
(Me rastin e 110-vjetorit)
Në aspektin gjeopolitik për opinionin e gjërë është e njohur së në saje të vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878) harta politike e siujdhesës ballkanike pësoi ndryshime, sepse nga principatat e dikurshme autonome u krijuan shtetet e pavarura ku bënte pjesë edhe Mali i Zi.
Në vend që Fuqitë e Mëdha të kohës të insistonin që Malit të Zi si shtet të ri të njohur ndërkombëtarisht t’i takonin vise dhe popullsi sllave nga ana perëndimore e tij duke marrë për bazë kriterin etnik, u vendos e kundërta duke i dhuruar këtij shteti edhe vise me popullsi shqiptare. Andaj nga kjo kohë me fillimin e tkurrjes së hapësirës shqiptare në favor të fqinjëve, “çështja shqiptare” u cilësua si dimension i veçantë, sepse në rastin konkret raportet shqiptaro-malazeze morën një kahje tjetër.
- Viset shqiptare nën administrimin e Malit të Zi pas vitit 1878
Ishin vendimet e Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit të cilat legjitimuan fillimin e coptimit të trojeve shqiptare, fillimisht me pranimin e pavarësisë së shteteve fqinje siç ishin Mali i Zi dhe Serbia. Edhe pse aspiratat për zgjerim territorial të Malit të Zi gjatë dhe pas luftërave kundër Turqisë (1876-1878) ishin më të mëdha nën administrimin e tij kaluan krahina e Trieshit, Koja, Podgorica, Zhablaku, Tivari dhe pjesa veri-perëndimore e Krajës. Edhe pse në Kongres u vendos që edhe krahina e Plavës dhe Gucisë t’i jepet Malit të Zi, një vendim i tillë nuk u realizua në saje të angazhimit ushtarak të popullatës shqiptare në organizim të LSHP ku u zhvillua edhe beteja e njohur e Nokshiqit në dhjetor të vitit 1879. Si kompenzim për të u bënë pazarllëqe nga Fuqitë e Mëdha që t’i jepet krahina e Grudës por ishte LSHP që organizoi mbrojtjen ushtarake në prill të vitit 1880, duke mos lejuar aneksimin e territoreve shqiptare nga ana e Malit të Zi. Por të ndodhur në situatë të tillë, Fuqitë e Mëdha arrijnë kompromisin e fundit për kompensimin e Plavës dhe Gucisë e ky është qyteti i Ulqinit me rrethinën e tij të ngushtë, ku edhe pas rezistencës së popullsisë vendore, ky territor iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane në prani të forcave ndërkombëtare në fund të nëntorit të vitit 1880.
Viset shqiptare të cilat kaluan nën administrimin e Malit të Zi edhe në rrethana të reja shoqërore dhe politike arritën të mbajnë komunikimin e vet ndërkrahinor me kryeqendrën e veriut shqiptar që ishte qyteti i Shkodrës.
Edhe pse kufiri i ri në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë që ishte nën administrimin e Perandorisë Osmane, pushteti i Malit të Zi kishte plane për pushtimin e territoreve të banuara me popullsi shqiptare. Me një fjalë territoret e përfituara nga ana e Kongresit të Berlinit ishin fillimi i një politike ekspansioniste në dëm të trojeve dhe popullsisë shqiptare. Një dukuri e tillë u hetua në mënyrë praktike me rastin e Kryengritjes në Malësi të Madhe në vitin 1911. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për shqiptarët por dhe një sinjal se çka është duke u përgatitur kundër tyre, e dhënë kjo e cila do të jetë transparente në vjeshtën e vitit 1912 dhe më pas. - Ofanziva pushtuese e Malit të Zi ndaj tokave shqiptare dhe rrethimi i Shkodrës(tetor 1912-prill 1913)
Shtetet ballkanike duke parë sukseset luftarake të shqiptarëve kundër ushtrisë së Perandorisë Osmane, veçanërisht kryengritjet e vitit 1910-1912, shpejtuan për formimin e Aleancës Ballkanike për fillimin e luftës kundër Portës së Lartë. Kështu aleancë ne mes veti lidhen Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia. Bisedat e fshehta në mes shteteve ballkanike ishin inicuar nga Rusia në vitin 1911, duke përfunduar në shtator 1912 me realizimin e aleancës në mes tyre. Ndërsa aleanca e arritur në mes Malit të Zi dhe Serbisë në Lucern të Zvicrës (27.9.1912) me nënshkrimin e marrëveshjes politike dhe ushtarake ku e nënvizuar është se“atë që secili vend e çliron nga turqit ajo edhe i takon“, dëshmon qartë për objektivat e këtyre shteteve. Një konstatim i tillë është transparent dhe nuk meriton koment, nga del se shqiptarët ishin para sfidave të mëdha ndaj pushtuesve të rinj të cilët gjoja në emër të luftës kundër Perandorisë, si orientim final kishin okupimin e territorëve të reja. Rasti i rrethimit të Shkodrës dhe lufta e zhvilluar (tetor 1912-prill 1913) është i veçantë ku edhe pse kishte filluar Konferenca e Ambasadorëve në Londër ku informatat ishin se ky qytet do të jetë në kuadrin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, rrethimi i saj dhe lufta e zhvilluar në mes ushtrisë turko-shqiptare dhe asaj malazeze vazhdonte gjithnjë. Një veprim i tillë shpjegohet me faktin se Shkodra për Malin e Zi paraqiste një çështje të veçantë në filozofinë dhe aspiratat e tyre ushtarake dhe politike e cila ishte e bazuar në mitet mesjetare e jo në realitetin gjeografik dhe historik. Madje Mbreti Nikolla ka ëndërruar së po t’i realizohej projekti i zgjerimit territorial në lindje madje deri te Lumi Drin, Shkodra do të ishte kryeqyteti i
Mbretërisë së tij. Ai shprehej se “nuk do t’i ul armët para se Lumi Drin të bëhët kufiri jugor i Malit të Zi”. Ndërsa gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913) në bisedimet që u zhvilluan fshehurazi në mes Serbisë edhe Malit të Zi (në pjesën e dytë të nëntorit 1912) Mbreti Nikollë kërkoi ndarjen e territoreve në Shqipëri. Mali i Zi kërkonte të merrte rajonet deri në Lumin Mat, ndërsa Serbia prej Matit deri te Shkumbini.
Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912-korrik 1913), delegacioni serbo-malazez kërkonte që Shqipëria të ngushtohej sa më tepër, sepse në ketë formë do t’i mundësohej Serbisë për të realizuar ëndrrën e saj për dalje në bregdetin e Adriatikut. Nga ana tjetër delegacioni malazez kërkonte me këmbëngulje Shkodrën. Në kërkesë thuhej se po qe se nuk do të merrej një vendim i tillë, Mali i Zi për qytetin e Shkodrës do të jepte edhe njeriun e fundit, që dëshmohet edhe me parullën e Mbretit Nikollë “ose Shkodrën, ose vdekjen”.
Ndërkohë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në luftën diplomatike për caktimin e kufirit shqiptaro-serb dhe shqiptaro-malazez, më 22 mars 1913 u vendos që Shkodra me rrethinë t’i mbetet Shqipërisë. Por malazezët kishin aspiratat e tyre mitomane dhe vazhdonin gjithnjë ta mbanin të rrethuar Shkodrën duke vazhduar operacionet luftarake të bindur se çka fitohet me luftë edhe do t‘iu takojë. Pasi Mali i Zi hezitonte të respektonte vendimin e Londrës, me nismën e Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, kundër tij filloi demonstrimi detar i cili më 5 prill 1913 arriti para Tivarit dhe pas disa ditësh bllokoi bregdetin prej atij qyteti deri në grykën e Drinit. Megjithatë forcat malazeze pushtuan Shkodrën më 24 prill 1913 pasi atë ua dorëzoi Esat Pashë Toptani. Por veprimi energjik dhe presioni i Fuqive të Mëdha, ku duhet veçuar sidomos Austro-Hungarinë pas qëndrimit tri javësh forcat malazeze më 14 maj 1913 pasi e plaçkiten u larguan nga Shkodra ku menjëherë u vendosen forcat ndërkombëtare.
Por edhe pse humbi Shkodrën pas luftërave ballkanike, Mali i Zi u zgjerua territorialisht duke përfituar një territor me sipërfaqe prej 4.958 km2, që është më tepër se 48% të territorit pas Kongresit të Berlinit (9.475 km2). Nga një e dhënë e tillë del se Mali i Zi pas çdo lufte është zgjëruar vazhdimisht ku një pjesë e konsiderueshme e këtyre territoreve është e hapësirës etnogjeografike shqiptare. - Rrethanat e luftës dhe emigrimi i popullsisë shqiptare
Në rrethana të tilla të luftës nuk ka dilemë se popullsia shqiptare u gjend në pozitë të pavolitshme, andaj ajo u detyrua të shpërngulet nga vendbanimet e tyre. Kështu një dukuri e tillë ndodhi fillimisht nga viti 1878 e më pas, ku si shëmbull tipik sherben rasti i Ulqinit, ku me kalimin e këtij qyteti nën administrimin e Malit të Zi (nëntor 1880) pothuaj 1/3 e popullsisë së qytetit emigroi duke u vendosur kryesisht në Shkodër por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Politika shtetërore e Malit të Zi në territoret e aneksuara kishte vendosur objektiva të qarta në lidhje me territoret e reja, ku çështje kyçe ishte ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë. Me urdhër të Simo Popoviqit i cili ishte në funksionin e guvernatorit të parë të Ulqinit, organet e pushtetit malazez filluan punën për regjistrimin dhe matjen e sipërfaqes tokësore që duhej të kolonizohej.
Në lidhje me këtë çështje, po ashtu në mënyrë transparente dëshmon deklarata e tij që ia dërgonte ministrit të punëve të jashtme ku thuhet:“Rrethi i Ulqinit për ne është i huaj. Të gjithë këtu janë turqë (shqiptarë të konfesionit islam-N.D.) dhe malësorë. Kujdesi ynë i parë, për arsye të shumë shkaqeve duhet të jetë që banorët vendas t’i asimilojmë dhe sa më parë në dy mënyra: me anë të kolonizimit duke vendosur këtu 4-5 mijë familje malazeze dhe me anë të hapjes së shkollave. Kolonizimi do të arrihet kur shpërngulen malësorët nga ky vend. Kur të realizohet ky projekt, atëherë ky rajon i bukur dhe i pasur do të jetë krejtësisht dhe përgjithmonë i Malit të Zi. Derisa të mos realizohet ky qëllim, nuk kemi se çka të gëzohemi”.
