Çmimet e karburanteve në Mal të Zi arritën sërish këtë të martë nivel rekord. Nga Ministria e Investimeve Kapitale u njoftua se një litër naftë do të shitet me 1.75 euro, 1 litër benzin i llojit 95 dhe 98 do të shitet me çmimin 1.75, përkatësisht, 1.71 euro për litër, ndërsa këto çmime do të vlejnë deri më 11 prill 2022.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve në Mal të Zi, në rajon dhe më gjerë, ka krijuar vështirësi dhe pakënaqësi të theksuar tek qytetarët, sepse një ngritje e tillë është për ta pothuajse e papërballueshme.
Në lidhje me këtë çështje të prononcuarit për gazetën “Koha Javore” të cilët preferuan të mbesin anonim, shprehen të brengosur nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve, veçanërisht që nga fillimi i konfliktit Rusi-Ukrainë.
Pavarësisht se që të dy bashkëbiseduesit tanë janë të punësuar, madje në ndërmarrje shtetërore, ata prapëseprapë shprehin shqetësim në lidhje me këtë situatë.
“Përderisa të kemi këtë lloj qeverisjeje në Mal të Zi, ky fakt as që na çudit. Normalisht që çmimet janë shumë të larta, e mund të them që vendi ynë i ka ndër më të lartat në rajon. Është një skandal i madh që sigurisht s’do të ketë një fund të mirë”, shprehet njëri nga bashkëbiseduesit.
Ai shton se përdorimin e veturës e ka reduktuar, ndërsa e ngas vetëm atëherë kur nuk ka një zgjidhje të dytë.
“Kur është e nevojshme, njeriu përshtatet me çdo llojë situate, por është fakt se tani po përballemi me vështirësi nga më të ndryshmet, me çmime shumë të larta edhe të atyre produkteve më bazike që i nevojiten njeriut për të mbijetuar, kështu që nuk na jepet mundësi për alternativa”, thekson ai.
Ndërkaq, bashkëbiseduesi tjetër shprehet se ngritja e çmimit të karburanteve, ndikon edhe në shtrenjtimin e shportës mujore të konsumit.
“Çmimet e karburanteve kanë qenë të papërballueshme edhe para ngritjes së fundit për qytetarët me të ardhura mesatare, grup të cilit i takoj edhe unë,”, shprehet ai.
Bashkëbiseduesi ynë thekson se duke pasur parasysh se zyrën e punës e ka mjaft larg nga shtëpia, rrjedhimisht edhe konsumin mujor të naftës e ka më të lartë.
“Në nivel mujor shpenzoj një shumë të konsiderueshme të parave në karburant, prandaj edhe përpiqem që me një rrugë t’i kryej disa obligime, në mënyrë që të reduktoj sa më shumë përdorimin e automjetit. Sa u përket alternativave të tjera për qarkullim, tek ne në periferi të qytetit është shumë e vështirë, sepse transporti urban është i rrallë dhe jo i përpiktë, prandaj nuk mund as të mbështetesh në të”, përfundon ai.
Kjo situatë e pavolitshme, s’do mend se do të ndikojë jashtëzakonisht keq tek të gjithë ne, e sidomos tek të papunët dhe tek ata me të ardhura të ulëta mujore, të cilët ndodhen në vështirësi edhe për të mbijetuar në këtë kohë të inflacionit total.
Për të zgjidhur këtë krizë që na ka kapluar sot e disa muaj më parë, do të ishte e udhës që dikasteret qeveritare të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për të frënuar rritjen e mëtejshme të çmimit të karburanteve, por edhe për të ulur dhe stabilizuar çmimin, në mënyrë që qytetarët të mund t’a përballojnë disesi më lehtë këtë krizë ekonomike.
t. u.
