Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë 2024

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 2007, ka shpallur 15 Shtatorin e çdo viti si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, për t’u kujtuar të gjitha shteteve, anë e mbanë botës, nevojën e theksuar dhe të vazhdueshme për mbrojtjen dhe promovimin e demokratizimit të shoqërive të ndryshme të botës, si edhe për të theksuar rëndësinë e zhvillimit dhe të respektimit të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të çdo individi, kudo në botë.
Me rastin e miratimit të rezolutës, Asambleja e Përgjithshme ka ritheksuar se demokracia është një vlerë universale, e “bazuar në shprehjen e lirë të popujve për të vendosur vetë sistemet e tyre politike, ekonomike, shoqërore e kulturore, si edhe për të vendosur, lirisht, pjesëmarrjen e tyre në të gjitha aspektet e jetës politike”.
Si çdo vit tjetër, në të kaluarën, edhe sivjet në këtë ditë, OKB-ja u bën thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, organizatave ndër-qeveritare dhe atyre jo-qeveritare, si edhe individëve dhe medias në mbarë botën, që të shënojnë këtë ditë në mënyra të përshtatshme festimi e përkujtimi, për secilin vend, ashtu që të përforcohen dhe të shtohen programet kombëtare dhe ndërkombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë, botërisht. Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për vitin 2024, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, nënvizoi se “Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është një mundësi për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të fjalës së lirë, lirive civile dhe shtetit të së drejtës; llogaridhënien nga institucionet qeveritare si dhe mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut”. Kjo, shtoi udhëheqësi i OKB-së, është, veçanërisht, “me rëndësi në një vit, kur më shumë se 50 vende – që përfaqësojnë gjysmën e popullsisë globale – mbajnë zgjedhjet e radhës”. Guterres, shtoi se, megjithëkëtë, këto të drejta dhe vlera universale po sulmohen në mbarë botën, liritë në përgjithësi po gërryhen, hapësira për pjesëmarrje qytetare po ngushtohet, ndërkohë që polarizimi po intensifikohet, ndërsa mosbesimi po rritet. Për fat të keq, duket se kjo deklaratë tingëllon si deklaratat paralajmëruese të mëparshme, që tregon se zhvillimet demokratike në botë, jo vetëm që nuk po përmirësohen, por problemet e demokracisë po shtohen.
Ndër 50-vendet që do mbajnë zgjedhje vitin që vjen janë edhe Shqipëria e Kosova. Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, 2024, do duhej që të shërbente edhe për dy shtetet shqiptare si një kujtesë e radhës mbi nevojën e vazhdueshme që parlamentet dhe qeveritë në Tiranë dhe në Prishtinë të përqendrohen, seriozisht, mbi promovimin e demokracisë së vërtetë, me zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë realizimin e objektivave, siç janë, pjesëmarrja aktive e shoqërisë civile në jetën politike, mbajtja e pakontestueshme e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, mbështetja e partive efektive politike, përfshirë opozitën, objektiva këto të cilat si prioritet kanë mirëqenien e popullit, pa dallime politike dhe jo interesat e tyre personale e partiake të një grupi ose një tjetri.
Sepse, demokracia e vërtetë siç ka thënë filozofi francez, Albert Camus, si vlerë dhe si ideal, “nuk ka të bëjë vetëm me qeverisjen nga shumica, por edhe me mbrojtjen e pakicës”, (Albert Camus). Ky citat, sipas shumë, ekspertëve politikë, përmbledh thelbin e demokracisë së vërtetë. Ai përcjell idenë se demokracia nuk ka të bëjë vetëm me sundimin e shumicës, ku dominojnë vendimet apo preferencat e grupit më të madh politik në një vend. Ndryshe nga kjo, ai nënvizon edhe rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave, lirive dhe interesave të grupeve dhe partive minoritare. Me fjalë të tjera, një demokraci e vërtetë siguron që zërat e pakicës të mos mbyten nga shumica. Camus synon të parandalojë tiraninë e shumicës, ku pushteti i shumicës është absolut dhe i padiskutueshëm, duke çuar në shtypjen e mundshme të pakicës, por edhe një pjese të madhe të votuesve. Kjo vlen, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por për cilindo vend, përfshirë ato më një kulturë e histori demokratike më të gjatë, siç janë Shtetet e Bashkuara.
Për fat të keq, ndonëse kanë kaluar 35-vjet nga shembja e Murit të Berlinit, shqiptarët gjenden, gjithnjë, në fazat fillestare të zhvillimit të tyre demokratik. Klasa politike shqiptare, më duket se nuk është e vetëdijshme, ose ndoshta nuk do të t’ia dijë për punën e madhe që nevojitet për vendosjen e demokracisë së vërtetë, shtetit të ligjit, për luftën kundër korrupsionit, për transparencën dhe përgjegjësitë politike ndaj votuesve si edhe për nevojën e domosdoshme për të ndërmarrë ndryshime të gjithanshme të sistemeve politike dhe ekonomike. Jam i bindur se klasa politike shqiptare e tri dekadave të kaluara është e vetëdijshme për dështimet politike dhe ekonomike, të cilat po prishin shpresat e shqiptarëve për një demokraci të mirëfilltë. Zhgënjimet e shqiptarëve nga mungesa e demokracisë së vërtetë në këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024, për fat të keq, po pasqyrohen në boshatisjen masive të trojeve shqiptare. Kjo nuk është demokracia as Shqipëria demokratike që duan shqiptarët, përndryshe do të rrinin në vendin e vet.
Ka 10-15 vjet, që në atë mënyrën time më modeste, jam munduar të paralajmëroj se mungesa e demokracisë së vërtetë në trojet shqiptare, herët ose vonë, do të çonte në prirje autoritare të qeverisjes dhe në parlamente që nuk janë pasqyrë dhe shprehje e drejtpërdrejt e vullnetit demokratik të popullit dhe që nuk luajnë rolin kyç në përkrahjen dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Dhe se më në fund: “Demokracia nuk pret”.
Fan Noli në një artikull me titull, “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës”, botuar 100-vjet më parë, në gazetën “Dielli”, (në nëntor të vitit 1924), ka kritikuar partitë dhe politikanët e kohës në Shqipëri për gjendjen e krijuar atje, një shekull më herët, duke thënë se: “Në qoftë se anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, atëherë optimizmi s’ka vend dhe trembem se diç do ngjasë.” Njëkohësisht, Noli ka shprehur shpresën se, të “Vetëquajturve ‘udhëheqës’ do t’u vijnë mëndtë dhe punët do shtrohen”. Kanë kaluar 100-vjet nga fjalimi i Nolit, mbi 5 anarkitë mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924, por që tingëllon, njësoj, aktual edhe sot për të gjithë politikanët shqiptarë, pa dallim partie a niveli, kudo në trojet shqiptare – të cilët siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë, por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t’ia arritur qëllimeve të tyre që shpesh duken se nuk janë në interesin dhe në të mirën e përbashkët kombëtare. Urojmë që këta “udhëheqës” do t’i ndërpresin tragjikomeditë e tyre politike dhe të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet “kazma Shqipërisë” dhe shqiptarëve.
Ashtu që, klasa politike aktuale shqiptare, pozitë dhe opozitë, për hir të interesave kombëtare të shqiptarëve, të angazhohet me respekt për njëri- tjetrin, për një demokraci të vërtetë, në mbrojtje të vlerave të lirisë e demokracisë, jo vetëm sot në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë 2024, por për çdo ditë të jetës së tyre publike, në shërbim të popullit. Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos t’u mbajë peng e kaluara, kur është fjala për Demokracinë e Vërtetë, për një komb aq dinamik të bashkuar në liri, demokraci të vërtetë dhe pavarësi. Një komb si shqiptarët, i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet , në nivel ekonomik, politik dhe intelektual, për ta realizuar ëndrrën e rilindësve të shekullit të kaluar dhe për të plotësuar të gjitha nevojat dhe aspiratat e të gjithë shqiptarëve sot, për një jetë më të mirë.
Jo rrugëve të botës, por aty në trojet shekullore të stërgjyshërve të tyre, në liri dhe demokraci të vërtetë, për veten dhe familjet e tyre dhe në paqe e siguri me të tjerët. Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë për të kujtuar dhe theksuar rëndësinë e demokracisë së vërtetë në nivel global – si një kujtesë se demokracia duhet promovuar dhe mbrojtur nga të gjithë brezat. Pasi nëse jo, siç ka thënë dikur ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan –
Demokracia mund të zhduket shumë kollaj brenda një brezi – prandaj është i nevojshëm një angazhim aktiv dhe serioz në vazhdimësi nga shtetet individuale, nga ana e organizatave ndërkombëtare, nga shoqëria e vërtetë civile dhe nga vet populli, për të mbrojtur dhe promovuar Demokracinë e vërtetë në botë, çdo ditë e moment dhe jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Sepse DEMOKRACIA NUK PRET!

Të fundit

më të lexuarat