
Shqiptarët, në gjithë historinë e tyre, jo vetëm gjeografikisht por edhe kulturalisht e shpirtërisht, kanë qenë dhe janë pjesë e kontinentit të Evropës. Qysh në fillimet e shkrimeve të para, përpjekjeve për t’u bërë komb në hap me shtetet e Evropës, shqiptarët janë të lidhur me rrënjët e këtij kontinenti.
Rrugëtimi i kombit shqiptar ka qenë i vështirë. Në kohën kur kombet e tjera kishin marrë iniciativa për mësim në gjuhët e tyre amtare, edhe shqiptarët, hap pas hapi me ta, filluan mësimin në shqip. Por, përkundër fqinjëve të tyre perëndimorë, të cilët luftonin mes vete për ide të ndryshme, shqiptarët përballeshin me një kulturë tjetër, të kundërt me atë evropiane.
Vetëm prej vitit 1908 kemi një alfabet unik, falë intelektualëve që vunë themele të shëndosha kombëtare, duke u mbështetur në shembujt e kombeve të tjera evropiane. Ata, themeluesit e shqiptarisë, duke ditur shumë mirë sa shekuj kishim humbur, duke ditur se sa njerëz të mëdhenj nga gjaku ynë i kishin përvetësuar kombet e tjera, të vendosur për ta ringritur shqiptarinë evropiane, zbritën në rrënjët e popullit tonë dhe nga aty e filluan procesin e Rilindjes Kombëtare.
Të nisur nga parimi evropian, gjuhën e vendosën në rend të parë. Gjuha shqipe, si njëra nga gjuhët më të lashta të kontinentit, përveçse kishte përjetuar tkurrje, ishte një gjuhë e padokumentuar. Kështu ndodh kur nuk ke një administratë tënden, ose kur ke një administratë që nuk e lejon shkrimin e gjuhës. Andaj, alfabeti u bë themeli i ringritjes gjuhësore, i cili u kthye edhe në katalizatorin kryesor për pastrimin e gjuhës shqipe nga shumë fjalë të huaja, që kishin depërtuar deri në palcën e fjalëformimit. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse sot një numër i madh i bashkëkombësve tanë, në vend se ta duan veten dhe historinë e tyre, gjuhën dhe kulturën e identitetit të tyre autokton, janë cekëtisht të lidhur me një kulturë tjetër – të imponuar ndër shekuj nga pushtuesit. Madje, ky grupim edhe pushtimin e sheh si shpëtim.
Shpesh, në të njëjtin shesh, ngrihen përmendore kundërshtuese te shqiptarët: njëra palë adhuron kryeheroin tonë, kurse pala tjetër adhuron kundërshtarin e tij më të madh – masakruesin e kombit të vet. Arsyet janë të qarta: cektësia e njohjes dhe mungesa e shkollimit ndër shekuj.
Viti 1908 është një vit relativisht i vonë për kontinentin evropian për të krijuar një alfabet. Me këtë alfabet do të fillonte të shkruhej e rishkruhej e gjithë letërsia shqipe. Do të rishkruhej me alfabetin shqip gjithë letërsia që, deri në standardizimin e alfabetit, ishte shkruar me shumë shkronja dhe me disa alfabete evropiane – latine, sllave, greke dhe arabe.
Me gjuhën shqipe do të shkruheshin rreshtat e parë të historisë shqiptare, ku në rrënjët e saj do të vendoseshin kokat e shquara të dala nga gjaku ynë: Aleksandri i Madh, Genti, Teuta, Pirroja i Epirit e shumë figura – shtylla të lashtësisë sonë, të ndritura e të vuajtura. Kërthiza e kombit të ri me emër, që doli nga formula Ilir–Arbën–Shqiptar, do të vendosej tek ai që do të quhej Ati i Kombit – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Deri këtu duhet ta kemi të qartë se dy nivele bashkëpunuan në formë të barabartë me njëra-tjetrën: patriotët me pushkë në dorë dhe patriotët intelektualë. Betejat ishin pothuajse të barabarta për të dyja grupet, sepse shumë prej patriotëve intelektualë u vranë dhe u likuiduan në katër anët e botës, kudo që ata merreshin me veprimtarinë e tyre kombëtare.
Duhet ta kemi të qartë se e vetmja gjuhë dhe e vetmja shkollë që ishte e ndaluar gjatë pushtimit pesëshekullor ishte gjuha shqipe. Të drejtë shkollimi në gjuhën amtare kishin të gjitha kombet tjera – edhe serbët, edhe grekët – përveç shqiptarëve. Kosova do të priste edhe më gjatë për një ligj që lejonte shkollën në gjuhën shqipe – shumë më gjatë se viti 1912.
Kapitulli i ri për shqiptarët ishte futja e gjuhës shqipe në shkolla, ose hapja e shkollave shqipe në mbarë vendin. Vatra e gjuhës shqipe lindi atë ditë që u hap shkolla e parë shqipe në Shqipërinë e lirë – për të mos u mbyllur më. Kjo frymë e intelektualëve shqiptarë e kishte të qartë se politika kishte fushën e vet të veprimit, duke e lënë të lirë anën kulturore, ta përkrahnin dhe ta nxisnin për të punuar sa më shumë e sa më fort për atdheun. Ata synonin të merrnin nga kjo gurrë njerëz të formuar, të cilët do të ishin menaxherët më të mirë të shtetndërtimit dhe zhvillimit të vendit. Ata e dinin më së miri – sepse jetonin e vepronin në shtete evropiane ku demokracia kishte filluar të ishte e avancuar – andaj artin, kulturën, historinë dhe ligjin i lanë të pavarura, duke i shpallur të shenjta. Këto do të ishin arma e kombit, krenaria e të gjithëve, dhe assesi një mjet i politikës – siç do të bëheshin më pas.
Shtypi, arti, kultura, shkenca dhe ligji i lirë do të ndërtonin një shtet që kishte nevojë të arrinte kohën e humbur. Kjo lloj qasjeje na bën të kuptojmë se rilindësit e dinin ç’është integrimi – ose më qartë ta themi, rikthimi i shqiptarëve në gjirin e Evropës. Ata nuk do ta besonin se sot, pas kaq shumë vitesh, mbi një shekull, ne ende nuk jemi integruar në shtëpinë tonë evropiane. Në shumë aspekte kemi bërë edhe hapa pas.
Por devijimi më i madh është devijimi psikologjiko-kulturor, pra adhurimi i kulturës së pushtuesit. Dihet se gjuha shqipe u ruajt nëpër shkolla të ndryshme të improvizuara, nga intelektualë e patriotë që shkrinë pasurinë dhe jetën e tyre për ta mbajtur të gjallë pishtarin e kombit shqiptar. Pa sakrificën e tyre, me siguri sot nuk do të flitej as për Shqipëri, as për gjuhë shqipe, e as për shqiptarë. Pra, Rilindja e shqiptarëve nuk ishte një farë që shpërtheu bimën e kombit, por ishin shumë të mbjella që shuheshin herë pas here nga armiqtë e popullit autokton – i cili jetonte i ndarë në katër vilajete, me një territor dhe natyrë mahnitëse, me pasuri tokësore, nëntokësore dhe ujore, aq sa edhe njerëzore.
Gjuha, gojëdhënat, përrallat, këngët, vajtimet, doket, ritet pagane e fetare u ruajtën nga populli. Por u dokumentuan nga intelektualët. U shpëtua ajo që mund të shpëtohej nga gurra popullore. Duke mos pasur forcën e mendjes për t’u bashkuar si komb rreth çështjes më të madhe e jetike për një popull – vetëqeverisjes – ne humbëm mjaft pasuri nga kultura dhe tradita që patëm. Humbëm manastire e kisha, varreza dhe kala, qytete të lashta, turma njerëzish që largoheshin nga beteja në betejë. Themeluam koloni nëpër Itali, Kroaci, Ukrainë e gjetiu. Humbëm mundësinë e dokumentimit të masakrave të shumta që u kryen ndaj kombit tonë – nga pushtues dhe dhunues që nuk ishin të paktë. U çoroditëm si popull dhe nuk po ia dilnim të bëheshim komb. Madje, duke përkrahur pushtues të ndryshëm, luftuam edhe kundër njëri-tjetrit, duke shkrirë jetët kot – për t’u kujtuar si heronj të kombeve dhe idealeve të huaja, e jo të atyre me të cilat sot do të krenoheshim.
(vazhdon)
