Rënie e numrit të pushuesve!

Ulqini, më në fund, duhet të vendosë se çfarë është më e rëndësishme për të: turizmi i udhëhequr nga ekspertë dhe praktikues të dëshmuar, apo do t’u dorëzohet përgjithmonë politikanëve që “importojnë” ide të dirigjuara?! Kjo kategoria e dytë dëshmon se është e paaftë për të menaxhuar një nga burimet tona më të mëdha ekonomike

Esat Mehmeti

Numri i pushuesve në Ulqin, në krahasim me vitet e mëparshme ka pësuar rënie dhe sezoni turistik në pikun e tij duket i dështuar. Turizmi patriotik, ai i kosovarëve apo i shqiptarëve të Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët, duket se na ka lënë në “baltë”. Bregdeti ka mbetur i heshtur! Andaj, ideja se Ulqini ofron plazhe të shkëlqyera me çmime të lira duket se ka dështuar!
Viti 2025 filloi me premtime të mëdha, për një të ardhme më të mirë, për një sezon turistik më të begatë. Përkundër narrativës së qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, të cilat u zotuan për një “sukses të madh të turizmit”, duke bërë plane dhe parashikime për një sezon turistik edhe më të suksesshëm se në vitin 2024, deri më tani, gjërat nuk dolën ashtu! Në krahasim me vitin e kaluar, në bregdetin e Ulqinit vërehet rënie e numrit të mysafirëve. Jemi në javën e fundit të korrikut dhe pritshmëritë kanë dalë ndryshe nga sa kemi pritur. Bartësit e turizmit pohojnë se në uljen e numrit të pushuesve ndikojnë arsye nga më të ndryshmet, me një fjalë mungon ajo çka mund t’u ofrojë Ulqini turistëve.
Imazhet e plazheve dëshmojnë rënien e numrit të pushuesve në bregdetin e Ulqinit, duke nxitur një sërë akuzash. Në kulmin e sezonit turistik, turistët po përballen me çështje bazike si me ngritje të çmimeve, me infrastrukturë rrugore pothuaj të shkatërruar (arnim të rrugëve copa-copa), ndërprerje të energjisë elektrike, mungesa të ujit të pijshëm, shpeshherë i papërdorshëm për pije, papastërti të qytetit, mungesën e trotuareve, hapësirave publike, vendparkimeve, impianteve të reja për trajtimin e ujërave të ndotura etj.

Ulqini me bukuri të rralla natyrore
Ulqini, ndonëse një qytet i vogël, është vend i cili mund të jetë një destinacion turistik që ofron turizëm veror dhe dimëror. Ai ka potenciale të mrekullueshme në të gjitha aspektet – natyrore edhe kulturore. Ka potencial natyror të pashfrytëzuar sa duhet. Krahasuar me vende të tjera të rajonit, Ulqinin e dallon mikpritja dhe shërbimi i mirë që iu bëhet turistëve.
Në anën tjetër është trashëgimia kulturore dhe objekte të tjera që meritojnë vëmendje të duhur, por për fat të keq, deri tani nuk është bërë sa duhet për t’i promovuar, përgatitur apo prezantuar gjithë këto pasuri të mjaftueshme turistike, për faktin se institucionet nuk janë treguar të organizuara sa duhet karshi këtij sektori. Investimet në shumë pjesë të qytetit ku konsiderohet se mund të zhvillohet turizmi, mungojnë nga institucionet vendore! Bukuri të paprekura natyrore, produkte të shkëlqyera autoktone dhe mikpritës të mirë, Ulqinin e radhisin ndër vendet më të bukura të Ballkanit. Ulqini i ka të gjitha predispozitat për zhvillimin e shumë llojeve të turizmit. Kahdo që të sillemi, ka mundësi për investime dhe më e rëndësishmja është tˈi mbajmë të rinjtë në vendin tonë.
Kemi turistë që vijnë vazhdimisht, por problemi është se ne nuk jemi të organizuar si duhet dhe të bëjmë prezantimin e Ulqinit si destinacion turistik në botë. Mungon një reklamim i mirë ose një udhërrëfyes turistik për këtë qytet të lashtë shekullor. Edhe pse gjatë këtyre 20-30 viteve të fundit ka pasur rritje të ndjeshme të turizmit në vend, këtu meritat u shkojnë individëve dhe grupeve të biznesit e kurrsesi institucioneve, qoftë atyre lokale apo shtetërore. Andaj, institucionet e vendit do të duhet ta kthejnë këtë krizë në një mundësi biznesi, duke iu përkushtuar në mënyrë aktive zhvillimit sistematik dhe të koordinuar mirë.
Edhe përkundër disa përpjekjeve për të bërë ndonjë të mirë, institucioneve që u ka ra hise turizmi kanë dështuar përballë sfidave me të cilat po përballet sektori i turizmit. Dështimet janë të shumta, qofshin nga mosdija apo nga injoranca. Hartimi i një plani strategjik për turizëm ka rëndesi të veçantë për Ulqinin, në veçanti për një sektor të rëndësishëm të ekonomisë siç është turizmi, që për fat u ra hise të paditurve të menaxhojnë me një sektor shumë të rëndesishëm ekonomik të vendit.
Postimet e shumta në rrjetet sociale kritikonin çmimet më të larta krahasuar me vitet e tjera dhe pretendonin se si shqiptarët ashtu edhe turistët e huaj po i “braktisnin” plazhet e Ulqinit, duke e drejtuar gishtin nga bizneset vendase për rritjen e çmimeve të palogjikshme dhe të pakontrolluara mirë. Në shumë biznese turistike, në fillim të këtij viti i rritën çmimet dhe ishin më të larta se vitin e kaluar. Rritja e çmimeve ndikoi negativisht në mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Dikur sezoni turistik lulëzonte kur një numër i paparë vizitorësh nga Kosova dhe të huaj erdhën në bregdetin tonë. Turistët nga Kosova kanë qenë dhe janë një nga mbështetësit kryesorë të turizmit për Ulqinin. Këtë vit, sipas të dhënave të deritanishme publike, turistët nga Kosova janë më të paktë se zakonisht. Kjo tregon se ka një problem që duhet analizuar në fund të sezonit. Turistët nga Kosova janë në rënie për shumë arsye: liberalizimi i vizave u jep kosovarëve më shumë mundësi për të vizituar tregje të reja, si Turqia, Greqia e vende të tjera, e në veçanti në bregdetin shqiptar dhe në anën tjetër është rritja e çmimeve dhe mungesa infrastrukturore në qytetin tonë.

Turizmi – sfidë dhe përgjegjësi e institucioneve
Institucionet lokale dhe ato qeveritare nuk dolën me plane të hartuara për t’i paraprirë kësaj situate, andaj strukturat lokale nuk kanë punuar sa duhet strategjikisht për të krijuar një industri të qëndrueshme turistike. Institucionet shtetërore të cilat e kanë fatin e menaxhimit dhe zhvillimit të turizmit duhet ta dinë dhe kuptojnë se nëse dëshirojmë që sadopak të jemi pjesëmarrës aktiv në tregun turistik ndërkombëtar konkurrenca ndërkombëtare në turizëm përcaktohet kryesisht nga cilësia e burimeve njerëzore. Institucionet që përfaqësojnë turizmin duhet të inkurajojnë ide novatore dhe të menduarit kreativ, gjë që është një faktor specifik i suksesit në turizëm. Suksesi i turizmit varet kryesisht nga aftësia e autoriteteve për të krijuar një strukturë efikase, administrative dhe institucionale, të cilën sot nuk e kemi. Ajo strukturë do të siguronte zhvillimin e qytetit në përgjithësi, rregullimin e suksesshëm të sektorit turistik, uljen e papunësisë e shumëçka tjetër.
Ulqini, më në fund, duhet të vendosë se çfarë është më e rëndësishme për të: turizmi i udhëhequr nga ekspertë dhe praktikues të dëshmuar, apo do t’u dorëzohet përgjithmonë politikanëve që “importojnë” ide të dirigjuara?! Kjo kategoria e dytë dëshmon se është e paaftë për të menaxhuar një nga burimet tona më të mëdha ekonomike. Ajo që është shqetësuese për të ardhmen e turizmit është “shurdhimi” i Qeverisë, nga e cila nuk dëgjuam asnjë fjalë për “sukseset”. Shpeshherë edhe Organizata Turistike nuk iu drejtohet mediave dhe publikut për të arriturat turistike për periudhën e caktuar kohore.
Nismat vetanake, investimet në biznese janë të pafuqishme për të vënë në lëvizje industrinë fitimprurëse të turizmit. Mendoj se duhen reforma të reja në turizëm dhe çelësi bazë mbetet hartimi i strategjive të reja reale nga qeverisja lokale dhe ajo qendrore për zhvillimin e kësaj industrie në të cilën po investojnë fuqishëm vendet tjera të rajonit.

Të fundit

më të lexuarat