Shqiptarët, të margjinalizuar në të gjitha sferat e jetës së përditshme

Të jesh krenar për nënshkrimin e Marrëveshjes bazë me KOS-in, e cila e lumturon popullin ortodoks në Mal të Zi, anipse i bie vijë historisë së një konstituenti kryesor të shtetit të Malit të Zi (malazezëve), dhe të një konstituenti tjetër si pjesëtar i popullit më të vjetër në Ballkan (shqiptarëve), nuk mund të cilësohet si pozitive në krijimin e raporteve të mira ndërnacionale. Të pretendosh se me nënshkrimin e marrëveshjes së përmendur është eliminuar një problem i madh për Malin e Zi, pa menduar fare se keni hapur një plagë të re në marrëdhëniet ndërnacionale, i përngjet fjalës së urtë popullore: “Qep një pëllëmbë e shkep një pash”

Hajrullah Hajdari

(vijon nga numri i kaluar)
Barazia politike dhe ekonomike ishte koncept edhe i elitës komuniste, të cilët në teori predikonin se “pa barazi politike nuk ka as barazi ekonomike”. Por, në praktikë nuk u arrit kurrë. Mbase dallimet kulturore, zhvillimi ekonomik e mbi të gjitha mbizotërimi i “të fortit” ndaj “të dobëtit” ishin dhe janë aq të thella dhe evidente, sot e kësaj dite. Sipas kësaj logjike, i bie që ata që jetojnë në mjedise të forta, pra ekonomikisht dhe kulturalisht dominues, e pëlqejnë kozmopolitizmin si burim i totalitarizmit dhe e kanë lehtë të bëhen të tillë, ndërsa ata që ndihen të rrezikuar nga tendenca sunduese e totalitarizmit, akoma e kanë të nevojshme të shfaqen si nacionalistë, jo pse janë kundër reflektimit pozitiv që përmban në brendinë e saj fjala “kozmopolit”, por me qëllim që t’i shmangen thellimit të dallimeve zhvillimore, të cilat edhe më shumë mund të dobësojnë ndjenjën e natyrshme kombëtare si pasojë e instrumentalizimit të kombit prej politikës.
Kozmopolitizmi, në mënyrë të përmbledhur, është varianti kapitalist i internacionalizmit proletar, i cili në thelbin e tij ka shkëputjen e individit nga politika, nga vendi dhe traditat kombëtare të vendit që i përket individi. Për njeriun kozmopolit, nocionet atdhe, liri kombëtare, pavarësi, ideal kombëtar, nuk janë gjë tjetër veçse nocione primitive dhe të kapërcyera nga koha.

Shoqëria malazeze, pra edhe shqiptarët, të papërgatitur për këtë koncept politik
Thënë të drejtën, koncepti politik dhe mënyra se si Abazoviqi i sheh aspiratat e popullit malazez për realizimin e të drejtave politike dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian, në një kohë kur ekzistojnë aq dallime të mëdha si në sferën e historisë, kulturës apo zhvillimit ekonomik, janë të palogjikshme e të papranueshme për kohën që po jetojmë. Të jesh krenar për nënshkrimin e Marrëveshjes bazë me KOS-in, e cila e lumturon popullin ortodoks në Mal të Zi, anipse i bie vijë historisë së një konstituenti kryesor të shtetit të Malit të Zi (malazezëve) dhe të një konstituenti tjetër si pjesëtar i popullit më të vjetër në Ballkan (shqiptarëve), nuk mund të cilësohet si pozitive në krijimin e raporteve të mira ndërnacionale. Të pretendosh se me nënshkrimin e marrëveshjes së përmendur është eliminuar një problem i madh për Malin e Zi, pa menduar fare se keni hapur një plagë të re në marrëdhëniet ndërnacionale, i përngjet fjalës së urtë popullore: “Qep një pëllëmbë e shkep një pash”. Të thuhet se “Ballkani i Hapur” është një ndërmarrje pozitive për Ballkanin Perëndimor, pa një analizë të thukët ekonomike, pa koncept e vizion se çka mund t’i ofrojë një ekonomie të vogël e më pak të zhvilluar të Malit të Zi, duke lënë këtu anash çështjet e mëdha e të pazgjidhura politike, s’është tjetër përveçse tentativë me çdo kusht e imponimit të mendimit personal, pa marrë parasysh pasojat që mund të imponohen sipas fjalës së urtë popullore ”Peshku i madh e ha të voglin”.

Kozmopolitizmi, koncept i shekullit të ardhshëm – XXII
Arritja e barazisë politike dhe ekonomike, zhvillimet rajonale pa kufi e pengesa është ëndërr e secilit, veçanërisht për ne shqiptarët. Por pengesat që ekzistojnë dhe janë aq të dukshme është vështirë që vetëm me fjalë të eliminohen e të lihet anash tërë e kaluara e hidhur historike që ekziston në mes popujve që e përbëjnë Malin e Zi. Pajtimi duhet të arrihet, të ecim përpara është nevojë. Por, a është e lehtë të arrihet kjo pa u plotësuar e barazuar disa kërkesa, pa u arritur një nivel i caktuar i zhvillimit kulturor dhe ekonomik?! Sigurisht se jo.
Shteti-komb karakterizohet nga sovraniteti, sistemi i ligjeve dhe institucioneve, pjesëmarrja e qytetarëve në jetën politike, kultura, pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit në organizma ndërkombëtare, niveli i zhvillimit ekonomik. Institucionet shtetërore në Mal të Zi janë të varura nga politika, funksionimi i shtetit ligjor as në fillimet e tij, lufta ndaj korrupsionit politik dhe ekonomik, të themi, posa ka filluar…! Shqiptarët në të gjitha sferat e jetës së përditshme janë të margjinalizuar! Atëherë, çfarë të presim nga veprimet kozmopolite?!
Përkrahësit e kozmopolitizmit duhet t’u sigurojnë shqiptarëve, së pari, barazi politike, përfaqësim politik së paku në nivelin e përfaqësimit të popullit serb jashtë Serbisë, dhe së dyti, zhvillim ekonomik konform resurseve natyrore që Zoti iu ka dhënë trojeve shqiptare. Rrugë shumë e gjatë është kjo. E pa këto arritje, veprimet kozmopolite për shqiptarët janë të rrezikshme.
Pa dyshim, e ardhmja e kozmopolitizmit në epokën e globalizmit botëror do të jetë më e qartë dhe më pak e paragjykuar. Veçse duhen ndryshime, duhet barazi, zhvillim ekonomik për të gjithë! Por, sidomos në Ballkan, duhet shumë kohë, ndaj duhet të presim e të shpresojmë shumë. Sipas të gjitha gjasave, kozmopolitizmi është nocion i së ardhmes, mbase mund të jetë i shekullit XXII. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat