Rehabilitimi – jo vetëm për të dënuarit në Goli Otok, obligim shtetëror

Me miratimin e pluralizmit në Mal të Zi, me të drejtë është pritur që për ish të dënuarit në aferën e Informbyrosë (1948) të miratohet ligj i veçantë për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e tyre, duke dëshmuar kapacitet demokratik si në vendet e tjera të ish-kampit socialist, por kjo çështje këtu ka vendnumëruar. Por në fillim të këtij viti Presidenti Jakov Millatoviq ka paraqitur iniciativën enkas për këtë çështje, duke i dërguar Kuvendit për miratim Projektligjin për rehabilitimin e të dënuarve politikë të Goli Otokut me qëllim të korrigjimit të një padrejtësie historike ndaj atyre që kanë vuajtur dënimet si kundërshtarë ideologjikë. Megjithatë, një veprim i tillë duhet të përfshijë edhe periudhën nga viti 1944-1990, kur janë dënuar shumë qytetarë si antikomunistë, pa gjyqe e me procese të montuara politike, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët

Nail Draga

Në kohën e monizmit Goli Otoku ishte temë tabu, ndërsa me dështimin e komunizmit si ideologji dhe socializmit si sistem shoqëror, në lidhje me këtë çështje janë botuar informata, analiza, fejtone e botime të veçanta, duke dëshmuar se ata që kanë vuajtur dënimin këtu kanë përjetuar tortura fizike e psikike, vrasje e vetëvrasje. Ishte ky një burg tipik ideologjik, që ishte tmerri dhe turpi i ish-Jugosllavisë.
Pikërisht në këtë drejtim Mali i Zi ka vendnumëruar, duke mos dëshmuar vullnet politik për këtë çështje, nga del se këtu ende nuk janë liruar nga klishetë ideologjike kur është në pyetje rehabilitimi dhe dëmshpërblimi i të dënuarve politikë në Goli Otok e gjetiu.

Iniciativa nga Presidenti i shtetit
Por një çështje e tillë, si duket, ka marrë kahje pozitive, sepse në muajin shkurt të këtij viti Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq ka paraqitur iniciativën për miratimin e Ligjit për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e të dënuarve politikë në Goli Otok, Sveti Gërgur dhe burgje të tjera.
Në tekstin e iniciativës shkruan se me këtë akt fillohet një proces i ballafaqimit me të kaluarën dhe përmirësimin e padrejtësive historike. “Mali i Zi, si shtet demokratik e juridik, nuk bën të nënvlerësojë faktet, ku shumë qytetarë tanë, në saje të bindjeve të tyre politike, kanë përjetuar represione fizike e psikologjike, pa gjykim të drejtë e pa mundësi që asnjëherë të dëshmojnë pafajësinë e tyre. Me miratimin e këtij ligji Mali i Zi do të pranonte vuajtjet e tyre dhe do të mundësonte rehabilitimin moral e gjyqësor dhe atë material”, ka cekur Presidenti Millatoviq.

Ballafaqimi me të shkuarën – obligim shtetëror
Më tutje në iniciativë shkruan se se “duke pranuar ballafaqimin me të kaluarën dhe përmirësimin e padrejtësisë historike duhet të miratohet Ligji për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e të burgosurve të Goli Otokut, të dyshuar për mbështetje të Rezolutës së Informbyrosë së vitit 1948“. Andaj Presidenti ”fton deputetët, pa marrë parasysh dallimet e tyre politike, që ta mbështesin këtë iniciativë, ta mbështesin këtë ligj“.
“Miratimi i këtij ligji nuk paraqet vetëm akt juridik, por edhe përgjegjësi morale të shtetit për të pranuar dhe dëmshpërblyer ata të cilët në mënyrë të padrejtë kanë vuajtur për shkak të bindjeve të tyre politike. Në këtë mënyrë, Mali i Zi do t’u bashkëngjitej vendeve në regjion të cilat kanë marrë hapa të tillë me qëllim të ballafaqimit me të kaluarën dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut“, shkruan, mes tjerash, në tekstin e iniciativës.

Mbi tri mijë të burgosur nga Mali i Zi
Informbyroja ka qenë trashëgimtare e Kominternit (Internacionales Komuniste), organizatë e partive komuniste, që me rezolutën e tyre kanë kritikuar udhëheqjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë në krye me Josip Broz Titon, sepse ka devijuar nga politika marksiste-leniniste. Një veprim i tillë ka rezultuar me ndërprerjen e marrëdhënieve midis Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik, në fund të qershorit 1948. Pikërisht nga një vendim i tillë, pushteti jugosllav nisi fushatën kundër atyre që kanë mbështetur Stalinin, përkatësisht Bashkimin Sovjetik.
Në grupin e të arrestuarve kanë qenë individë të moshave e profesioneve të ndryshme, si: ushtarakë, qeveritarë e qytetarë të thjeshtë. Për këta të burgosur është përgatitur në mënyrë të veçantë burgu në Goli Otok, ujdhesë në Kroaci. Sipas të dhënave nga ish-Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme të RSFJ-së, në Goli Otok dhe në burgjet tjera, në periudhën 1948-1956 kanë qenë të burgosur 16.101 individë, prej të cilëve 3.390 nga Mali i Zi (apo 21.5% të numrit të përgjithshëm), i cili në aspektin proporcional ka pasur numrin më të madh të të burgosurve në raport me numrin e banorëve të republikave jugosllave të asaj kohe.
Vlerësohet se në Goli Otok kanë vdekur gjithsej 413 të burgosur.

Mali i Zi, vendi i vetëm pa ligj për rehabilitimin e të dënuarve politikë
Mali i Zi ka mbetur i vetmi vend në regjion që ende nuk ka miratuar asnjë akt të obligueshëm juridik, i cili do të mundësonte rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e atyre që padrejtësisht janë dënuar. Cekim me këtë rast se Sllovenia, Kroacia e Serbia kanë miratuar Ligjin për rehabilitimin dhe dëmshpërblimin material të të dënuarve politikë dhe familjeve të tyre.
Mungesa e kornizës ligjore për rehabilitimin dhe kompensimin e këtyre viktimave, jo vetëm se paraqet lëshim juridik e moral të shtetit, por edhe distancim nga të drejtat themelore njerëzore dhe standardet juridike ndërkombëtare. Pranimi i vuajtjeve ku kanë kaluar të burgosurit e Goli Otokut dhe miratimi i masave përkatëse do të ishte korrigjimi i padrejtësisë historike dhe hap drejt pajtimit shoqëror.
“Duke marrë parasysh se shumë viktima në ndërkohë kanë vdekur, është e nevojshme që të sigurohet rehabilitimi i tyre pas vdekjes, por edhe satisfaksioni përkatës për trashëgimtarët e tyre, të cilët për vite kanë përjetuar pasojat e diskriminimit shoqëror e pasiguri ekonomike. Me miratimin urgjent të këtij ligji do të mundësohej që ndonëse me vonesë të madhe, të respektohen parimet bazë të drejtësisë dhe njerëzisë“, shkruan në iniciativën e cila i është dërguar Kuvendit.

Nevoja për konsensus politik
Dihet së për marrjen e vendimeve duhet të ekzistojë vullneti politik, në rastin konkret i shumicës parlamentare, ku fillimisht duhet të ekzistojë konsensuesi politik. Në saje të përvojës së kaluar kur pushtetin e kishte Partia Demokratike e Socialistëve, nuk ka ekzistuar mundësia e konsensusit për rehabilitimin ligjor të të dënuarve në Goli Otok, sepse sipas tyre hapja e një çështjeje të tillë kërkon qëndrim kritik dhe përgjegjësi ndaj ish-funksionarëve komunistë, të cilët kanë qenë përgjegjës për dënimet e asaj kohe, ku ka anëtarë të familjeve të tilla që ende janë aktivë në jetën publike. Pikërisht ky ishte shkaku i mos ekzistencës së konsensusit dhe vullnetit politik nga ana e tyre. Por nëse ekziston vullneti politik, shumica aktuale parlamentare i ka votat e mjaftueshme për ta miratuar një ligj të tillë, ndonëse të vonuar, duke dëshmuar kapacitet demokratik në favor të qytetarëve.

Akt i demokratizimit të shoqërisë
Ndonëse është vonuar me një nismë të tillë, çdo veprim në lidhje me rehabilitimin e të dënuarve në Goli Otok, por edhe në burgjet tjera, është veprim i qëlluar në lidhje me demokratizimin e shoqërisë, duke përmirësuar padrejtësinë historike në favor të kohezionit shoqëror. Kemi të bëjmë pikërisht me një nismë e cila është me interes shoqëror në lidhje me proceset integruese të vendit duke u bazuar në standardet demokratike të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në këtë kategori të rehabilitimit duhet të llogariten edhe të tjerët, të dënuarit politikë nga viti 1944-1990, duke mos bërë diferencime vetëm për një kategori të qytetarëve të dënuar.

Pa evidencë për numrin e shqiptarëve në Goli Otok?
Në lidhje me këtë çështje nuk ka pasur asnjë reagim nga subjektet politike shqiptare, duke marrë parasysh se edhe një numër i shqiptarëve nga Mali i Zi kanë qenë të dënuar në Goli Otok. Ndonëse ka kaluar kohë e gjatë, evidentimi i të dënuarve shqiptarë mund të realizohet, sepse ata kanë lënë trashëgimtarë apo të afërm të tyre, të cilët mund të ofrojnë informata të nevojshme. Një veprim i tillë ka qenë e udhës të realizohet më herët, sepse ata kanë qenë të dënuar vetëm sepse ishin shqiptarë, ku nuk kanë munguar edhe montimet politike për t’i eliminuar kundërshtarët, jo vetëm ideologjikë.

Përfundim
Nuk kemi informacion se iniciativa e tillë deri tash është shqyrtuar në këshillin parlamentar, për të vazhduar më tutje dhe për të kaluar në procedurë deri në parlament si projektligj, për të marrë mbështetjen e shumicës parlamentare. Por nëse deri tash ngurrohet në lidhje me këtë iniciativë, nuk ka dilemë se ajo do të aktivizohet para zgjedhjeve, duke qenë një mundësi reale për përfitime politike, dukuri e cila ka vite që është bërë praktikë në këtë mjedis.

Të fundit

më të lexuarat