Qindra familje malësore imigruan sipas kuotës amerikane të emigracionit

Gjekë Gjonlekaj / New York

Malësorët shqiptarë janë shpërngulur nga trojet e tyre qysh në kohërat antike. Pushtimet e perandorive të ndryshme, duke filluar nga ato romake, sllave e otomane e të tjera bënë që iliro-arbërorët dhe më vonë pasardhësit e tyre shqiptarët të nguliten në toka të huaja, ku gëzonin më shumë liri se në atdheun e tyre të robëruar. Shumë nga ato shpërngulje nuk janë shënuar dhe kështu janë humbur gjurmët e tyre pa asnjë shenjë. Nuk është bërë pothuajse asgjë për vendet ku ishin vendosur malësorët pas largimit nga atdheu i tyre.
Malësorët shqiptarë kishin zbritur drejt Epirit e Thesalisë, pjesa tjetër drejt Italisë, Dalmacisë deri në Lindjen e Mesme dhe në Egjipt, arbëreshët katolikë të Italisë pas më shumë se një shekulli ishin asimiluar në shumicë duke u përzier me popullin italian dhe kështu kishin humbur gjuhën shqipe, traditat kombëtare, çfarë nuk ndodhi me arbëreshët ordodoksë ngase ata i qëndruan besnikë gjuhës arbëreshe, pastaj historisë dhe kulturës kombëtare. Pothuajse të gjithë autorët e njohur arbëreshë të Italisë ishin të besimit ortodoks. Ata shkuan atje pothuajse 600 vjet më parë dhe një pjesë e dukshme e tyre flasin arbërisht sot e kësaj dite, duke qenë krenarë për të kaluarën e tyre. Heroi i tyre kombëtar është sot e kësaj dite Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe kudo në qytetet arbëreshe mund të vërehen përmendoret dhe lapidaret e heroit tonë kombëtar.
Natyrisht se edhe malësorët e Labeacisë dhe më vonë arbërorët e Malësisë kishin braktisur nëpër shekuj trojet e tyre. Para pak më shumë se një shekull, disa malësorë ishin vendosur në dy-tri vende të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara. Ata ishin vendosur atje përkohësisht dhe kjo tregon qëllimin e tyre. Ata ishin kthyer pa fitime të dukshme, por pas disa vjetësh ata ishin kthyer në vendlindjet e tyre.
Por një shpërngulje e madhe, më mirë të them një eksod i trishtueshëm i malësorëve filloi në fund të viteve ‘60 të shekullit të kaluar dhe vazhdoi deri para disa vjetësh. Ikjet në shumicë nga fushat dhe malet e Malësisë ishin fenomene të dhimbshme, ndonjëherë edhe tragjike.

Një shpërngulje e madhe, më mirë të them një eksod i trishtueshëm i malësorëve filloi në fund të viteve ‘60 të shekullit të kaluar dhe vazhdoi deri para disa vjetësh. Ikjet në shumicë nga fushat dhe malet e Malësisë ishin fenomene të dhimbshme, ndonjëherë edhe tragjike


Mund të shtrohet pyetja se pse emigrimet e malësorëve ishin aq masive?
Përgjigjja është shumë e lehtë. Malësorët u larguan kryesisht nga varfëria ekonomike që ishte pasojë e politikës diskriminuese, fillimisht jugosllave dhe më vonë serbo-malazeze. Malësorët shqiptarë që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kishin humbur pothuajse të gjitha të drejtat kombëtare nga regjimet e knjazëve, të krajlave dhe më vonë të diktatorëve komunistë. Por as demokracia serbo-malazeze pas viteve ‘90 nuk bëri asnjë ndryshim të dukshëm për të mirën e Malësisë. Unë personalisht i kam përjetuar në Malësinë tonë episodet e Migjenit: “A do qymyr zotni?”. I kujtoj me dhimbje gratë dhe burrat malësorë që niseshin herët në mëngjes, më mirë të them para drite, për të shitur qymyrin e tyre në Podgoricë. Këtu fillonte mjerimi dhe vazhdonte në forma të ndryshme. Këto dhe shumë padrejtësi të tjera bënë që malësorët të braktisin njëherë e përgjithmonë vendlindjet e tyre. Makineria politike serbo-malazeze i kishte vënë në veprim të gjitha mekanizmat politike dhe ekonomike për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në Malësi. Kështu ndodhi edhe me viset tjera shqiptare në këtë republikë të vogël jugosllave. Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë kishin qenë shumë shqetësuese për Jugosllavinë e atëhershme. Kjo protestë për të drejta kombëtare u njoftua zyrtarisht nga të gjitha agjencitë ndërkombëtare të lajmeve. Bile gazetarët e huaj në një konferencë shtypi e kishin pyetur Josip Broz Titon për demonstratat e Kosovës në Prishtinë. Ky kishte qenë grushti më i madh politik kundër Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore. Ata kishin frikë se udhëheqësit e këtyre protestave kishin lidhje me Shqipërinë dhe se këto aktivitete mund të zgjeroheshin përtej Kosovës, sidomos në zonat kufitare me atdheun e tyre mëmë.
Largimi pa dhunë ishte përgatitur në zyrat e sigurimit malazez, në bashkëpunim me disa shqiptarë që kishin qenë besnikë të tyre. Ata jetonin në Itali dhe kishin qenë besnikë të Sigurimit qysh në kohën kur kishin braktisur Shqipërinë diktatoriale dhe ishin pritur mirë gjatë qëndrimit të përkohshëm në Mal të Zi. Në fund të viteve ‘60 e deri në vitet e para të vitit ’70, malësorët hynin në kampet e refugjatëve të Italisë. Ata gjatë këtyre viteve rrëfenin para autoriteteve italiane se gjoja ishin nga Shqipëria komuniste dhe e kishin braktisur atdheun për gjendjen e tyre katastrofike në atdhe. Ata i zhduknin pasaportat jugosllave para se të hynin në kampet e refugjatëve.
Zyra e Emigracionit Amerikan kishte një qëndrim politik shumë human dhe të drejtë për emigrantët politikë nga Shqipëria diktatoriale. Qindra e qindra familje malësore imigruan sipas kuotës amerikane të emigracionit. Kuotë të madhe për hyrjen e qytetarëve të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Trajtimi i mirë i shqiptarëve nga zyrat e larta të emigracionit amerikan kishte filluar në kohën kur John F. Kennedy ishte President i këtij vendi dhe as administrata të tjera nuk kishin ndryshuar qëndrim për çështjen e imigrimit të shqiptarëve në Amerikë, që do të thotë se kombi shqiptar ishte i privilegjuar nga zyrat e larta të emigracionit amerikan. Flitet se kjo ndërhyrje ishte bërë nga Papa Gjoni i 23-të gjatë takimit me Presidentin Kennedy në Romë.
Emigrantët e vërtetë nga Shqipëria komuniste kishin pritur imigrimin në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 1945 e deri në fillim të viteve ‘60. Ata bënin një jetë të vështirë në kampet italiane të refugjatëve. Por edhe pasi u mbyllën kampet italiane për refugjatët malësorë, ata gjetën rrugë tjera për të imigruar në Amerikë. Në Romë vepronin zyra private të emigracionit dhe malësorët vendoseshin në qytetet pranë Romës dhe bënin kërkesat e duhura në Konsullatën Amerikane në Romë ose Napoli për të imigruar në këtë vend. Ata jetonin me shpenzimet e veta dhe nuk merrnin asnjë lloj ndihme nga Italia dhe as nga zyrat ndërkombëtare të refugjatëve. Malësorët qëndronin në ato qytete ku ishin vendosur gjashtë muaj ose më shumë derisa merrnin të drejtën për imigrim në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë zyrat amerikane ishin shumë serioze që në ato grupe të mos kishte komunistë, fashistë e jo se jo nazistë. Ishte e ndaluar hyrja në Amerikë edhe për kriminelë lufte dhe ordinerë. Pak a shumë kërkohej një biografi e mirë familjare dhe shoqërore.
Më vonë, pas rënies së diktaturave, këto qëndrime kanë ndryshuar, duke i lehtësuar kriteret e imigrimit në Amerikë. Përpara se të miratohej imigrimi në Amerikë, zyrat përkatëse kërkonin një institucion privat, siç ishin për shembull kishat katolike ose edhe individë të dërgonin një letër garanci private, kështu që personi ose familja që emigronte duhej të priste në aeroport të qytetit ku do të vendosej. Malësorët bënin garancione për njëri-tjetrin dhe ndihmonin për gjetjen e punëve dhe të banesave ose të shtëpive për banim. Shumica e malësorëve ishin vendosur në Miçigan, kryesisht në qytetin Detroit. Ishin vendosur atje sepse në Detroit vepronin tri industritë më të mëdha të prodhimit të automjeteve më të ndryshme. Fabrika General Motors, Ford dhe Chrysler kishin vende të hapura dhe shumica e malësorëve filluan punën nëpër ato fabrika që paguanin shumë mirë, por punët në ato fabrika gjigante ishin shumë të vështira. Shumica qëndruan atje deri kur dolën në pension. Shumica e malësorëve u vendosën në atë kohë në Miçigan, por nuk munguan as në Nju Jork dhe në Kaliforni. (vijon)

Të fundit

më të lexuarat