
(vijon nga numri i kaluar)
Shiva Ayadurai, një politikan dhe bioinxhinier amerikan i diplomuar në “Massachusetts Institute of Technology” të Bostonit, ka publikuar një video me qindra mijë shpërndarje dhe me miliona shikime, ku bën akuza të fuqishme se pandemia po përdoret nga disa elemente për të arritur kontrollin mbi njerëzit: “Përhapja e frikës së koronavirusit do të kujtohet në histori si një nga mashtrimet më të mëdha për të manipuluar ekonomitë, për të shtypur mendimin ndryshe dhe për të detyruar mandatimin e disa ilaçeve”. Një video e ngjashme u publikua në Francë dhe “çmendi” fansat e konspiracionit në rrjetet sociale, duke u shpërndarë edhe nga individë të njohur, me qëllim që “të ndërgjegjësojë dhe të informojë njerëzit për atë që po ndodh pas shpinës së tyre”. Njëri nga producentët e këtij dokumentari, Kristofe Kosé, thotë se ky “është një plan i kalkuluar me shumë kujdes”, një plan të cilin sociologia Moniqk Pinçon-Sharlot e ka vlerësuar si një “luftë të tretë botërore që synon zhdukjen e pjesës më të varfër të njerëzimit”. Avokati Reiner Fuellmish bashkë me mijëra avokatë të tjerë dhe dhjetëra mijë mjekë, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit në Nyrnberg të Gjermanisë.
Ndërsa bota po përpiqet të thyejë kontrollin e Kovid-19, psikologët dhe ekspertët e dezinformimit po studiojnë pse pandemia shkaktoi kaq shumë “teori konspirative”, të cilat i kanë bërë njerëzit t’i shmangin maskat, distancimin shoqëror dhe të refuzojnë vaksinat. Në një ditë të janarit, aktivistët kundër vaksinave detyruan një klinikë vaksinash në stadiumin “Dodger” në Los Angeles të mbyllet. Në Evropë, dhjetëra kulla celulare u dogjën për shkak të pretendimeve të çuditshme se sinjalet me valë 5G po shkaktonin infektimin. Një mosbesim i përbashkët në institucionet amerikane ka ndihmuar në përhapjen e këtyre teorive. Të mërzitur për bllokimet dhe mandatet e maskave, aktivistë kundër vaksinave kanë shprehur besimin e tyre se: “Tramp po bën një luftë të fshehtë kundër një grupi të fuqishëm kanibalësh satanikë”! Një burrë i këtij grupi madje dha një deklaratë: “Pandemia u krijua nga qeveria kineze dhe demokratët për të dëmtuar ofertën e rizgjedhjes së Trampit”. Vetë Trampi në deklaratat e veta minimizoi kërcënimin e virusit, duke minuar vetë ekspertët e administratës së tij. Në kohën kur qeveria vendosi të bëjë obligative vendosjen e maskave, Tramp tha: “Unë vetë nuk do ta vendos” dhe se “numrat e raportuar të vdekjeve nga Kovid-19 janë të ekzagjeruara” [Scientific American, 12. 10. 2020]!
Në prill 2020, studentët në Universitetin e Floridës shprehën shqetësimin që gazetarëve nuk u lejohej të flisnin me stafin në spitalet publike dhe kështu ata nuk ishin në gjendje apo nuk donin t’i tregonin publikut se çfarë në të vërtetë po ndodhë! Gjetjet kanë implikime jo vetëm për përgjigjen ndaj pandemisë, por edhe për “infodeminë” e radhës, një term i përdorur për të përshkruar krizën e dezinformimit të Kovid-19. Kur njerëzit besojnë në “faktet” e tyre dhe refuzojnë çdo gjë që thotë pala tjetër, ne jemi në telashe të vërteta: “Njerëzit kanë nevojë për shpjegime të mëdha logjike për problemet e mëdha, për ngjarjet e mëdha botërore”, shkroi Xhon Kuk, një shkencëtar dhe njohës i teorisë së konspiracionit në Universitetin Monash të Australisë.
Ata nuk e kanë të lehtë t’i pranojnë për logjike tezat e përsëritura që shtetet e pazhvilluara, madje edhe ato më totalitaret me sistem të çrregulluar e të dobët shëndetësor, e kanë kaluar këtë “taksirat” me më pak humbje se shtetet e zhvilluara me sistem të tillë të avancuar!? Nuk mund ta kuptojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të izolimit 24-orësh në qytetin e Mekës dhe të Medinës, përkundër qytetit të Xhedës që mbetet i lirë!? As që mund t’i kuptojnë izolimet e njerëzve pas orës 22:00 (kur të gjithë flejnë), kur mbeten të lirë në orët më të frekuentuara?!
Këta “konspiracionistë” kanë problem edhe me të dhënat e viktimave. Një portal zyrtar ka publikuar të dhëna historike të shkallës së vdekshmerisë në botë nga viti 1950 deri në vitin 2020. Në tabelën e paraqitur, shkalla globale e vdekshmërive për vitin 2020 ka qenë 7.61 në 1.000 banorë, një normë pak më e lartë se ajo e viteve 2016-2019, por më e ulët se e viteve 1950-2015. Shkaktare për shkallën më të lartë të vdekshmërisë globale për vitin 2020 është komentuar të jetë “pandemia vdekjepruese” dhe po përdoret si “taktikë frike”.
Por, kur ata ndjekin të dhënat zyrtare të OKB-së për popullatën botërore, shohin se në vitin 1950 kishte 2.5 miliardë, ndërkohë që në vitin 2020 afërsisht dy herë më shumë, më saktësisht 7.9 miliardë, dhe krahasojnë pastaj rritjen e plakjes së popullsisë! Natyrisht që në rrethana të këtilla edhe numri i vdekjeve duhej të ishte më i lartë. Vrasësin më të madh në botë gjejnë në sëmundjen ishemike të zemrës, përgjegjëse për 16% të vdekjeve totale, përkatësisht për 8.9 milionë. Vrasësi i dytë është goditja në tru, shkaktare për 11% të vdekjeve totale, kurse në vendin e tretë qëndron sëmundja pulmonare obstruktive, shkaktare për 6% të totalit të vdekjeve. Duke ndjekur të dhëna të ndryshme zyrtare mësojnë se shkaktare të 11 milionë vdekjeve vjetore është mungesa ose ushqimi i dobët, të 5.4 milionëve pirja e duhanit, të 3.2 milionëve mos-aktiviteti fizik, 3 milionë nga alkooli, etj. Nga ana tjetër, edhe pse mënyra e llogaritjes së vdekjeve si pasojë e Kovid-19, nuk është qartësuar sa duhet në mungesë të ekspertizave, të dhënat shpesh kanë qenë të dyshimta, joidentike dhe jo të qëndrueshme. Kovid-19 ka qenë në vendin e katërt të vdekjeve globale, përkatësisht “një në njëzet vdekje” nga fillimi i vitit 2020.
Njerëzit ndjejnë dhembje, trishtim, zbrazëti nga humbjet që përjetojnë e që ka prekur jetët e tyre, por kështu ka qenë dje, kështu do të jetë edhe nesër, sepse njeriu u krijua për t’u shpërngulur nga kjo botë: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen” [Al-Imran:185]. Ata e kanë kuptuar se pas çdo vdekjeje qëndron një “shkak”, por nuk mund ta kuptojnë atë që e kanë emërtuar si “vaksina për parandalimin e vdekjes”?!
“Ne duhet të mësojmë për atë që ka ndodhur, në mënyrë që të parandalojmë një ndodhi tjetër”, tha Riçard Karmona, një ish-kirurg amerikan që shërbeu si gjeneral në administratën e Xhorxh W. Bushit. Njerëzit kundërshtojnë marrjen e vaksinave, sepse në situatën që ndodhemi ata janë të hutuar dhe nuk dinë kujt t’i besojnë. Vetë presioni politik dhe detyrimi ligjor për t’u vaksinuar, madje edhe kundrejt një shpërblimi prej 500 dollarësh, i ka lënë të dyshojnë se gjërat nuk janë ashtu si duken. Detyrimin e vaksinimit në shkëmbim të pezullimit të lirive civile dhe së drejtës për lëvizje dhe punë, për sa kohë që ajo nuk parandalon përhapjen e virusit, e konsiderojnë si një udhë drejt veprimeve totalitare!
Nuk është në mundësinë, as në qëllimin tim të ndaj këtu nëse e gjithë kjo është një kërcënim serioz për njerëzimin, një teori konspirative, apo vetë konspiracioni?! Nuk është as në aftësitë e mia të pohoj ose të mohoj ato që po na servohen, unë thjesht po pëpiqem të gjej argumentin. Jo gjithçka që ne nuk kuptojmë është teori konspirative dhe jo çdo gjë që ne nuk e dimë “nuk ekziston”. Nuk është turp të mos dish, turp është të mos duash të mësosh.
I ndjeri Muamer Zurkaliq (rahmet pastë), pat thënë një herë se një intelektual që aq lehtë pranon atë që i servohet popullatës, nuk është intelektual. Ai duhet ta ruajë dhe ta shprehë mendimin e lirë pëmes argumentit edhe në kohën kur të gjithë sunduesit, shtetarët dhe shkencëtarët të thonë ndryshe. Me fjalë tjera, refuzimi i argumentit është fillimi i robërisë. Kërkuesit e argumentit janë të paktë dhe të “përqeshur”, por nëse kanë apo nuk kanë të drejtë nuk gjykojmë ne, koha do ta dëshmojë.
(Fund)
