Regjistrimi i popullsisë do të mbahet në vjeshtë

Sipas Drejtorisë së Statistikës (Monstat) bëhet me dije se të gjitha përgatitjet janë duke u kryer sipas dinamikës së planifikuar, ndërsa për komisionin që do të punojë në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave që do të bëhet në vjeshtë (1-15 nëntor), Qeveria ka ndarë 3 milionë euro që është dëshmi e sigurt që pas dy viteve qytetarët do të kenë mundësi të deklarohen në këtë proces i cili u mundëson atyre të deklarohen për përkatësinë e tyre kombëtare, gjuhësore, fetare e gjinore si kudo në vendet demokratike

Nail Draga

Ndonëse regjistrimi i popullsisë është dashur të mbahet në vitin 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit është shtyrë për vitin vijues, por definitivisht do të mbahet dy vite më vonë, në vjeshtë të këtij viti (1-15 nëntor).
Pikërisht në lidhje më këtë çështje sipas Parlamentit Evropian, kohë më parë Mali i Zi është thirrur që të realizojë regjistrimin deri në fund të vitit, e gjitha kjo sipas BE-së dhe standardeve ndërkombëtare.

Politizimi i regjistrimit të popullsisë
Çështja e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi ka përmasat e politizimit më tepër se në vendet tjera. Në këtë aspekt vazhdimisht kanë debatuar partitë politike të cilat janë ndarë në ato proserbe në njerën anë dhe ato malazeze në anën tjetër.
Në lidhje me këtë çështje në Mal të Zi madje ka pasur propozime që të eliminohet struktura kombëtare, gjuhësore dhe fetare e popullsisë. Një deklarim i tillë nuk është mbështetur nga pozita aktuale, ndërsa është insistuar nga opozita duke theksuar që regjistrimi i popullsisë të shtyhet për vitin vijues, duke marrë parasysh stabilitetin shoqëror dhe politik.
Por në saje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ( 11 qershor 2023) në Mal të Zi kemi një realitet të ri në bazë të dekompozimit të skenës politike, ku koalicioni i cili llogaritet se do të jenë përbërësit e pushtetit, theksojnë se nuk ka pengesa që të realizohet regjistrimi i popullsisë në afatin e planifikuar.

Mjetet e siguruara për regjistrim
Nga Lëvizja “Evropa Tani”, që kanë fituar më së shumiti mandate në zgjedhjet e fundit, theksojnë se aktet ligjore në lidhje me regjistrimin e popullsisë janë miratuar, ndërsa mjetet financiare për mbajtjen e tij janë siguruar, andaj nuk ka asnjë arsye që regjistrimi të mos realizohet.
Ngjajhëm mendojnë edhe partitë tjera të cilat do të jenë pjesë e shumicës parlamentare, ndërsa përjashtim bëjnë Social-demokratët (SD) të cilët theksojnë se nuk ka kushte për regjistrim deri në fund të vitit, edhe pse këtë veprimtari e vlerësojnë si të nevojshme.
Më herët nga Monstat-i kanë informuar se në regjistrimin e popullsisë do të marrin pjesë rreth 4.000 regjistrues dhe në fletëregjistrim do të jenë rreth 50 pyetje. Në lidhje me realizimin praktik të regjistrimit të popullsisë, Qeveria ka ndarë 3.207.279 euro.

Diaspora me identitetin e vet
Si në regjistrimet e mëparshme edhe në këtë regjistrim do të evidentohet edhe diaspora. Por, çështja është a do te kemi diasporë me të dhëna të kompletuara apo si çështje numerike. Në këtë aspekt, regjistrimi i fundit i popullsisë (2011) ishte i dështuar, sepse aty ajo na është prezantuar vetëm me numra pa të dhëna identitare, diaspora ka qenë e evidentuar me tërë përmbjtjen e saj strukturore sikurse popullsia vendore.
Nuk ka dilemë se një veprim i tillë ishte në kundërshtim me të drejtën elementare të pjesëtarëve të popujve që janë vendosur në botën e jashtme që njihen me emrin diasporë. Në këtë aspekt kemi diasporën e vjetër që njihet si historike, por edhe atë të kohës së re. Çdo tentim për të eliminuar të dhënat për diasporën ka prapavi politike duke mos treguar të vërtetën, sepse ajo është pjesë e pandarë e qytetarëve të këtij vendi. Sipas të dhënave që disponoj, më shumë së dy të tretat e diasporës janë shqiptarë e boshnjakë e më pak janë malazezë apo serbë, që është dëshmi e pozitës dhe statusit të tyre kombëtar e social në Mal të Zi.

Shqiptarët, pjesë e komisioneve
Përveç se fletëregjistrimi duhet të jetë në gjuhën shqipe, praktikë e cila këtu është e pranishme nga viti 1971, përfaqësues të shqiptarëve duhet të jenë edhe pjesëtarë të komisioneve përkatëse. Këtu e kemi fjalën për ato komuna ku shqiptarët janë popullsi autoktone, nga Ulqini në jug dhe Rozhaja në veri. Ata nuk duhet të jenë formalë si pjesë të komisionit regjistrues, por edhe të marrin pjesë në përpunimin dhe me pas në publikimin e të dhënave. Vetëm me një qasje konstruktive dhe pa paragjykime mendoj se do të realizohet misioni i regjisritimit të popullsisë, duke ofruar gjendjen reale në çdo vendbanim e komunë në nivel shteti.
Në këtë drejtim partitë politike që përfaqësojnë shqiptarët duhet të jenë aktive, duke ofruar mbështetje kadrovike e logjistike në procesin e regjistrimit të popullsisë. Vetëm me një angazhim të tillë do të eliminohen defektet dhe paragjykimet, sepse procesi i regjistrimit paraqet gjendjen reale të popullsisë sipas strukturave përkatëse si kudo në botën demokratike.

Regjistrimi, obligim shtetëror
Në bazë të metodologjisë së regjistrimit të popullsisë, opinioni i gjerë e ka të qartë se kemi të bëjmë me obligim shoqëror për çdo shtet. Madje dihet se përmes regjistrimit të popullsisë ofrohen të dhëna mbi numrin e banorëve, strukturën profesionale, kombëtare, gjuhësore, fetare etj. Po ashtu ofrohen të dhëna me lëvizjet migruese të popullsisë në vend apo në botën e jashtme. Të dhënat e tilla përpunohen dhe publikohen, të cilat më pastaj ofrojnë të dhëna për planifikimin shoqëror dhe projekte të ndryshme zhvillimore.
Andaj, në këtë aspekt nuk ka dilemë se publikimi i të dhënave të përkatësisë kombëtare të popullsisë do të jetë me interes, sepse deri më tash në këtë drejtim ka vërejtje të mëdha, sidomos nga përfaqësuesit e serbëve të cilët theksojnë se numri i tyre është më i lartë se sa e ka paraqitur statistika zyrtare. Në këtë aspekt vërejtje kanë edhë shqiptarët të cilët, duke qenë popullsia e vetme josllave në këtë mjedis, kemi informacione se numri i tyre është paraqitur me i ulët se sa është realisht, numër që e ka paraqitur statistika zyrtare.
Në lidhje me këtë çështje cekim se në regjistrimin e fundit të popullsisë (2011) sipas përkatësisë kombëtare janë deklaruar: malazezë (45%), serbë (29%), boshnjakë (8.65%), shqiptarë (4.91%), myslimanë (3.31%) si dhe kroatë (0.97%).
Nuk ka dilemë se në regjistrimin vijues të popullsisë do të ofrohen të dhëna më reale sipas përkatësisë kombëtare të popullsisë në Mal të Zi, duke eliminuar defektet nga regjistrimet e mëhershme, duke qenë më transparente për qytetarët e këtij mjedisi.

Të fundit

më të lexuarat