Shenjë e mirënjohjes për heroin kombëtar

Ceremonia dhe festivali u organizuan nga aktivisti dhe politikani shqiptaro-amerikani, Mark Gjonaj, sponsorizuar nga shoqata bamirëse shqiptaro-amerikane, “Duart e Hapura” dhe dyzina organizatash dhe grupesh përfaqësuese të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe më gjerë.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu “erdhi” në Amerikën e bekuar ashtu siç kemi ardhur qindra mijëra prej nesh nga të gjitha trojet shqiptare – sikur edhe ai dëshiron të kërkojë dhe të gjejë strehim e paqe në ketë vend të lirisë e demokracisë.
Respekti dhe kujtesa në radhët e diasporës shqiptare për Heroin e Kombit, Gjergj Kastriotin-Skënderbe kanë qenë dhe mbeten të përgjithmonshme, të gjithkund ndodhur dhe shpresojmë, për derisa të jetë bota.
Ende disa anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan kujtojnë pjesëmarrjen e tyre në 500-vjetorin e Skënderbeut në Romë e Vatikan në vitin 1968, ku ishin bashkuar shqiptarë nga të gjitha anët e botës, përfshirë Arbëreshët e Italisë, ashtu siç janë edhe sot të pranishëm këtu, për të kujtuar dhe për të nderuar “të përgjithmonshmin” e fisit tonë — para shtatores së tij Romë. “Të përgjithmonshëm” e pat cilësuar Gjergj Kastriotin-Skënderbe, Papa i atëhershëm Pali i VI, duke iu drejtuar shqiptarëve të diasporës, përfaqësuesve të tri feve kryesore të shqiptarëve dhe të gjitha krahinave shqiptare në Vatikan, në 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, para më shumë se një gjysmë shekulli më parë.
Papa Pali i VI u ka thënë me atë rast shqiptarëve që kishin shkuar në Romë, për të nderuar Heroin e tyre, se, “Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrnisë”.

Fatosi ynë, Skënderbeu personifikon dhe na i ka lenë trashëgimi këto vlera kombëtare, së bashku me miqësinë ndaj Shqipërisë dhe Shqiptarëve në përgjithësi, e sidomos me miqësinë e Kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por edhe me botën perëndimore, në përgjithësi.
Në shenjë mirënjohjeje për trashëgiminë e virtyteve të Heroit Kombëtar që e bëjnë shqiptarin shqiptar dhe për porosinë e shenjtë të të parëve tanë, për të ruajtur atë trashëgimi, madje edhe në diasporë, këtu në Amerikën e largët, bijtë e bijat, nipat, stërnipat dhe mbesat e atyre shqiptarëve dhe shumë të tjerë nga të gjitha fetë dhe krahinat shqiptare, janë mbledhur sot në Bronks të Nju Jorkut. Këtu, ku pothuaj të gjithë ne — për herë të parë — kemi shkelur në tokën e shenjtë të Amerikës, Jemi këtu për të emëruar një rrugë me emrin e Heroit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit-Skënderbe.
Ndërkohë që edhe sot po kërcënohet drejtimi pro-perëndimor i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve, duhet të sjellim në kujtesë dhe të falënderojmë Zotin që Kombi shqiptar ka kolosë të tillë si Skënderbeu me trashëgiminë e tij në historinë e shqiptarëve — me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të krenohet para botës së qytetëruar — kudo që gjendet fisi i shqiptarit, në trojet shqiptare shekullore e deri në Amerikën e largët. Edhe prej këtu në Amerikë, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu edhe sot u tregon Shqiptarëve rrugën që ata duhet të ndjekin.
Shpresoj që Shqiptarët kudo qofshin do të ndjekin rrugën e tij Gjergj Kastriotit duke vendosur mbi çdo interes personal ose partiak vlerat e trashëguara të Gjergj Kastriotit-Skënderbe: të Besës, të Nderit e të Burrërisë. Ky emër këtu në këtë rrugë do na kujtojë përgjithmonë flijimet dhe sakrificat e mëdha që Shqiptarët e kohës së Gjergj Kastriotit benë për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e vet, por duke mbrojtur, njëkohësisht, edhe identitetin kombëtar dhe qytetërimin perëndimor evropian.

Të fundit

më të lexuarat