Shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për liderë politikë të kapur nga pushteti, që përkundër kërkesës së vazhdueshme të elektoratit dhe diasporës për unifikim të faktorit politik shqiptar do të vazhdojnë të kërkojnë dritë jeshile, dhe të marrin leje nga partia që është në pushtet , por edhe për mendimtarë, ideologë dhe strategë që do t’i hapin shtigje të reja dhe të sigurojnë rrugën e vërtetë të shpëtimit dhe fitores
Në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale në Mal të Zi, nuk i ka humbur zgjedhjet populli shqiptar me vetëdije kombëtare dhe ideal të pastër që jeton në këto treva, por kanë humbur partitë politike shqiptare dhe ka fituar DPS-i që proklamon një koncept qytetar manipulues dhe të dështuar, ku vota shitet për një thes me miell dhe ku paga e mjekut është disa herë më e vogël se ajo e pastrueseve nëpër spitalet e vendeve perëndimore. Kjo parti e ashtuquajtur qytetare e përkrahur edhe nga një numër i madh i shqiptarëve të cilët i besojnë këtij koncepti qytetar dhe nuk janë të preokupuar me nënshtrimin, diskriminimin dhe me çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Mal të Zi.
Në komunat dhe vendbanimet me shumicë shqiptare, beteja politike është zhvilluar mes shqiptarëve me vetëdije kombëtare, me vullnet dhe përkushtim për ndryshime e reforma dhe shqiptarëve të etshëm vetëm për pushtet, që dëshirojnë ta mbajnë këtë popull edhe më tej të nëpërkëmbur dhe të nënshtruar, pa liri dhe të drejta, si pakicë kombëtare të nënshtruar dhe të diskriminuar. Qytetarët shqiptarë me vetëdije kombëtare, si asnjëherë më parë e thanë fjalën e tyre në mënyrë të guximshme e plebishitare, se janë për ndryshime e reforma, për më shumë liri dhe të drejta. Populli që di t’i rezistojë makinerisë së fuqishme propagandistike, shantazheve, kushtëzimeve dhe kërcënimeve të këtij pushteti me të gjitha strukturat e tij, meriton një të ardhme më të lumtur!
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “795” të revistës Koha Javore

