
Në mungesë të ushqimit, ujit, veshëmbathjes dhe sendeve elementare për mbijetesë, luftëtarët e Hamasit po rezistojnë sulmet nga ajri, deti dhe toka nga forcat izraelite. Pa pajisje ushtarake profesionale, me veshje të përditshme, ushtarët e rezistencës po luftojnë ballë për ballë kundër ushtarëve izraelitë, të cilët janë të pajisur me veshje dhe pajisje ushtarake moderne të sofistikuara. Me tanke, automjete të blinduara, avionë e dronë, ushtria izraelite vazhdimisht po kryen masakra mbi popullsinë e pafajshme civile në Gaza ku deri në fillim të muajit Shkurt 2024 u vranë mbi 27 000 palestinezë civilë, ndër të cilët 70% janë gra dhe fëmijë.
Nga këto veprime, shihet qartazi se Izraeli nuk po lufton ta “shkatërrojë Hamasin”, siç kishin deklaruar shumë herë, por haptazi po kryen gjenocid mbi popullatën e Gazës. Këtë së shpejti do ta vërtetojë edhe aktakuza e ngritur nga Afrika Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ku Izraeli po akuzohet për krime lufte mbi popullatën civile në Gaza dhe gjenocid të synuar. Me 12 Janar 2024, në sallën e GJND-së pala e Afrikës së Jugut u shpreh se Izraeli po bën gjenocid LIVE mbi popullatën e Gazës.
Rezistenca e ushtarëve palestinezë është duke hedhur poshtë teoritë ushtarake që favorizojnë teknologjinë bashkëkohore të ushtrisë izraelite dhe teorisë se Izraelit nuk mund t’i rrijë ballë asnjë fuqi nga rajoni. Këtë e vërteton edhe fakti se ushtria izraelite për afro dy muaj po luftohet në Gazën jugore për të marrë nën kontroll qytetin Khan Yunis dhe nuk po kanë sukses. Nga rrënojat e ndërtesave të rrafshuara me tokë, me pushkë automatike sovjetike, raketahedhëse krahu dhe snajperë të prodhuar me dorë, Hamasi po zhvillon një luftë të egër dhe po i shkakton dëme të mëdha ushtrisë izraelite duke i shkatërruar më shumë se 400 tanke Mekrava dhe më shumë se 2000 automjete ushtarake (sipas deklaratës së Abu Ubaida – zëdhënësit të Hamasit). Numri i vrasjeve dhe të plagosurve të ushtarëve izraelitë nuk mund të merret në konsideratë, sepse qeveria izraelite po i fsheh ato të dhëna ,por sipas web faqes zyrtare të Izraelit që nga fillimi i pushtimit të gazës janë vrarë mbi 220 ushtarë izraelitë, kurse sipas burimeve nga Hamasi numri i të vrarëve është mbi 550 dhe mbi 2800 është numri i të plagosurve. Sipas TV Al Arabia mbi 6000 ushtarë izraelitë u zëvendësuan me ushtarë të rinj nga fushëbeteja për shkak të traumave dhe problemeve psikike. Sipas këtij burimi në spitale psikiatrike në Izrael janë të shtruar rreth 2000 ushtarë izraelitë kurse të tjerët po trajtohen nën vëzhgim të mjekëve nga shtëpitë e tyre. Sipas disa burimeve jozyrtare ushtarët izraelitë deklaruan se përjetuan momente të tmerrshme në fushëbetejë në Gaza dhe u dukej sikur po luftonin me fantazma e jo me njerëz .
Në Gaza deri në muajin Shkurt 2024 u hodhën tre herë më shumë sasi bombash se në Hiroshima e Nagasaki, ku si rezultat imazhet satelitore tregojnë se të paktën 144,000 ndërtesa janë goditur që nga fillimi i sulmeve izraelite.
Në brendësi të tuneleve nëntokësorë, brigada Al-Qassam arriti të prodhojë snajperin AM – 50 SAYYAD me municion të madhësisë 12.7 X 99 mm dhe me një precizitet goditje deri në 1500 m.
Izraeli jo vetëm që po e humb luftën në fushëbetejë por edhe po e humb mbështetjen euro-atlantike që e kishte të paluhatshme që nga formimi i shtetit izraelit. Kjo po ndodhë për faktin se pjesa më e madhe e botës janë në mbështetje të palestinezëve. Këtë mbështetje e tregojnë nëpërmjet protestave masive pro-palestineze në pothuajse çdo kryeqytet të botës. Falë rrjeteve sociale krimet makabre të Izraelit janë të qasshme për t’u parë në krejt botën. Përveç vrasjeve të civilëve, nga videot që qarkullojnë në internet, me 21 Janar 2024 ushtria izraelite me buldozer ushtarak D9 gërmon dhe shkatërron varrezat e palestinezëve dhe si rezultat kufomat (mbetjet) i nxjerrin në sipërfaqe. Krimet si këto po vëzhgohen nga miliona njerëz dhe në këtë mënyrë Izraeli si një ndër shtetet më “demokratike” në botë, po shfaq fytyrën e vërtetë dhe qëllimin se çfarë po bën në Gaza. Nga këto krime është e shqetësuar edhe popullsia izraelite që shkaktoi edhe në Izrael protesta masive kundër qeverisë së Netanjahut.
Goditja më e fortë për Izraelin në rrafshin diplomatik ndërkombëtar ishte kërkesa e SHBA-së për formimin e shtetit palestinez si zgjidhja e problemit e ashtuquajtur TWO STATE SOLUTIN. Pas SHBA-së edhe Britania e Madhe, Irlanda, Australia dhe Gjermania dolën me të njëjtën kërkesë.
Pas pothuajse 5 muaj luftime e qindra vrasjeve civile ditore nga IDF, mbetet të diskutojnë të dyja palët për armëpushim dhe lirimin e pengjeve izraelit nga Hamasi, por për fat të keq siç po raportojnë ndërmjetsuesit e Egjiptit, Katarit, Turqisë dhe SHBA-së, drita në fundin e tunelit akoma nuk po shihet.
