Rinia intelektuale që tashmë nuk ishte e pakët, të cilët studimet i kishin kryer apo studionin në Universitetin e Prishtinës dhe në qendrat e tjera të arsimit në Kosovë, kishin sjellë në Krajë një frymë tjetër, frymë të re, frymën kombëtare. Tashti edhe vajzat në qëndisjet e tyre për pajën e nusërisë e qëndisnin flamurin kombëtar dhe e vendosnin në kornizë. Pa dyshim që kjo ishte një kthesë e rëndësishme në vetëdijesimin kombëtar të popullatës
Ali Gjeçbritaj
Flamuri shqiptar ruan identitetin kombëtar kudo që jetojnë shqiptarët. Ky flamur ka mbajtur gjallë qenien tonë ndër shkuj duke u rezistuar pushtuesve, sidomos gjatë shekullit XX.
Flamuri është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit.
Përdorimi i flamurit kombëtar në ish-Jugosllavi ndryshonte varësisht nga klima politike: herë lejohej përdorimi e herë ndalohej, si i tekej pushtetit komunist.
Shqiptarëve në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, pas rënies së Aleksandër Rankoviqit, iu lejua përdorimi i flamurit kombëtar, kuptohet së bashku me flamurin shtetëror dhe flamujt e republikave (Serbi, Maqedoni, Mal i Zi). Shqiptarët në Malin e Zi edhe pse në aspektin administrativ iu ”bindën” flamurit shtetëror dhe republikan, identitetin e vet e shprehën përmes flamurit kombëtar. Për të dëshmuar besnikërinë ndaj identitetit kombëtar dhe çështjes shqiptare, shqiptarët gjithmonë e kanë mbajtur në zemër flamurin kuq e zi.
Objekt i këtij shkrimi është përdorimi i flamurit kombëtar në Krajë. Kur u mor vendimi nga Lidhja Socialiste e Popullit Punues që të përdoret flamuri shqiptar? Për sa kohë u përdor ai në kohën e njëmendësisë komuniste? Kur filloi në nënqiellin e Rumisë të festohet Dita e Flamurit në mënyrë të organizuar? etj.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “792” të revistës Koha Javore
