Piro Ahmetaj
Së pari, përgjatë gjashtë muajve nga ofensiva ushtarake, në mënyrë konstante jam rreshtuar në llogoret e strategëve racionalë (optimistëve), duke përsëritur gjithnjë edhe me fort se Rusia jo vetëm do ta humbasë me turp luftën për pushtimin e një vendi sovran dhe kombi martirësh (Ukrainën), por edhe do të diskreditohet në përballjen me vlerat demokratike, fuqinë ushtarake dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (SHBA/NATO/BE).
Fatmirësisht, megjithë makijazhin e sforcuar të sozive të Putinit dhe bolshevikëve mendjendryshkur, rrokullima ka filluar pasi, përpos të tjerash, 10 vjet luftë në Afganistan (1979-1989) na kanë mësuar se sa më shumë zgjat lufta, aq më e sigurt është humbja që e pret Moskën në këtë ndërmarrje barbare.
Së dyti, nuk e kam menduar dhe sigurisht as nuk e kam thënë kurrë që Rusia nuk ka kapacitete dhe aftësi ushtarake për të ndërmarrë një aventurë neonaziste dhe për të fituar disa objektiva lokale, siç ka avancuar në këto 6 muaj në Donjeck, Luhansk, Zaporozhia apo edhe për të sprovuar rendin dhe kohezionin e arkitekturës së sigurisë globale.
Në të kundërtën, referuar indeksit të instituteve globale të sigurisë, Rusia renditet e dyta në botë për fuqinë ushtarake (pas SHBA-së), edhe pse shpenzimet për mbrojtjen me rreth 50 miliardë dollarë në vit janë një shifër ose e barabartë ose me e ulët se ato e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Turqisë etj.
Gjithsesi, bëjmë mirë ta përsërisim për ekspertët si dhe për opinionin publik se shpenzimet vjetore të mbrojtjes së Rusisë, nuk kanë as të krahasuar me SHBA-në. Sipas të njëjtave referenca, SHBA-ja shpenzon 740 miliardë dollarë në vit për mbrojtjen, pra 15 herë më shumë se Rusia si dhe dy herë më shumë se 31 vendet e tjera të NATO-s, përfshirë edhe dy vendet nordike, Finlandën dhe Suedinë.
Së treti, po ashtu duhet qartësuar se listimi në vendin e dytë në botë për kapacitetet dhe aftësitë ushtarake është vetëm për shkak të inventarit të fuqisë bërthamore me 5.977 njësi që zotëron Rusia, kundrejt 5.428 që zotëron SHBA-ja; 350 Kina; 290 Franca; 225 Britania et., me të cilat sigurisht Rusia mundet “t’i bëjë edhe gjëmën qytetërimit nëse do të degradojë të damkoset si komb terrorist”.
Gjithsesi, e parë edhe me “sytë” e kolegëve në Uashington, Bruksel, Londër etj, vazhdojmë ende të besojmë fort që lufta në Ukrainë është fillimi i fundit i regjimit të Putinit. Kështu, edhe “lufta bërthamore”, ose me gjuhën e popullit “dita e kiametit” nuk ka për të ndodhur, pasi në këtë rast jo vetëm Rusia do të damkosej përjetësisht, por edhe putinistët do të ndëshkoheshin ashtu si nazistët “për krime kundër njerëzimit” duke marrë shpagimin e merituar nga institucionet e botës së qytetëruar.
Së katërti, duke e ndërlidhur luftën me peshën e fuqisë ekonomike, do të shtoja se ndërsa lufta është një ndërmarrje ekstreme, ajo po e rrokullis drejt një kolapsi ekonomik të paevitueshëm Rusinë.
Nga ana tjetër, ekonomia ka pasur dhe do të mbajë peshën përcaktuese edhe në humbjen e luftës në Ukrainë. Për ta ilustruar këtë ndërlidhje mes ekonomisë dhe fateve të luftës, mjafton të analizojmë shifrat e marra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe pse, siç e përmendëm, mbetet e dyta në botë për indeksin e fuqisë ushtarake, FMN-ja ka parashikuar për të arritur Prodhimin e Përgjithshëm Neto, ose PPN-në për 2022 – 1.8 trilionë dollarë, duke e renditur Rusinë të 11-ën për fuqinë dhe për influencën ekonomike në botë. Ndërsa, kjo shifër e ilustruar në tabelën përmbledhëse ka parashikuar PPN-në globale deri 100 trilionë dollarë për 2022, të ndarë sipas vendeve me peshën, fuqinë dhe rrjedhimisht influencën më të madhe ekonomike në botë. Rusia (1.8), pra, 15 herë më pak se SHBA (25.3); 11 herë më pak se Kina (19.9); trI herë më pak se Japonia (4.9) apo Gjermania (4.3); rreth dy herë më pak se Britania e Madhe (3.4), më pak se Italia (2.1); e barabartë me Korenë e Jugut (1.8) dhe pothuaj vetëm dy herë më shumë se Polonia (0.8), etj.
Historia e njerëzimit na ka dëshmuar se fuqia ekonomike prevalon mbi fuqinë ushtarake në humbjen apo fitoren e luftrave, për rrjedhojë edhe në influencën gjeopolitike.
Prandaj Rusia e renditur e 11-ta në botë, me peshë të papërfillshme (më pak se dy përqind të PPN-së globale) mbetet shumë larg me mundësitë për t’u përballuar me një luftë të gjatë në Ukrainë dhe kështu shumë përtej ambicieve për të rikthyer lavdinë e superfuqisë gjeopolitike në botë.
Në shtesë, nëse (pa)fuqinë ekonomike të Rusisë e çmojmë të përkeqësuar me barrën e rëndë të luftës në Ukrainë, e cila në shifrat më të ulta i kushton buxhetit të Moskës 10 miliardë dollarë në ditë. E thënë më thjesht, vetëm pesë ditë luftë është kosto e barabartë me buxhetin vjetor të mbrojtjes, ose 50 miliardë dollarë.
Edhe më qartë, pas 24 shkurtit 2022, pra gjithsej në 170 ditë luftë rraskapitëse në Ukrainë, Rusia ka shpenzuar sa të gjitha të ardhurat vjetore, ose siç e përmendëm të gjithë PPN-në e parashikuar nga FMN për vitin 2022.
Barrë shumë e rëndë dhe përgjegjësi historike jo vetëm për fundin kriminal të perandorisë putiniste. Ndërsa mbetet pikëpyetja kritike për ardhmërinë e Rusisë: Edhe sa do zgjasë lufta ndërsa fundi saj i turpshëm është i pashmangshëm dhe kolapsi ekonomik është te pragu i derës?
Së pesti, koncepti i Klauzevic: “Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera”, mbetet si ilustrim aktual jo i vazhdimit, por i fundit të turpshëm të politikës së Putinit.
Ndërsa popullit rus do t’i duhen më shumë se disa dekada, ndoshta një gjeneratë të tejkalojë pasojat tragjike të marrëzisë së regjimit të Putinit jo vetëm në Ukrainë.
Thënë këto, shpresoj që fundi i kësaj aventure në kohë moderne (riciklimi i frikshëm i opsionit të luftës neonaziste), do të shërbejë si një këmbanë përgjegjësie për elitat, historinë e lavdishme kombëtare, gjeneratën e re jo vetëm të Rusisë.
Së fundmi, me statusin e ekspertit në peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të sigurisë kombëtare, rajonale dhe NATO-s, do t’i këshilloja faktorët shtetërorë dhe politikë (sigurisht nuk e kam fjalën për shtetarë të punësuar dhe as dëshmorë kamikazë; as për donkishotë vulëhumbur dhe as për sekserët e bravave të pushtetit) të Tiranës zyrtare që humbja e luftës dhe kolapsi ekonomik i Rusisë, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në rajon, është një rrethanë e artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të Shqipërisë në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha me SHBA-në, OKB-në, NATO-n, BE-në, si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëkombëtare në rajon, Mesdhe etj.
Zoti e bekoftë paqen jo vetëm në Ukrainë, fuqinë ushtarake dhe aleancën e vlerave transatlantike si dhe interesat gjeopolitike të Shqipërisë.
