Shqiptarët dhe kriticizmi

Kritika nënkupton shprehjen e një opinioni, qëndrimi ose gjykimi lidhur me një çështje ose fenomen, ndërsa kritiku është një person që mendon vetë, që s’e ka dhënë trurin, mendjen dhe zemrën me qira. Kriticizmi është studim i një subjekti ose teme që ka elemente të interpretimit, vlerësimit e gjykimit të opinioneve dhe elaborimit sistematik. Kriticizmi është ekzaminim dhe kritikim i shoqërisë dhe institucioneve të saj, detektim i problemeve sociale dhe gjenerim i zgjidhjeve të mundshme, për të tejkaluar fenomenin dhe gjendjen turbulente, është analizë dhe kritikë e normave, praktikave dhe çështjeve shoqërore

Qani Osmani

Kriticizmi shoqëror ka qenë prezent ndër shekuj, ka luajtur rol në lëvizje të shumta sociale dhe më gjerë. Profetët e librave të shenjtë kanë qenë kritikët socialë klasikë. Kriticizmi social lidhet edhe me literaturën që adreson çështje të jetës reale, pra me probleme politike, sociale, fetare, ekonomike, ekologjike, juridike e të ngjashme. Mund të shprehet përmes shkrimit, show-ve televizive, fjalimeve, filmave, librave e karikaturave, të cilat përmes animalizimit dhe deformimit të figurave publike shpesh kanë mbetur mes artit dhe kriticizmit social. Kriticizmi social mund marrë edhe formën e padëgjueshmërisë qytetare. Shembuj tipikë janë Gandi, Mandella, kurse ndër ne ai i Ibrahim Rugovës, i cili me stilin e vet të komunikimit dhe dukjes e sfidoi një shtet që dukej i palëkundshëm.

Poltronizmi intelektual
Përkundër shembullit të fundit, mund të thuhet se në shoqërinë tonë, në përgjithësi, në vend të kriticizmit social mbizotëron kultura e poltronizmit ose oportunizmit. Secili mundohet ta ruajë veten, duke u tërhequr në kthinën e vet, në zonën e komfortit, duke shijuar ca “dardha që ia hedh i fuqishmi”. Një fjalor i huaj shumë bukur i ka përshkruar sinonimet e poltronit: demagog, primitiv, kthyesar, dyfytyrësh, politikan, hoshtapler, cirkuzant, profiter, aparatçik, i dëgjueshëm, manipulant, mashtrues, sharlatan, mitoman, degjenerik, mikroborgjez, puthador, endacak etj.. Si mund të pritet progres social ndër ne kur shkollarë, profesorë, “hulumtues” shtyhen për t’u fotografuar me gurunë e politikës, që shkruajnë elozhe për të? A mund të merren model intelektualë që profilet e tyre në rrjetet sociale i kanë bërë tabela apo megafonë të partive të caktuara? Në vend të arritjeve akademike, ata krenohen me përkatësinë e një grupimi ose klani të caktuar qeverisës.
Intelektuali i mirëfilltë vë nën llupë, analizon dhe ngre zërin intelektual kundër “realitetit” dhe karakterit kontrovers të Republikës së Kakotopisë, ku është shuar llamba e qytetërimit, një shoqëri kjo e skizofrenisë kulturore, e antivlerave, që udhëhiqet nga qeveria e “peshkaqenëve dhe ujqërve”, ku defilojnë profetë të rrejshëm, ku të qenët normal është jonormalitet, ku anomalitë e bëjnë njeriun të flasë me vetveten dhe, më në fund, të emigrojë diku larg, në një mjedis racional. Ai duhet të analizojë anatominë e mendësisë fisnore, të xhunglës sociale, të shoqërisë me koeficient të idiotësisë, ku mbizotëron “ideologjia e idiotizmit”, të idiotokracisë, të hapësirës gjithëshqiptare të mbuluar nga retë e zeza të politikës dhe të pseudoakademizmit, që ëndërron një ditë të zëvendësohet nga një shoqëri e virtyteve, që do të qeveriset nga brezi i mendarëve të pavarur, që ua di vlerën gjërave dhe jo çmimin, nga një meritokraci e mirëfilltë. Defetizmi duhet të zëvendësohet me angazhim social, shqyrtim në favor të përparimit të shoqërisë.
Fëmijët, qysh në shkollë, pos respektit, duhet ta mësojnë edhe kulturën e mendimit kritik, të guximit për të folur, për t’i shprehur kërkesat e tyre lirshëm. Arsimi ose edukimi demokratik nënkupton dhënien hapësirë çdokujt, jo imponimin, jo aprovimin e gjithçkaje. Epoka e marrëdhënieve të fuqisë, pushtetit në arsim ka mbaruar. Në veçanti universiteti e ka mision gjenerimin e brezave aktivë, të angazhuar shoqërisht, që vetëvendosin për fatin e tyre. Ne mund të luftojmë atë që e quajmë pushtet simbolik, i cili na bën t’i pranojmë dhe internalizojmë arsyet e qarqeve që dominojnë me ne. Ne mund t’i ikim ligjit të hekurt të determinizmit përmes kritikës sociale, gjithnjë kur shfaqet nevoja, puna e kritikut social është si ajo e kopshtarit, i cili duhet t’i herrë barërat e këqij të lirisë fallco, në mënyrë që të dalin sythat e luleve të lirisë së vërtetë që një ditë do të lulëzojnë.

Votimi kolektiv si kohezion primitiv
Demokracia është një sistem politik i qeverisjes së popullit, i lirisë, i pavarësisë ideore dhe vepruese gjithnjë brenda kornizave ose rregullave të lojës. Është një mënyrë qeverisjeje në të cilën pushteti suprem i është dhënë popullit dhe ushtrohet prej tyre drejtpërdrejt ose tërthorazi nëpërmjet një sistemi përfaqësimi që zakonisht përfshin zgjedhje të lira të mbajtura periodikisht. Sipas Këshillit të Evropës, ideja e demokracisë derivohet nga fuqia e saj morale, e bazuar në dy parime: 1. autonomia individuale; askujt nuk mund t’i imponohen rregulla të shpikura nga tjetri, njerëzit duhet të kenë mundësinë t’i kontrollojnë jetët e tyre, dhe 2. ideja se çdokush ka mundësi për të ndikuar te vendimet që afektojnë popullin dhe shoqërinë. Pra, barazia e të gjithëve (një person një votë) dhe e drejta e çdo individi për autonomi personale. Si qëndron puna jonë, e shqiptarëve, me demokracinë? A është në epiqendër qytetari, individi dhe vullneti i lirë apo ende jemi në fazën e shoqërisë së grigjës, turmës, kopesë? Nëse bëjmë një analizë politologjike të mënyrës së si votohet, në veçanti në zonat rurale dhe periferike, nëpër fshatra, por jo veç atje, konstatojmë se ende jetojmë me legjendën e të parit të familjes, pater familias, të të parit të fisit. Zbërthyer pak më tej, kjo do të thotë se ende për votën e “çdo fryme” të familjes së ngushtë ose të gjerë vendos autoriteti, më plaku, më i këndueshmi/shkollari, plaku i katundit, në disa vende edhe hoxha, “fjala e të cilit nuk guxon të kthehet ose refuzohet”. Prishja e kohezionit primitiv, pra e njëmendësisë së çimentuar, e bën me “njollë”, të përjashtuar të guximshmin që di dhe rezonon, që mendon me kokën e vet, që s’i nënshtrohet monizmit ose monolitizmit familjar-fisnor. Pra, tek ne vihet shenjë e vullneti të njërit me vullnetin e shumë njerëzve, mund të jenë 5 të moshërritur me të drejtë vote, po mund të jenë edhe 120 të fisit, mëhallës ose katundit. Dhe, si rrjedhim, dihet se kjo lagje është me këtë, tjetra me atë, “…ajt” janë me të kuqtë, “…llarët” me të kaltrit, këta në këtë anë të rrugës “me të djathtit”, ata të asaj ane “me të majtit”. Kjo duket edhe nga fenomeni i listave, shifrave ose kalkulimeve paraprake që i kanë kryemilitantët e rrethit, që në detaj “dinë se kush me kë është”, “sa i vota i kanë këtu e sa atje”.
Këtu duhet përmendur edhe dimensionin gjinor. Në një shoqëri patriarkale si e jona, e pranojmë ose jo, gruaja është makinë votimi. Ajo është robot që merr urdhrat nga burri, mashkulli, vëllai, vjehrri. Ajo s’guxon të flasë e të votojë ndryshe se e ka bashkëshort, se, ku i bën të pamet, se vjehrrin e ka babë të burrit që është si në vend të babës e kështu me radhë.

Konkluzion
Gjallëria ose dinamizmi social janë të lidhur ngushtë me mendimin ndryshe, me dallimet ideore dhe kulturën e kritikës. Botëkuptimi autoritar, nga njëra anë, dhe poltronizmi i masave shpie drejt vdekjes klinike të një komuniteti a populli. Intelektualët duhet të jenë të mendimit të lirë, e kriticizmit social, e thyerjes së miteve, të tabuve dhe e reformimit të shoqërisë. Kjo arrihet duke “urdhëruar të mirën dhe duke ndaluar të keqen”, me metoda të ndryshme, pa kompromise kur është në pyetje e vërteta. Për sa i përket relacionit individi-politika, pjekurisë politike dhe demokracisë, mund të thuhet se ende e mbajmë gjallë frymën kolektiviste. Kjo mund të burojë nga kodi kulturor-etnik i kryeparit, nga monizmi që ende nuk është harxhuar tërësisht, ngaqë një pjesë e popullatës e kanë jetuar atë regjim.
Shkurt e shqip, ne ende nuk kemi arritur në stadin e demokracisë së mirëfilltë. Ne jetojmë në si-demokraci ose në pseudo-demokraci. Barra i mbetet brezit të ri, që duhet t’i shfrytëzojë të mirat e kohës, ta selektojë të mirën nga e keqja historike-tradicionale. Kafjalli dhe ngjitja në veturë ditën e zgjedhjeve në asnjë mënyrë nuk duhet të shndërrohen në mini-miting të fundit të partisë. Çdo njeri e bart mbi shpinë barrën e vet. Ai është peng i veprave të veta.

Të fundit

më të lexuarat