Shikuar historikisht askush më tepër se ne shqiptarët nuk ka bartur mbi supe politikat e ndarjeve, copëtimeve dhe padrejtësive historike, që na janë bërë dhe ende nuk pushojnë të na bëhen. Armiqtë tanë ende ndjellin kobe me sloganet Lindje-Perëndim, Veri-Jug. E mesme, e madhe e vogël, qytetare-fshatare, krishtere, muslimane…
Qani Osmani
Në vargonin e pashkëputshëm të mendimeve dhe veprimeve tona që bartin premisa negative, ekziston edhe një prirje jonë, e cila duket se dita-ditës dukshëm po fuqizohet me gjithë fatalitetin dëmprurës të saj. Prirjet, qëndrimet dhe ndjenjat lokaliste të një njeriu apo grupi njerëzish të caktuar, janë reflektimet e një shpirtngushtësie për të privilegjuar një hapësirë të ngushtë rajonale e farefisnore të një mjedisi të caktuar. Mjerisht, këto prirje po e përcjellin njeriun e ditëve tona thuajse në çdo sferë të jetës shoqërore dhe politike. Kjo marëzi duket sheshit, ku afrimet dhe rekrutimet lokaliste janë vërsulur sikur atavizma të shpërndarë gati në secilën veprimtari publike.
Mësojmë se termi lokalizëm vjen nga gjuha latine dhe do të thotë: Vend. Në kuptimin e përgjithshëm lokalizmi është përqendrim në nivel lokal, në një krahinë apo rreth të caktuar. Ndërsa, në kuptimin socio-gjeografik termin lokalizëm e përdorim në kontekst për t’iu referuar njësisë territoriale më të vogël përballë rangut më të lartë. Veprimet lokaliste janë qëndrime të ngushta të prezantuara në nivel të gjerë, në tërësinë e përgjithshme kombëtare, kulturore, arsimore e politike.
Prirjet lokaliste për t’u mbyllur vetëm brenda rrethit të krahinës apo rajonit, në të cilin ndodhet edhe vendlindja jonë, është pasqyra më e dukshme e veseve dhe ceneve tona. Kultura jonë kombëtare ende nuk ka arritur të lirohet nga feudet e vockla të bërjes së jetës nëpër rrethe, klane e farefisni. Si duket ende nuk po mundemi të lirohemi nga getoja e rrethit, trupëzimi nga idetë dhe njerëzit e afërt. Sikur nuk po mundemi e nuk po duam të përkrahim para se gjithash kriterin e të merituarit para atij fisnor e gjeografik.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “788” të revistës Koha Javore
