Shqiptarët, robër të lirisë së vet

Me të drejtë është pritur që pas fitimit të lirisë, kur e kanë pasur fatin vetë në dorë, shqiptarët të dinë ta përdorin këtë liri, duke e kanalizuar gjithë energjinë e ndrydhur në të mirë të vetes dhe të vendit të tyre, rritjes së mirëqenies së vet etj. Por, pas më shumë se 30 vjetësh mund të thuhet se shqiptarët jo vetëm që nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë lirinë, por ajo është bërë një lloj barre për ta, ndërsa ata vetë peng apo robër të lirisë së tyre

Ismet Kallaba

Shqiptarët kanë vuajtur për shumë kohë mungesën e lirisë. Të ndarë në disa shtete për shkak të vendimeve të shteteve të mëdha, qytetarët shqiptarë në shtetet ku kanë jetuar secili në mënyrën e vet është ballafaquar me pasojat e kufizimit të lirisë. Derisa në Shqipëri, gjatë periudhës së komunizmit, qytetarët ishin të privuar nga liritë themelore, shqiptarët në ish-Jugosllavi ishin të diskriminuar dhe qytetarë të rendit të dytë në krahasim me popujt e tjerë të këtij vendi. Prandaj me të drejtë është pritur që pas fitimit të lirisë (ndërrimit të sistemit qeverisës dhe përqafimit të sistemit politik demokratik në Shqipëri, pavarësisë së Kosovës, fitimit të disa të drejtave më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoni dhe Malin e Zi etj.), kur e kanë pasur fatin vetë në dorë, shqiptarët të dinë ta përdorin këtë liri, duke e kanalizuar gjithë energjinë e ndrydhur në të mirë të vetes dhe të vendit të tyre, rritjes së mirëqenies së vet etj. Por, pas më shumë se 30 vjetësh mund të thuhet se shqiptarët, jo vetëm që nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë lirinë, por ajo është bërë një lloj barre për ta, ndërsa ata vetë peng apo robër të lirisë së tyre.

Liria e lëvizjes për shqiptarët është shndërruar në mungesë të shpresës për të jetuar në vendin e vet. Kësaj pa dyshim që i ka kontribuar politika miope shqiptare në vendet e ndryshme të rajonit ku ata jetojnë


Shqiptarët e kanë keqkuptuar lirinë! Atyre u pëlqen të jetojnë pa rregulla, në emër të lirisë. Shqiptarët e kanë kuptuar lirinë si një e drejtë për të bërë gjithçka. A mund ta imagjinoni sot një qytet shqiptar pa ndërtime informale?! Liria në komunikacion për një shofer tipik në Shqipëri nënkupton që e tërë rruga i përket vetëm atij, pa çka se në komunikacion ka edhe pjesëmarrës të tjerë. Në mediat shqiptare e sidomos në rrjetet shoqërore, liria e të shprehurit është shndërruar në një garë të shfrenuar baltosjeje, shpifjeje, poshtërimi, cenimi të privatësisë së tjetrit.
Liria e lëvizjes përbën një të drejtë themelore të çdo njeriu dhe një proces natyror në shtetet me demokraci të zhvilluar. Historikisht njerëzit kanë migruar nga një vend në tjetrin për shkaqe të ndryshme, në kërkim të një jete më të mirë. Shqiptarët, posaçërisht ata në Shqipëri, e kanë përjetuar në mënyrën më ekstreme privimin nga e drejta e lëvizjes së lirë. Me hapjen e Shqipërisë, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, për shkak të varfërisë shumë njerëz janë larguar fillimisht në vendet fqinje, para së gjithash në Itali dhe Greqi, e më pas edhe në vende të tjera të Evropës Perëndimore dhe të botës.

Shqiptarët e kanë keqkuptuar lirinë! Atyre u pëlqen të jetojnë pa rregulla, në emër të lirisë. Shqiptarët e kanë kuptuar lirinë si një e drejtë për të bërë gjithçka

I njëjti fenomen ka përfshirë pak a shumë edhe trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, ku njerëzit kanë emigruar për shkaqe politike, ekonomike etj. Por në vitet ’90-të të shekullit të kaluar askush nuk do ta besonte se eksodi i shqiptarëve do të vazhdonte me përmasa të njëjta edhe në dekadën e tretë të mijëvjeçarit të tretë. Liberalizimi i vizave është kuptuar nga shqiptarët si një mundësi për të ikur sa më parë nga vendi i vet dhe si një e drejtë për të ndërtuar jetën (të ardhmen) në një vend tjetër. Në këtë mënyrë po ndodh shpopullimi dhe shkretimi i trevave shqiptare. Regjistrimi i popullsisë (diku është kryer, diku është në proces, kurse në ndonjë shtet pritet të kryhet gjatë këtij viti apo në të ardhmen e afërt) në shtetet ku jetojnë shqiptarët, do të tregojë përmasat e këtij fenomeni shqetësues, kuptohet nëse të dhënat e përftuara do të publikohen në mënyrë reale. Pavarësisht faktit se liberalizimi i vizave nënkupton të drejtën e lëvizjes së lirë, sot kjo liri për shqiptarët është shndërruar në mungesë të shpresës për të jetuar në vendin e vet. Kësaj pa dyshim që i ka kontribuar politika miope shqiptare në vendet e ndryshme të rajonit ku ata jetojnë.

Të fundit

më të lexuarat