Rekrutimi i kuadrove të dëgjueshme

Të gjithë atyre që i zgjedhin në poste të ndryshme ua vënë në dijeni domosdoshmërinë e sjelljeve të tyre dhe konsekuencat e mosbesimit ndaj klaneve të tyre. Këtu është fjala për një pantomimë të llojit të vet apo të aktorëve imitues

Nikë Gashaj

Njohjet empirike dhe teorike tregojnë se drejtimi i politikës së kuadrove në Ballkanin Perëndimor, në shumë raste bëhet me mjete të tilla të cilat etika normative i ka hedhur poshtë si jomorale dhe të cilat janë të etiketuara në kodin e civilizimit (karrierizëm, oportunizëm, pranimi në statusin e “përcjellësit oborrtar“ të funksionarëve me influencë, pranimi i të gjitha formave dhe mënyrave të sjelljeve dhe të veprimeve të cilat janë të domosdoshme para investimit apo inaugurimit në një pozitë si kuadër dhe dëshmimi i cilësive të tilla pas marrjes së detyrës në formë të konfirmimit të dëgjueshmërisë absolute, vetëmohimi i individualitetit, madje edhe në situata të parrezikshme dhe pa pasoja për autoritetin e promotorëve të tyre si kuadro dhe prirjeve të tyre të shumta, të cilat tradicionalisht konsiderohen si të padenja për njeriun si “qenie publike“).
Ndërkaq, sipas kritikuesve të politikës së kuadrove, pikërisht mjetet publikisht të anatemuara më së tepërmi kontribuojnë dhe kanë efekte në karrierën personale të kuadrove. Për këto efekte negative promotorët e kuadrove shpeshherë heshtin. Për ata është me rëndësi që të rekrutojnë kuadrot e dëgjueshme.
Ata të gjithë atyre që i zgjedhin në poste të ndryshme ua vënë në dijeni domosdoshmërinë e sjelljeve të tyre dhe konsekuencat e mosbesimit ndaj klaneve të tyre. Këtu është fjala për një pantomimë të llojit të vet apo të aktorëve imitues.
Kuadrove të zgjedhur në këtë mënyrë u duhet të kyçen në një lojë memece për të cilën janë të “përgatitur“ mirë dhe me lehtësi bëjnë publikisht deshifrimin e gjesteve të promotorëve të tyre, respektivisht të politikës, dëshirave, synimeve dhe qëllimeve të dirigjentëve të tyre politikë. Nga kuadrot e zgjedhura kërkohet vetëm të jenë lojalë ndaj aksioneve dhe veprimeve të promotorëve të tyre, si çështje a priori të rëndësishme dhe të arsyeshme.
Politika e kuadrove, e mbështetur mbi këto baza dhe parime, nuk mund të jetë lëndë e objektivitetit shkencor, por mbahet në suaza të vullnetarizmit politik, ku nuk mund të vendosen kurrfarë rregullash racionale të lojës. Sipas njohurive shkencore, baraspesha e politikës adekuate të kuadrove do të duhej kërkuar në parimet konstante.
Qëllimi është së paku vendosja e dy kritereve ekzakte të zgjedhjes së kuadrove. I pari do të përfshijë veçoritë, cilësitë dhe vetitë personale të kandidatit për funksion publik, kurse i dyti do të përmbajë programin dhe garancinë të cilën kandidati duhet ta ofrojë për realizimin e tij.
Në qoftë se nisemi nga kriteri i parë, do të vërehet lehtë se ai bën pjesë në standarde për të cilat mendimi politik ka luftuar qysh nga modelet antike deri te pikëpamjet bashkëkohore mbi “njeriun politik“ si personalitet publik. Pa marrë parasysh pikëpamjet e ndryshme se cili do të ishte tipi ideal i personalitetit për kuadër politik, gjatë historisë në vazhdimësi janë nënvizuar cilësitë e “përshtatshmërisë publike“.
Në atë kuptim dhe drejtim, pikësëpari janë përcaktuar cilësitë e dëshirueshme të kuadrove politike (nderi, thjeshtësia dhe modestia, gatishmëria për sakrifica personale në emër të interesit publik, vetëmohimi nga privilegjet materiale, të cilat do t’ua sjellë funksioni publik, arritja e popullaritetit me shëmbëlltyrën e vet personale etj.).

Në daullen e kuadrove
Ndërkaq, kërkohet edhe struktura mendore, e cila ideologjisë përkatëse i ka garantuar se e ka fituar njeriun e duhur (lojal ndaj programit partiak dhe aksioneve vijuese, prijës dhe avantgardist, i shquar dhe i dalluar, me veti dhe cilësi të dëshiruara morale dhe politike, i vendosur dhe guximtar, si dhe optimist ndaj misionit të vet profetik). Sot nuk ka parti politike e cila politikën e kuadrove nuk do ta mbështesë në kërkesën që anëtarët e udhëheqësisë së saj të posedojnë tërësinë e këtyre cilësive dhe që në opinionin publik njëkohësisht të quhen dhe si “qytetarë të respektuar“, si dhe “njerëz partiakë“.
Këto statuse nuk janë të pajtueshme dhe të paarritshme në qoftë se opinioni publik bindet se “njerëzit partiakë“ kontribuojnë në ngritjen e interesave shoqërore në një nivel më të lartë dhe njëherazi të mos përfaqësojnë vetëm interesat grupore dhe personale, të cilat për momentin do të jenë të përdorshme, por në esencë me një përcaktim jo të vërtetë do të mund të prezantohen si historike.
Është normale që të parashtrohet pyetja: Çka ndodh në qoftë se raportet reale paraqiten në një projeksion të kundërt? Kjo pyetje na drejton në një psikologji të tillë, ku thuhet: “Merre tërë atë çka funksioni ta mundëson dhe ofron në një afat të shkurtër apo të gjatë”.
Një psikologji e tillë është e pranishme te një numër i madh i kuadrove politike në vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj kryesisht dhe te kuadrot politike shqiptare. Te kuadrot e tilla është humbur besimi në mundësinë e ndikimit real në rrjedhat e ngjarjeve shoqërore dhe është rrënjosur një bindje se promovimi i mëtejshëm i kuadrove varet vetëm nga dëgjueshmëria dhe servilizmi poltronik në raport ndaj strukturave dirigjuese politike, respektivisht nga qendrat e forcave politike joformale.
Është fatkeqësi, mjerim, brengosje dhe shqetësim kur në opinionin publik dëgjohet që dikush ka ecur përpara dhe është promovuar në politikën e kuadrove vetëm e vetëm se është djalë apo dhëndër i “Zotëriut me influencë“, ose për faktin se është shumë i dëgjueshëm, poltron dhe animues.
Shpeshherë për ndonjë funksionar politik dëgjohet komenti se e ka “shkrirë dijen“. Ajo në mënyrë paradoksale përputhet me të vërtetën prozaike se ajo “dije“ nuk është teorike, profesionale dhe shkencore, por ka një karakter utilitar-praktik dhe se deri te promovimi si kuadër ka ardhur më tepër në bazë të “konstruktivizmit“ personal në raport ndaj perceptimit të grupeve dhe kuadrove dirigjuese dhe me influencë, si dhe në bazë të prirjes për delendisje dhe shpifje “ndërmjet katër mureve“, e shumë më pak ose aspak sipas cilësive të vlerës personale dhe aftësive profesionale.
Në horizontin politik ka qenë dhe është i pranishëm preokupimi i vetëm relevant: “për t’u bërë funksionar, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë“. Nën presionin e një psikoze të tillë, opinioni merr pjesë në investimet apo inaugurimet groteske, qesharake dhe hierarkike, të cilat në “forumet koordinuese të kuadrove“ janë të përcjella dhe të shoqëruara me një oportunizëm të dukshëm dhe të prirë nga dëshira dhe kërkesa e një rrethi të ngushtë të atyre që kanë influencë në politikën e kuadrove në mjedisin përkatës.
Kurse opinioni publik, i cili ka mundësi që të vijë në shprehje, politikën e tillë të kuadrove e pret me përqeshje dhe tallje, shpoti e ironi, karikaturizëm dhe injorim. Edhe pa një lamentacion emotiv mbi situata të tilla të neveritshme dhe të gërditshme, gjithmonë ka qenë dhe është vështirë të kuptohet racionalisht se si “kuadri“ i zgjedhur në dikasterin e komunikacionit, në zgjedhjet e ardhshme mund të kalojë në dikasterin e shëndetësisë, ose nga sektori i arsimit të kalojë në sektorin e industrisë apo të bujqësisë dhe pikërisht në të gjitha nivelet e “establishmentit të kuadrove“?
(vazhdon)

(Autori është politolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës)

Të fundit

më të lexuarat