Shqiptarët e Çamërisë – gjenocid i harruar

Osman Atalay

“Në vitin 1994, Kuvendi Popullor i Shqipërisë e shpalli zyrtarisht 27 Qershorin si “Ditën e Gjenocidit” të kryer kundër shqiptarëve çamë nga grekët”.
Në vitin 1944, krahas gjenocideve dhe dëbimeve të ndërmarra kundër çerkezëve të Kaukazisë dhe tatarëve të Krimesë, një gjenocid më i pak i njohur u krye ndaj popullit shqiptar të Çamërisë.
Gjenocidi i Çamërisë që vazhdoi nga 27 qershori 1944 dëri në mars të 1945-ës, thuajse është harruar, duke lënë një njollë në historinë e njerëzimit.
Në këtë gjenocid u masakruan 10% e shqiptarëve të Çamërisë.
Çamëria është një krahinë prej rreth dhjetë mijë kilometrash katrorë që ndodhet në veriperëndim të Greqisë. Në literaturë njihet edhe si Epiri i Jugut, dhe banorët e krahinës si epiriotë. Çamëria përbën pjesën më jugore të territoreve me shumicë shqiptare. Në këtë krahinë ndodhen qytetet e Pargës, Prevezës, Igumenicës, Margëllëçit, Filatit, Paramithisë dhe Filipiadhës. Gadishulli i Prevezës, përveçse ka tokat më pjellore në Greqi, është territori më i afërt i kësaj të fundit me Evropën.
Sipas numërimit të popullsisë të vitit 1908, kryer nga Perandoria Osmane, Çamëria kishte shtatëdhjetë e tre mijë banorë. 92% e tyre përbëheshin nga shqiptarët, kurse pjesa tjetër nga grekët, vllehët dhe romët. Në fillim të Luftës së Parë Botërore, 50% e shqiptarëve çamë ishin myslimanë dh 50% ortodoksë.
Në fillim të shekullit të 20-të, krahina e Epirit, pavarësisht kundërshtimeve të popullsisë shqiptare çame që përbënte shumicën dërrmuese të banorëve, sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të mbajtur në Londër në vitin 1913, u shkëput nga Shqipëria dhe iu dha Greqisë si një pakicë etnike. Kjo popullsi vendase, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore pësoi një fat tragjik nga dora e grekëve.
Masakrat në nivel gjenocidi që grekët kryen nga 27 qershori 1944 deri në mars 1945 kundër shqiptarëve vendas të Çamërisë, sot po sillen në vëmendje në platforma të ndryshme në kuadër juridik nga intelektualët dhe politikanët shqiptarë të brezit të ri.
Drejtuesi i Fondacionit Hasan Tahsin dhe eksperti i çështjes çame Alket Veliu, një vit më parë deklaronte se po vazhdon lufta për rifitimin e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, të humbura 78 vjet më parë.
Veliu shtoi se përpjekjet e Shqipërisë për çështjen çame gjatë tridhjetë viteve të fundit kanë qenë me ulje-ngritje, por se sot ka një prirje krejt të ndryshme “për harrimin” e kësaj çështjeje.
Gjithashtu theksonte se “kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë të thjeshta dhe të drejta, pasi ata thjesht duan të kthehen në trojet e tyre”.
Duke vënë në dukje se anëtari i Komisionit Evropian për Negociatat e Zgjerimit, Johanes Han e ka pohuar rëndësinë e përfshirjes së çështjes çame në takimet përkatëse mes Shqipërisë dhe Greqisë, Veliu shprehej se në marrëdhëniet me Greqinë Shqipërisë do t’i mjaftonte të ndiqte agjendën evropiane.
Duke thënë se kanë sjellë në vëmendjen e opinionit publik shqiptar fakte të ndryshme, dokumente të shkruara si dhe rrëfimet e viktimave të gjenocidit, Veliu deklaronte: “Sot pa dyshim që po përpiqemi ta mbrojmë çështjen tonë dhe të jemi kundër atyre që duan ta lënë atë në harresë. Por dua t’u kujtoj të gjithëve se jemi gjallë dhe në këmbë. Do të jemi kundër kujtdo që i hap luftë çështjes çame. Edhe sikur një çam i vetëm të mbetet mbi dhe*, do të vazhdojë të përpiqet për këtë çështje”.
Shohim se shqiptarët e brezit të ri janë të vendosur për të kërkuar llogari për gjenocidin ndaj shqiptarëve çamë në Greqi.
Komuniteti shqiptar që sot në Ballkan ka dy shtete dhe tre kryeministra, ka filluar ta ngrejë zërin për përmasat juridike, politike dhe kulturore të gjenocidit të Çamërisë.
Shqiptarët e Çamërisë dhe shqiptarët e mbarë Ballkanit kërkojnë që ngjarjet e 1944-ës të njihen si gjenocid, kërkojnë lirinë për të vizituar trojet e tyre brenda kufijve të Greqisë si dhe kthimin e të drejtave të pronësisë.

Çfarë ndodhi në Çamëri?
Krahina e Çamërisë fillon nga jugu i Shqipërisë dhe përfshin zonën nga Janina në Prezevë, që sot ndodhet brenda kufijve të Greqisë.
Shqiptarët që jetonin në këtë krahinë që ishte pjesë e Vilajetit të Janinës, deri në vitin 1913 ishin shtetas osmanë.
Në Konferencën e Londrës që u zhvillua në vitin 1913 pas Luftës Ballkanike, Çamëria iu la Greqisë si një krahinë pakice etnike. Sipas numërimit të popullsisë të vitit 1910, në krahinë jetonin tetëdhjetë e tre mijë shqiptarë.
Forcat e komanduara nga gjenerali grek Napoleon Zerva, gjatë Luftës së Dytë Botërore kryen masakra kundër shqiptarëve të Çamërisë.
Gjatë fushatës së spastrimit etnik që zgjati nga qershori 1944 deri në mars 1945, u vranë dy mijë e nëntëqind meshkuj, 214 gra dhe 96 fëmijë, u përdhunuan 745 gra dhe u dogjën pesë mijë e tetëqind shtëpi në 68 fshatra. Veç kësaj, mbi dy mijë të tjerë e humbën jetën nga kushtet e rënda të jetesës dhe shpërngulja.
Hamendjet për numrin e shqiptarëve çamë që jetojnë në Turqi ndryshojnë. Zakonisht përmenden shifra si katërmbëdhjetë mijë, nëntëmbëdhjetë mijë, njëzet mijë dhe njëzet e pesë mijë. Sipas raporteve të shqiptarëve çamë, ky numër është rreth tridhjetë e pesë mijë.
Gjithashtu, sipas burimeve shqiptare, rreth dy mijë e pesëqind refugjatë çamë myslimanë e humbën jetën për shkak të urisë dhe epidemive gjatë shpërnguljes në Shqipëri.
Pasi pjesëtarët e komunitetit çam u vendosën në Shqipëri, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë dhe Partia e Punës e Shqipërisë e drejtuar nga Enver Hoxha, nuk i trajtuan si viktima, por shfaqën një qëndrim tejet mosbesues ndaj tyre dhe ndërmorën arrestime e dëbime.
Shqiptarët çamë u etiketuan si “të prapambetur”, “vrasës të grekëve” dhe “bashkëpunëtorë të pushtuesve”. Duke qenë se elitat çame ishin pronarë të pasur tokash, u përballën me persekutime në Shqipëri me arsyetimin se kishin bashkëpunuar me forcat e Boshtit dhe kishin kryer veprimtari antikomuniste.

Çfarë duan shqiptarët e Çamërisë?
Shqiptarët e Çamërisë duan t’i tregojnë botës për gjenocidin e kryer ndaj tyre si dhe të përballen juridikisht me Greqinë.
Shqiptarët çamë të shpërngulur me dhunë në Shqipëri, menjëherë u organizuan nën kupolën e “Komitetit Antifashist Çam”, dhe u shkruan institucioneve të rëndësishme në botë për t’u treguar tragjedinë e tyre dhe për të kërkuar mbështetje për çështjen e tyre.
Me kalimin e Shqipërisë në sistemin shumëpartiak, në janar të vitit 1991 u themelua “Shoqata Politike Atdhetare e Çamërisë”, nëpërmjet së cilës çamët iu drejtuan institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare dhe u bënë apel OKB-së, SHBA-së dhe BE-së për realizimin e kërkesave të tyre.
Në apelet që u kanë drejtuar institucioneve ndërkombëtare, shqiptarët e Çamërisë kërkojnë që Greqia t’u njohë të drejtat e tyre si pakicë (për shembull, të njëjtat të drejta që i njihen pakicës greke sot në Shqipëri).
Shqiptarët çamë i kërkojnë Greqisë t’u kthejë shtetësinë greke dhe shpresojnë të kthehen në trojet e tyre prej nga u dëbuan në 1944-1945.
Kërkojnë t’u kthehen trojet dhe shtëpitë që u janë marrë gjatë dëbimit të tyre në Shqipëri.
Kërkojnë dëmshpërblim material nga Greqia për dëbimin, gjenocidin dhe dëmtimin e pasurisë së tyre.
Kurse autoritetet greke përgjigjen: “Për ne nuk ka problem çam; ky problem është zgjidhur në vitin 1944”.
Kuvendi Popullor i Shqipërisë, në vitin 1994 e ka shpallur zyrtarisht 27 Qershorin si “Ditën e Gjenocidit kundër Shqiptarëve të Çamërisë”.
Gjatë luftës së 1999-ës në Kosovë, u bë e qartë edhe njëherë se trekëndëshi më i madh i djallit kundër shqiptarëve është aleanca ruso-serbo-greke.
Kundër shqiptarëve ka një bashkëpunim sllavo-ortodoks.
Si pasojë e gjenocideve të ndërmarra kundër shqiptarëve nga Greqia dhe Jugosllavia, sot në katër anët e Turqisë jetojnë miliona shqiptarë.
Në shumë fusha po zhvillohen veprimtari me qëllim që OKB-ja, SHBA-ja, BE-ja dhe institucione të tjera mos t’i mbyllin sytë ndaj padrejtësisë që u është bërë shqiptarëve të Çamërisë, por të bëjnë detyrën që u takon për t’u kthyer atyre të drejtat e rrëmbyera nga Greqia.

Të fundit

më të lexuarat