
Pas dështimit të planeve pushtuese milloshevijane, pikësynimi i të cilave ishte zgjerimi i Serbisë në tokat e të tjerëve, askujt nuk i shkonte mendja se ajo, 23 vite më vonë, do të marrë sërish guximin t’u kanoset me luftë të re popujve ndaj të cilëve ushtroi gjenocide të papara në kontinentin evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndër ata që përjetuan masakrat e paramilitarëve dhe çetnikëve të pashpirtë të kasapit serb, ishte dhe popullata e pafajshme shqiptare (pleqtë, gratë dhe fëmijët). Vetëm gjatë viteve 1998-1999 u masakruan 1.380 fëmijë, u dhunuan mbi 20.000 gra dhe vajza shqiptare, u vranë mbi 15.000 civilë, u dëbuan dhunshëm nga Kosova mbi 850.000 njerëz dhe u rrënuan deri në themel mijëra shtëpi dhe vendbanime shqiptare për të cilat Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por vazhdon t’i mohojë paturpësisht masakrat monstruoze, si ajo e Reçakut ku më 15 janar të vitit 1999, u vranë 45 qytetarë të paarmatosur shqiptarë. Për çudi, mohuesit më të zëshëm të krimeve të mësipërme nuk janë serbët e thjeshtë, po prijësit e tyre si Vuçiqi dhe të ngjashmit me të, që përpiqen me kot ta shtrembërojnë të vërtetën e parë nga sytë e gjithë botës së qytetëruar, e cila këto skena krimi i sheh aktualisht në Ukrainën e sulmuar pa asnjë shkas nga padroni i presidentit serb.
Fatkeqësisht Vuçiqi, Daçiqi, Vulini…, që mbinë nga nënsjetullat e Millosheviqit dhe u frymëzuan nga të bëmat e tij gjakatare, iu futën militarizimit të sërishëm të popullatës serbe nëpërmjet ringjalljes së mitit dhe gënjeshtrave mbi Kosovën djep i Sërbisë. Armët që shfrytëzuan për ta arritur këtë qenë mediat e verdha dhe opinionistët me mendësi çetnike, që nuk e ndërprenë kurrë përsëritjen e gënjeshtrave gjersa i kthyen ato në të vërteta të padiskutueshme, si në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Kjo ua mundësoi marrjen e pushtetit, tebdilosjen në viktima të luftërave në të cilat patën rolin e xhelatit, forcimin e vasalitetit të skajshëm ndaj Rusisë së Putinit dhe rikthimin e Sërbisë në shtet autokrat të pispillosur me pupla demokratike. Gjatë tërë kësaj kohe parësia serbe ia doli të qëndrojë e ulur në dy karriga – në atë të aleatëve të vërtetë – Rusisë dhe Kinës, të cilët e kanë pajisur me armët më të sofistikuara sulmuese, dhe në karrigen e shteteve evropiane, të cilat e kanë llastuar dhe ndihmuar më shumë se të gjitha shtetet ballkanike të persekutuara prej saj. Këtë lloj llastimi ia bëjnë edhe aktualisht, paçka se shteti serb është i vetmi në Evropë që përkrah me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme pushtimin brutal të Ukrainës nga Rusia, paçka se Serbia e ka vënë sërish nën rrethim Kosovën duke pritur urdhërin rus për destabilizimin e sërishëm të Ballkanit.
Serbët ditë më parë në Veri të Mitrovicës kanë protestuar për të kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe kanë marrë një hap agresiv, duke paralajmëruar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, ndërsa policët serbë në Veri i zhveshën uniformat si shenjë mosbindjeje ndaj autoriteteve të Republikës së Kosovës. Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriq i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Por pyetja që shtrohet është se çfarë në të vërtetë duan serbët në Veri të Kosovës? Qëllimi i tyre është që të jenë çdoherë vegël që do të përdoret nga politika e Beogradit, për të qenë atraktivë në “pazarin” e negociatave Kosovë – Serbi. Kjo dukuri duke luajtur si “kukull e kontrolluar”, ka bërë që serbët të mos e dinë se çfarë në të vërtetë po duan! Integrimi në Republikën e Kosovës është proces që duhet të ndodhë pas dy dekadave të largimit të forcave serbe nga ky vend. Kjo vështirë është e mundur kur Beogradi i fryn zjarrit duke iu dhënë urdhra këtyre serbëve se si të sillen e çfarë të veprojnë. Të jetosh në Mitrovicë e të drejtosh makinat me targa të Serbisë, është absurdi më i madh që ndodh! Kjo i bie që kjo popullatë po kërkon që Mitrovica të jetë Serbi, ani pse gjendet në hartën dhe kufijtë e Kosovës.
Përpjekjet për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës me të ashtuquajturin plani “franko – gjerman”, ka tërbuar politikanët serbë në Beograd. Ata për dekada të tëra kanë gënjyer dhe manipuluar popullatën serbe duke thënë se Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran dhe se po punojnë për mbrojtje të vazhdueshme të interesave të serbëve në Kosovë. Por duke parë ndryshimet e fundit në skenën politike rajonale dhe botërore, politikanët serbë e dinë se të ulesh në dy karrige është e vështirë dhe nuk mund të jesh edhe aleat i Rusisë dhe aleat i Brukselit. Prandaj, ose duhet të pranohet realiteti e të zgjohesh nga gjumi, ose vazhdon të gënjesh të gjithë e nuk e kupton se ke filluar t’i besosh gënjeshtrës tënde. Kjo po ndodh pikërisht me serbët, të cilët duke gënjyer gjithë botën, kanë filluar t’i besojnë gënjeshtrës së tyre e në fund dalin të çmendur nga e vërteta.
Kosova e dalë nga masakrat, torturat dhe lufta e drejtë për liri, sot është shtet i pavarur dhe sovran. Këtë e di çdokush, por jo të gjithë e pranojnë për shkak të interesave të ndryshme. Tani radhën e ka që vetë Serbia ta pranojë këtë realitet dhe të ballafaqohet me gënjeshtrat e veta. Kjo i ka tërbuar politikanët serbë që përdorin “mish për top” serbët lokalë, një pjesë e tyre të inkriminuar nga paratë që marrin në dy çezma edhe atë të Prishtinës, por edhe atë të Beogradit.
Nëse nuk ndalohet tërbimi i politikanëve, atëherë dëmi do të jetë shumë i madh dhe atij tymi nën prush mund t’i dalë shpejt flaka e të përvëlojë të gjitha shtetet përreth. Jo rastësisht Ballkani është “mjaltë dhe gjak” dhe rreziku gjithmonë është i pranishëm.
Të gjithë ata që thonë se s’ka rrezik në Ballkan janë në gabim. Rreziku është gjithmonë aty, varet sa dhe si do të dinë ta menaxhojnë politikanët e ndërgjegjshëm. Por rreziku më i madh është nga politikanët populistë, të cilët për hesapet e veta elektorale harrojnë se me një fije shkrepëse e djegin gjithë Ballkanin. Andaj duhet mençuri, zgjuarsi dhe lënie pas të të gjitha interesave të ngushta partiake, me të vetmin qëllim të shmanget dhuna e të gjendet zgjidhja paqësore.
Në të kundërtën, Ballkani ka efekt domino! Nëse serbët tani heqin uniformat e Policisë së Kosovës, nesër i heqin uniformat policët shqiptarë në Serbi. Zinxhiri mund të vazhdojë edhe në Bosnjë e Hercegovinë, edhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Mal të Zi! Kjo kurrsesi nuk guxon të ndodhë, sepse çdo veprim ka kundërveprim dhe maturia është që paqes t’i kontribuojnë të gjithë. Ballkani gjithmonë ka qenë i larë me gjak dhe kujtimet ende janë të freskëta se çfarë ndodhi në dy dekadat e fundit, prandaj paqes duhet t’i kontribuojmë më shumë.
Qytetarët duhet të mendohen dy herë kur vjen momenti se kë duhet të votojnë. Një politikan që rrah gjoks vetëm për zgjedhje është njëjtë si një “patriot me bateri”, që kur e lëshon energjia e votave mundohet të karikohet me gjakun e të rinjve. Faktori ndërkombëtar nuk duhet të lejojë një Ukrainë të dytë në Ballkan, prandaj gjithsecili duhet të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme, sepse zhvillimet e fundit vënë në rrezik vitet e punës së palodhur të gjeneratave të tëra për shtet të denjë e të pavarur në arenën ndërkombëtare. Kjo arrihet vetëm duke i prirë dialogut dhe në asnjë mënyrë trazirave.
