Shfaqet sot në “idhujtarinë moderne”

Fytyra e vërtetë e ateizmit shfaqet sot në “idhujtarinë moderne”, ku nuk adhurohen më Dielli e Hëna, por tregu dhe shtetarët, makinat dhe teoritë! Kjo frymë, si kurrë më parë, na ka çuar në lindje artificiale dhe në vdekje artificiale, në çerdhe fëmijësh pa prindër dhe në shtëpi pleqësh pa fëmijë!

Hajrudin S. Muja

(vijon nga numri i kaluar)
Shkenca, sado që përparoi, nuk i shpiku mjetet e domosdoshme për jetë. Ajo vetëm i përsosi dhe e lehtësoi mënyrën e jetës. Shkenca nuk arriti të zëvendësojë ushqimin që prodhon toka me ndonjë send tjetër. Dikur ujin e pinin me grushta nga përroskat, sot e pimë me gota qelqi. Dikur ajrin e kishin të nxehtë verës e të ftohtë dimrit. Shkenca arriti ta ftohë ajrin verës e ta nxejë dimrit, por megjithatë uji është ujë e ajri ajër, një i njëjti përgjatë mijëvjeçarëve. Dielli nuk u vendos vetë në vendin e vet, as larg tokës që ta ngrijë dhe as afër që ta djegë. Shtresa mbrojtëse e ozonit që na mbron prej rrezeve të diellit, nuk mund të jetë rastësi! Pat thënë Lordi Kelvin: “Nëse mendoni me sinqeritet shkencat e natyrës, do t’u detyrojnë të besoni në Zotin” dhe Albert Makob: “Hulumtimet e mia shkencore kanë qenë shkak që të thellohet besimi im në Zotin”.
Zhvillimi i shkencës lehtësoi jetën e njeriut në tokë, por i solli edhe fatkeqësi! Zbulimi i atomit dhe copëtimi i bërthamës së tij nuk çoi vetëm në shfrytëzimin human të energjisë atomike, por edhe në shpikjen e bombave shkatërrimtare. Njeriu vërtetë nuk frikësohet sot prej hyjnive apo shpirtërave të panjohur, por nga “hyjnitë” e reja militariste që ka krijuar dija e tij [Latiç:2020, I, f. 66]. Teknologjia i ka dhënë njeriut mundësinë e udhëtimit 25.000 milje në orë; elektronika i ka mundësuar të hyjë në përvoja të ndryshme; edukimi i ka çliruar mendjen nga ndërgjegja; mjekësia e ka çliruar nga sëmundjet; psikiatria dhe kimia e kanë çliruar nga emocionet! Por, njeriu që udhëton 25.000 milje në orë është i dobësuar në nerva; pasuria dhe varfëria – secila në mënyrën e vet e kanë mbyllur brenda; televizori e ka kapur ndjeshmërinë e tij dhe i ka homogjenizuar gjendjen; modat në art i mbërthehen mbi vetëdijen publike – tre milionë njerëz blejnë të njëjtin roman; ilaçet e kanë skllavëruar; luftërat e kanë ngecur; negociatat diplomatike e kanë bllokuar [Hoon:1971, f. 30]! Në fund qëndron vdekja, të cilën mendimtarët e kanë trajtuar si ‘armiku’ ynë i fundit dhe njëra nga përvojat finale me të cilën jemi të detyruar të përballemi. Kjo është barazia më e madhe njerëzore, por meqenëse ende qëndron në kategorinë e të “panjohurës”, duket e frikshme dhe problematike për filozofinë. Albert Kamu (1913-1960) thoshte një herë se “vdekja është problemi i vetëm i filozofisë”, sipas Aldous Hukslej: “e vetmja që nuk kemi pasur sukses ta vulgarizojmë”.
Sherington ka bërë studime neuropsikologjike të trurit bashkë me miliarda qeliza të gjata nervore, secila prej tyre mesatarisht në kontakt me 10.000 qeliza të tjera. Në “Man on his nature” jep një përshkrim piktoresk, duke e parë trurin si: “tezgjah i magjepsur ku miliona anije ndezëse enden në modelin e tretjes gjithnjë me model domethënës përmes nervave të qëndrueshme, në harmoni me nën-modelet” [Sherrington:1955, f. 187]. Duke patur këtë bindje Ajnshtajni po fliste një herë për një gjë që duket dhe për një gjë që nuk duket. Një i pranishëm i tha se mendja jote nuk duhet t’i pranojë gjërat që nuk shihen. Ajnshtajni iu përgjegj: “Ju keni të drejtë, urdhëroni e nxirreni jashtë mendjen tuaj që ta shohim e atëherë të besojmë se keni mend” [Pëpjekja jonë, #21-22, 1998, f. 23]. Shkencëtarët e vërtetë e kanë kuptuar se shenjat më të mëdha për Një Krijues të padukshëm janë pikërisht shenjat e padukshme, të tilla si Ligji i gravitetit dhe forcat e tjera të mëdha të universit sikurse elektromagnetizmi. Pra, nuk mund të ketë një ligj pa një ligjvënës, as një sistem pa një administrues, nuk ka mençuri pa urtësi, dhe nuk ka dituri pa zotërues të diturisë dhe sigurisht nuk mund të ketë krijesë pa një krijues [Brown & Palmer:1987, ff. 4-5].
Me “vrasjen e Zotit”, do të thosha mosnjohjen e Zotit, ateistët mbeten pa arsye për të qenë, pa moral për ta përkrahur, pa domethënie për të jetuar dhe pa shpresa përtej varrit. Ata “mbetën” pa Parajsë për t’u shpërblyer dhe pa Ferr për t’u dënuar, pasi jeta e tyre “përfundon me të rrahurat e fundit të zemrës”, plot frikë por pa shpresa! Është e kuptueshme, pra, përse 100 vite pas Niçes, kjo folozofi e pashpresë i dërgoi dhe i shtyri shumë të rinj të kërkojnë ‘realitete’ të tjera! Ata që nuk patën shpresa për të mbytur dëshpërimin e tyre, iu kthyen drogave e alkoolit, apo eksperimenteve të tjera për të cilat menduan se do të thyejnë mbytjen e kotësisë. U përballën me filozofinë e jetës që nuk iu premtoi asnjë shpresë dhe nuk iu dha asnjë përgjigje. Pasojat e këtyre qenë të trishtueshme, më shumë se 830.000 vdekje vjetore të lidhura me sëmundjet imorale (AIDS), më shumë se 750.000 si pasojë e drogës dhe më shumë se tre milionë si pasojë e alkoolit. Nuk është koincidencë që numri më i madh i vetëvrasjeve ndodh të jenë ateistë dhe agnostikë, njerëzit që nuk ia dinë qëllimin jetës së kësaj bote! Në krye të kësaj liste është edhe Japonia, një vend me një ekonomi të zhvilluar, pa mungesë ushqimi, strehimi e kujdesi mjekësor! Shoqëritë e tilla ‘prodhuan’ më pak martesa, më shumë ndarje, më shumë fëmijë ilegjitimë, më shumë beqarë dhe më shumë homoseksualë!
Fytyrën e vërtetë të ateizmit e ka shprehur më së miri Wuton, kur ka shpjeguar lidhjen ndërmjet ateizmit dhe imoralitetit, një lidhje aq e afërt që kushtëzohej me këdo që mohonte providencën e Perëndisë, se të gjithë këta ishin të pamoralshëm dhe se në raste përgjithësuese: “njerëzit imoralë ishin jobesimtarë” [Wootton:1985, f. 86]. Ateizmi shpesh konsiderohet si kërcënim i individit dhe i shoqërisë, është “një ‘shkencë’ e divorcuar nga urtësia dhe frika e Zotit” – thotë një filozof se: “është fjala që ka ndikuar më së shumti në djallëzitë më të shëmtuara të luftërave moderne’ [Taylor:1947, ff. 158-159]. Duke shpërthyer si një trajtë e doktrinës filozofike, pretendonte se kishte për qëllim mbrojtjen e lirive dhe zhdukjen e zullumeve barbare, por në të vërtetë e zhyti njerëzimin në barbari më të mëdha.
Njeriu “pa Zot” ka humbur vendin qendror, duke u kthyer në një mjet për arritjen e qëllimeve ekonomike dhe ndodhet në gjendje tëhuajësimi, e ka humbur lidhjen konkrete me natyrën dhe me kuptimin e jetës [Fromm:1955, f. 267], sepse është pikërisht aftësia e kuptueshmërisë [e jetës]ajo që e ndanë nga kafsha. Lidhja logjike ndërmjet arsyes, shkencës dhe progresit është zëvendësuar me ndjenjën e frikës kundrejt karakterit shkatërrues të shkencës që ka prodhuar Hiroshimën dhe Nagasakin [Davutogllu:2009, f. 59]. Fytyra e vërtetë e ateizmit shfaqet sot në “idhujtarinë moderne”, ku nuk adhurohen më Dielli e Hëna, por tregu dhe shtetarët, makinat dhe teoritë! Kjo frymë, si kurrë më parë, na ka çuar në lindje artificiale dhe në vdekje artificiale, në çerdhe fëmijësh pa prindër dhe në shtëpi pleqësh pa fëmijë! Në një mjedis ku gjithçka përfundon “me vdekjen tënde”, nuk kemi pse habitemi kur të mirën ta kthejnë me të keqe dhe kur prindërit lihen në mëshirën e fatit!
David Hjum që ishte i ashpër kundër fesë, refuzonte të quhej një ateist [Matefijt:1968, f. 35], kurse Volteri – skeptiku që fitoi famën kundër fesë, nuk mundi të mos e pohonte se “ateisti do të bënte çdo gjë të keqe, po ta dinte se e keqja e tij nuk do ta gjejë dënimin” [Murray:1966, ff. 11-12]. Secili njeri i shëndetshëm mendërisht – thotë një psikolog: “kërkon marrëdhënie të mira me veten, me të tjerët dhe me Zotin”, përndryshe “vendosni mjeshtërisht të gjithë ateistët në klasën e të sëmurëve mendorë” – shkruan Tomas Szasz [Szasz:1970. f. 36]. Në të njëjtin vend do t’i vendoste edhe Tolstoi kur tha: “Po të mos ishte Zoti dhe jeta e amshueshme, gjithësia do të merrte formën çrregulluese të një kaosi… po të pranojmë Zotin dhe jetën e amshueshme, jeta vetvetiu bëhet një e mirë, një virtyt e një lumturi”. E tillë ishte edhe shtylla e filozofisë klasike evropiane Ernest Renan, e cila përkundër ateizmit preferonte fenë: “Nuk do të zhduket ideja e fesë, ajo do të jetë e përjetshme dhe doktrina e materializmit do të perëndojë para shkëlqimit të saj”.
I sëmuri nuk shkon të lutet para altarit para se të pijë ilaçet, por edhe vetë ilaçi vjen prej një bime mjekuese që është një krijesë e Zotit dhe që rritet në të njëjtin vend dhe ku rritet edhe bima helmuese! Gjarpri që helmin e mban në trupin e vet i shkakton vdekjen një trupi tjetër! A nuk janë këto një dëshmi e mjaftueshme për të zotët e mendjes?! Kot nuk thoshte Dekarti se: “Dituria e cekët e largon njeriun nga besimi, kurse dituria e thellë e kthen atë në besim”.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat