
(vijon nga numri i kaluar)
Idrit Idrizi, Jonila Godole dhe Fatmiroshe Xhemalaj kanë botuar librin “Komunizmi përmes dokumenteve arkivore” [Tiranë 2018]. Ata kanë botuar disa dokumente përmes të cilave shihen qartë tiparet karakteristike të regjimit totalitar, i cili synonte të depërtonte dhe të kontrollonte sferat më intime të jetës së përditshme dhe personale të njerëzve, deri te marrëdhëniet bashkëshortore dhe planifikimin familjar. Për këtë qëllim ushtrohej një presion i fuqishëm ndaj çdo kolektivi dhe individi, duke i bërë përgjegjës jo vetëm për sjelljet e tyre personale, por edhe për sjelljet e atyre që i rrethonin (f. 30). Dokumentet e datuara më 28.4.1978, 13.8.1980 dhe 27.12.1980, na tregojnë përpjekjen e madhe dhe nevojën për sa më shumë informacione, për ta kontrolluar shoqërinë në mënyrë totalitare. Përveç përgjimeve të Sigurimit dhe raporteve të organizatave të masave, Komitetit të Partisë në rrethe e institucione të ndryshme, përdoreshin si kanal i rëndësishëm informimi edhe letrat denoncuese e sinjalizuese. Dokumentet e tilla janë dëshmi e përhapjes së fenomenit shoqëror të denoncimit e përgjimit, duke pasur gjithnjë parasysh se ato përmbanin shumë shpifje.
Mund të duket e pabesueshme, por sipas CIA-s në vitet e ‘50-ta, Sigurimi i Shtetit kishte një organizim spiunazhi prej më shumë se dhjetë mijë spiunësh [Sot, 30.9.2017]. Disa prej tyre si langonj i dërgonin në diasporë si “mësues” e nëpër konsullata për të ndjekur atdhetarët më të dëshmuar të kombit. Kriminelët e pangopur me viktimat e veta, që kalojnë shifrën e 45.000 shqiptarëve të vrarë, të mbytur në hetuesi, të zhdukur në kampe shfarosjeje, sot kapërdisen të lirë në Evropë, Amerikë e gjetkë dhe na japin leksione për “patriotizmin” dhe demokracinë, duke mbajtur ende dekorata të shëmtuara të veprimeve të tyre të spiunazhit, si rrjedhojë e së cilës, sipas disa vlerësimeve rreth 6.000 njerëz që u vranë ose vdiqën në paraburgim shtetëror midis 1944 dhe 1991, nuk kanë as varreza [Balkan Insight, 17.3.2021]. Edhe sot, pas tri dekadash familjet e tyre janë ende në pritje të mësojnë se si, ku dhe pse u vranë familjarët e tyre.
Një grup i caktuar i OKB-së që vizitoi Shqipërinë në dhjetor të vitit 2016, publikoi një raport kritik në vitin pasues, duke konstatuar se “Shqipëria nuk është përballur ende në mënyrë adekuate me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera midis viteve 1944 dhe 1991”.
Në maj të vitit 2018, Komiteti i OKB-së për “zhdukjet e detyrueshme” inkurajoi Shqipërinë të “dyfishojë përpjekjet e saj për të hedhur dritë në mënyrë efektive mbi zhdukjet me forcë që ndodhen gjatë regjimit komunist”. Shqipëria duhet t’i hetojë këto krime, t’i ndjekë penalisht përgjegjësit dhe të sigurojë dëmshpërblime për viktimat dhe familjet e tyre – tha Komiteti. [Balkan Insight, 17.3.2021]. E megjithatë, nga viti 1991, qasja e të gjitha qeverive, socialiste dhe demokratike është “kalibruar për të mos irrituar gardën e vjetër”, tha një diplomat që ndoqi këtë çështje.
Sot, pas tri dekadash pyetja ende mbetet pa përgjigje: “Kush dhe ku janë autorët e krimeve të komunizmit?” [Tema, 4.7.2008]. Sa puna është bërë për të nxjerrë në dritë eksponentë të diktaturës, histori të qena e të paqena, për të mbajtur në këmbë regjimin e së shkuarës, të ngjashëm me pushtetin e sotëm! Pak është folur për klasën e përmbysur, më pak për krimet, akoma më pak për kampet e internimit, aspak për krimet e diktaturës. Duket sikur institucionet mediatike kanë bartur mëkatin e së shkuarës, sepse janë po ata që bënë propagandë 45 vjet për diktaturën që e kontrollonin këto institucione, janë po ato që morën në dorë “demokracinë e fjalës së lirë” duke qenë censorët e saj! Nuk besoj të ketë shqiptar që nuk e ka kuptuar se këtë ‘bylmet’ të prishur që hamë sot e kemi dhuratë prej atyre që deri dje ishin ministra të diktaturës, sekretarë partie, rinie, drejtues të Sigurimit, hetues, gjyqtarë, djem e vajza biologjikë të vrastarëve të shqiptarëve pa faj!
Kanë kaluar tri dekada pas rënies së diktaturës 41-vjeçare të Enver Hoxhës, ndërkohë që sekretet e saj vazhdojnë ende të helmojnë politikën shqiptare. Shumë njerëz në Shqipëri shpresojnë se hapja e Arkivit të madh të dosjeve të fshehta të Sigurimit do të shërbejë si një kapitull i ri për shërimin e plagëve që la komunizmi [VOA, 29.3.2017]. Gjatë gjithë kësaj kohe, shumë njerëz kanë shpresuar dhe janë përpjekur të mësojnë për fatin e djalit, vajzës, nënës, babait, të burrit, gruas, që janë dënuar e vrarë gabimisht shumë vite më parë. Thuhet se “Sigurimi i Shtetit kishte mbi 120 mijë informatorë, dhe duke gjykuar që çdo informator kishte një dosje, do të mendonim se kishte rreth 120 mijë dosje” [Panorama, 3.9.2012]. Mirëpo brenda asaj që quhej “proces normal asgjësimi”, në shumë raste asgjësoheshin “pasi mbaronte aktiviteti i informatorit”, mund të ishte pas 10, 20 ose 25 vjetësh.
Në librin “Mëkatarët” jepet shifra e 400 mijë dosjeve të spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të shtetit komunist, ndërmjet viteve 1944 dhe 1991. Megjithëse duket numër mjaft i madh, ka një besueshmëri jo të vogël. Autori Nazif Bezhani ka grumbulluar mjaft informata gjatë qëndrimit të tij dhjetëvjeçar në krye të Komisionit për Kontrollin e Figurave të Larta të Zyrtarëve. Për 32 vitet e politikës shqiptare këto 400 mijë dosje u qëndrojnë “të varura në qafë” spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të shtetit komunist, që si gurë të rëndë kërkojnë të mbysin pluralizmin e demokracinë sa herë që ata kërkojnë të “notojnë” në ujërat e Evropës Perëndimore e demokratike.
Gjyshi i Gentiana Sulës (e ngarkuar me hapjen e arkivave) ka vdekur në burgjet e diktaturës. Ajo thotë se arkivat përmbajnë sekrete të dhimbshme për shumë shqiptarë: “Shqipëria është një nga vendet e fundit të Evropës Lindore dhe Qendrore që ka vendosur t’i japë publikut të drejtën për të pasur qasje në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, që është edhe policia politike. Në Shqipëri procesi është kompleks dhe do të thoja masiv. Në kuptimin e përmasës së përndjekjes shifrat janë të mëdha dhe kohëzgjatja e përndjekjes është shumë e madhe, veçanërisht kjo e dyta dallon nga vendet e tjera.” [BBC, 31.1.2017].
Në vitet e para të pluralizmit e demokracisë ishin pikërisht këta spiunë të cilët u rreshtuan krah “britmaxhive” ku bërtitej: “liri demokraci”, “poshtë komunizmi” etj. Ata mundën të kapin pozita në PD dhe PS deri në Parlament, prandaj çdo nismë për “hapjen e dosjeve” dështoi. Ka mundësi që shumë prej këtyre dosjeve të jenë asgjësuar, sepse “kanë lidhje me politikanët e sotëm” [Panorama, 3.9.2012]. Shtatë deputetë të Parlamentit dhe disa anëtarë të Këshillit të Ministrave, më 2006 ishin prej ish-funksionarëve të “drejtësisë komuniste” [Mapo, 13.7.2013], të atyre që kishin dosje. Nëse merrej vendimi për hapjen e tyre, këta funksionarë që atëherë ishin në ministri do të ishin të detyruar të largoheshin nga funksionet që mbanin [Shqip, 14.10.2006]. (vijon)
