiane… Fshati në të cilin do të gjendet edhe një pushkë e vetme pa asnjë komentim do të bombardohet… Raporti zyrtar për përfundimin e betejës në Carralevë dhe Budakovë thotë: “Beteja të Carralevë dhe Budakovë ka zgjaur nga mëngjesi i të dielës deri në mbrëmje të martën… Në luftë ka marrë pjesë edhe Isa Boletini… arralevë”.
Më 8 maj 1910, gazeta “Cetinjski Vjesnik” në artikullin “Rrebelimi në Shqipëri” njofton lexuesit e saj se “me forcat e shumta shqiptare kanë komanduar Isa Boletini, Hasan Hyseni nga Budakova, Musaja nga Rahoveci, Adem Ostrazubi dhe Marka Doda –Fana (katolik)”. Në vazhdim gazeta thekson se në betejën e 27 prillit në Carralevë kanë rënë shumë kryengritës e më së shumti nga bajraku i Hasit. Gazeta shton se flitet se në këtë betejë është plagosur edhe vetë Isa Boletini dhe Neza i Kaçanikut. “Posa ushtria i kishte shpërndarë kryengritësit nga Gryka e Carralevës, erdhi lajmi se Luma është ngritur përsëri. Kryetrimi i njohur i Lumës, Ramadan Zaski me 700 shqiptarë ka mbërritur në Manastiricë afër Prizrenit. Ai u ka bërë thirje pleqve të fshatit Sreckë që t’i përgatisin ushqimin dhe fjetjen, ndërsa fshatit shqiptar Lubinje i kishte bërë thirje që t’i bashkohen dhe t’ia çelin rrugën për në Siriniq. Po ashtu flitet se Sulejman Batusha i Gjakovës ka grumbulluar 200 njerëzit e vet e Shaban Binaku 100 të tjerë. Pritet që në Malësi të ngriten 10.000 shqiptarë. Nga Selaniku vijnë lajmet se po ngriten edhe shqiptarët e Vilajetit të Manastirit (Bitolit)”, veçon kjo gazetë.
Gazeta “Glas Crnogoraca”, datë 12 qershor 1910 në rubrikën “Lajmet nga vendi” boton artikullin “Shqiptarët e arratisur” në të cilin njofton se i njohuri Isa Boletini së bashku me 13 shokë ka kaluar kufirin tonë në Velikë, të cilin pushteti lokal e dërgoi për në Andrijevicë e nga aty sipas urdhëresës së Qeverisë, për Nikshiq. Theksohet se me Isa Boletinin gjenden edhe fëmijët e tij. Në numrin e ardhshëm, kjo gazetë po ashtu lajmëron se Hasan Ferri së bashku me dy vëllezërit, djalin dhe djalin e vëllaut kanë kaluar kufirin në Velikë, i cili dje nga pushteti kufitar është dërguar në Andrijevicë, ndërsa nesër sipas urdhëresës së Qeverisë do të shkojë në Nikshiq.
“Cetinjski Vjesnik” më datë 27 nëntor 1910 duke shkruar për emigrantët shqiptarë në Mal të Zi paraqet pikëpamjet e korrespondentit nga Mali i Zi të gazetës çeke “Narodno listy” të paraqitura në një seri artikujsh me titull “Komentet e bisedave në kryeqendrën turke”. Ndër të tjera në këtë artikull thuhet: “Emigrantët shqiptarë po e sjellin Malin e Zi në pozitë jo të mirë. Mali i Zi nuk mund t’u mohojë mikpritjen. Nga ana tjetër mundohet t’i mbajë marrëdhëniet e mira me Turqinë”. Vetë Isa Boletini, shkruan gazeta, është shprehur: “Kam menduar se është e pamundur që turqit, ortodoksët e katolikët të jetojnë në atë harmoni në mes veti si e gjeta këtu në Mal të Zi”. Gazeta çeke në vazhdim thekson: “Malit të Zi të varfër i ka ra për hise mbajtja e këtyre emigrantëve…”.
Kjo gazetë vazhdon të njoftojë lexuesin për emigrantët shqiptarë të vëndosur në Mal të Zi edhe në vitin 1911. Kështu më 20 qershor të vitit 1911, boton shkrimin e gazetës së Petrovgradit “Novoje vremja” e cila theksonte se “Mbreti i Malit të Zi me gjithë fuqinë e vet po kujdeset që të ndalojë popullin e vet nga çdo pjesëmarrje, sado e vogël në kryengritjen e shqiptarëve”.

Të fundit

më të lexuarat