Qyteti më i bukur në botë është jetim

Marrëdhënia e shtetit me këtë qytet ka qenë gjithmonë e çuditshme – më shumë e një pushtuesi me një pronë të trashëguar rastësisht, sesa e një shteti me një pjesë të vetes. Ulqini kurrë nuk u trajtua si një pjesë e trupit të Malit të Zi, por si një trofe që u mor, u mbajt dhe u shfrytëzua, por asnjëherë nuk u dashurua, nuk u përkrah dhe mbi të gjitha – nuk u zhvillua

Besart Hoxha

Që nga Kongresi i Berlinit më 1878, kur Ulqini iu dha Malit të Zi si pjesë e një kompromisi ndërkombëtar dhe jo si rezultat i bashkimit të natyrshëm historik apo kulturor, marrëdhënia e shtetit me këtë qytet ka qenë gjithmonë e çuditshme – më shumë e një pushtuesi me një pronë të trashëguar rastësisht, sesa e një shteti me një pjesë të vetes. Ulqini kurrë nuk u trajtua si një pjesë e trupit të Malit të Zi, por si një trofe që u mor, u mbajt dhe u shfrytëzua, por asnjëherë nuk u dashurua, nuk u përkrah dhe mbi të gjitha – nuk u zhvillua.
Për më shumë se një shekull, Ulqini ka qenë si një lopë që milet pa pushim, por që nuk ushqehet kurrë. Me një nga pasuritë më të mëdha natyrore në Ballkan – një vijë bregdetare me rërë të artë, lumin Buna, Kriporen dhe një histori që shtrihet nga perandoritë antike deri te lashtësia osmane – qyteti ka pasur gjithmonë potencialin të bëhet një pikë e rëndësishme turistike, kulturore dhe ekonomike. Por Mali i Zi kurrë nuk e shikoi Ulqinin me atë sy. Ai nuk e ndjeu asnjëherë si të vetin.
Rasti i fundit me Kriporen është tregues i qartë i kësaj logjike. Gjykata Kushtetuese e ktheu pronësinë e saj tek Eurofundi, duke lënë pas dore interesin publik, të ardhmen ekologjike të Ulqinit dhe vetë kushtet që Bashkimi Evropian ka vendosur për integrim. Pa një zgjidhje adekuate për çështjen e Kripores, Mali i Zi nuk ka për të ecur përpara në rrugën drejt BE-së – e këtë nuk e themi ne, e thonë vetë dokumentet zyrtare evropiane. E megjithatë, shteti sillet sikur kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Mali i Zi sillet me Ulqinin si me një tokë të fituar, jo si me një qytet të vetin. Si me një pronë që e ka trashëguar nga historia, por që nuk e ndien. E shfrytëzon, e shet, e jep, por nuk e mbron, nuk e zhvillon dhe nuk e trajton me dinjitetin që meriton


Një tjetër shembull i trishtë është marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku planifikohej t’i dhurohej një investitori një prej pasurive më të mëdha natyrore të vendit – Plazhi i Madh, me rreth 12 kilometra rërë të artë. E gjitha kjo u bë në heshtje, thuajse fshehurazi. Në natën e 22 prillit, kur në Kuvend u diskutuan amendamentet e deputetëve shqiptarë, asnjëri nuk u pranua. As kërkesa më elementare që plazhi të jetë i qasshëm për të gjithë – nuk u mor parasysh. Ky nuk ishte vetëm injorim politik – ishte një dëshmi se shteti i sheh tokat e Ulqinit si një tokë që mund të falet pa u konsultuar me askënd, thjesht sepse nuk e ndien si pjesë të vetes.
E njëjta logjikë diskriminuese dhe përjashtuese zbatohet edhe në rastin e Ligjit për Të Mirat Detare, një nga padrejtësitë më të mëdha historike ndaj Ulqinit. Është e pabesueshme që 56.3% e gjithë territorit të Të Mirave Detare ndodhet në Ulqin – një shifër që nuk ekziston në asnjë komunë tjetër të Malit të Zi. Të Mirat Detare, nga qiratë dhe të ardhurat e plazheve të Ulqinit, gjeneron rreth 50% të buxhetit të vet, por në këtë qytet nuk ka realizuar asnjë investim serioz ndër vite. Për më tepër, nga mbi 200 punonjës të këtij institucioni, vetëm 5 ose 6 janë nga Ulqini dhe asnjëri nuk ka ndonjë pozitë vendimmarrëse. Ky është një diskriminim institucional që nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë.
Buxheti i vitit 2025 ishte një tjetër shuplakë për qytetarët e Ulqinit. Vetëm 5 000 euro janë parashikuar për ndërtimin e urës në lumin Buna, një projekt i rëndësishëm që do të lidhte Ulqinin me Shqipërinë dhe do të kishte ndikim të madh në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Edhe më absurd është fakti që për Shtëpinë e Shëndetit të Ulqinit janë paraparë vetëm 5 000 euro për vitin 2025, nga të cilat 4 500 janë të planifikuara si shpenzime për “konsulencë”. Një shifër që më shumë se sa tragjike është qesharake – por e hidhur.
Për më tepër, nga i gjithë buxheti i shtetit për infrastrukturë, vetëm 0.48% shkon për Ulqinin – gjashtë herë më pak sesa do të duhej nëse fondet do të ndaheshin proporcionalisht me numrin e popullsisë. Kjo nuk është më çështje harrese – është një strategji e qartë për ta mbajtur Ulqinin të varfër, të mënjanuar dhe të pafuqishëm.
E gjitha kjo na çon tek ajo metaforë e trishtë që shumëkush në Ulqin e ndien në lëkurë: Mali i Zi sillet me Ulqinin si me një tokë të fituar, jo si me një qytet të vetin. Si me një pronë që e ka trashëguar nga historia, por që nuk e ndien. E shfrytëzon, e shet, e jep, por nuk e mbron, nuk e zhvillon dhe nuk e trajton me dinjitetin që meriton.
Propozimi im është ky: Mali i Zi është shtet i karakterit qytetar sipas Kushtetutës dhe duhet të sillet me çdo komunë në mënyrë të njëjtë dhe të trajtojë çdo komunë si të veten edhe pse në Ulqin shumica e qytetarëve janë shqiptarë. Po ashtu duhet ta kemi të qartë se Ulqini nuk e gjeti këtu Malin e Zi, por përkundrazi Ulqini ka pasur statusin e qytetit shekuj e mijëvjeçarë para themelimit të shteteve moderne, mbretërive në këto vise. Pra, duhet të trajtohet fillimisht me kujdes dhe si pjesë e territorit të vet në qoftë se synojmë integrime serioze dhe ndërtimin e një identiteti të përbashkët si shtetas të Malit të Zi, përndryshe strategjitë integruese të tanishme të Malit të Zi sa i përket Ulqinit vetëm rrisin distancën dhe moskomunikimin.

(Autori është këshilltar i Lëvizjes Qytetare URA në Kuvendin e Komunës së Ulqinit)

Të fundit

më të lexuarat