
Është kjo një datë historike, pasi i parapriu asaj që sot është famullia e parë katolike shqiptare në Amerikë, Famullia e Zojës së Shkodrës këtu në Hartsdale të Nju Jorkut, dhe në të njëjtën kohë shënon fillimin e një veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ideja largpamëse e krijimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane ishte e meshtarëve të atëhershëm të komunitetit katolik, Dom Zef Oroshit dhe At Andreu Nargaj, të përkrahur nga një grup i vogël por entuziast bashkëpuntorësh, disa prej të cilëve janë këtu, të pakën një e di se është këtu, z. Tonin Mirakaj.
Për qëllime historike, meriton të përmendet fakti se në mbledhjen e parë të përgjithëshme të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u zgjodh Këshilli i parë prej shtatë anëtarësh, e që përbëhej prej Dr. Enrik Gurashi, kryetar, Tonin Mirakaj, sekretar, Loro Stajka, arkatar dhe anëtarët Zef Çupi, Mark Bajraktari, Zef Pashko Deda dhe Zef Hasani. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj njërin prej këtyre aktivistëve dhe anëtarëve origjinal të LKSHA-së, z. Tonin Mirakaj për ndihmën që më dha me dokumentacion dhe dëshmi personale, me burime të dorës së parë, në rrëfimin e historisë dhe të veprimtarisë së Lidhjes Katolike gjatë 50-vjetëve të kaluara, veprimtari kjo në të cilën, në një mënyrë ose në një tjetër, ai ishte vet pjesëmarrës i drejtpërdrejtë.
Anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u lëshohej një librezë (si kjo, të cilën unë e ruaj qysh se jam bërë anëtar me 8 mars, 1971), me një kuotë anëtarësie prej një dollari në muaj. Si anëtar i denjë i Lidhjes Katolike me qëllimin përpara, me moton e punës për objektivin e rëndësishëm në të ardhmen “Për Fe e Atdhe”, të lidhura e të bashkuara me unazën “Përparim” trashëguar nga para-ardhësit kishtarë atdhetarë shqiptarë, – çdonjëri që dëshironte të bëhej anëtar i kësaj lëvizjeje të re në Amerikë, vullnetarisht i vënte vetes detyrë për të qenë: a) “katolik i mirë, praktikues i fesë; b) shqiptaro-amerikan i ndershëm; c) vijues i traditave të mira kombëtare, të gërshetuara me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane.” Themelimi i LKSHA dhe i kishës eventualisht ishte më urgjent, po të merrej parasysh në atë kohë politika e regjimit komunist të Tiranës kundër Kishës Katolike, që kishte në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, të cilin brutalisht e vrau, e burgosi dhe e torturoi deri në zhdukje. Mbylli kisha e xhamia, dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë morën vendimin absurd me shpalljen e Shqipërisë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe të Madhin Zot. Themelimi i LKSHA-së u bë me vetdije të plotë nga klerikët Dom Zef Oroshi dhe At Nargaj me bashkëpuntorët e tyre të ngushtë që sipas fjalëve të At Shtjefën Gjeçovit, “Atdhetarë vllazën, mos kjoftë thanun prej kujt se pa besim të vërtetë, mund të bahena atëdhetarë të vërtetë! Ku t’ zhduket emni i madhnueshëm i besimit, mos pyetni për atë komb, se nana e zezë do ta haje, e vendin e vet e qet në flakë… dhe se ai që përbuzë besimin, i del i pabesë si besimit si atdheut…pasi ata që punojnë këso dore nuk kanë farë dashnije as për njënin as për tjetrin…”
Lidhja Katolike e krijuar në bazë të parimeve të lartpërmendura, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi politik, favorizonte dhe vazhdon edhe sot të bashkëpunojë me çdo grup a individ që përpiqet t’i shërbejë interesave të atdheut dhe kombit shqiptar pa dallim feje e krahine. Ajo fillimisht përbëhej nga anëtarë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, shumica të arratisur për të shpëtuar nga kthetrat e komunizmit, të ardhur nga malet e nga fushat, nga trojet shqiptare anembanë Ballkanit, ruajtës të traditave tona shekullore, por dhe njerëz të shkollës. Vështirsitë ishin të mëdha, por një ndër hapat më energjikë dhe frymëzues të Dom Zef Oroshit ishte apeli që ai i bëri, më 1968, të gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan pa dallim feje, krahine a ideje që të përkrahnin krijimin e një qendre fetaro-kombëtare. Kësaj thirrrjeje iu përgjigjën shqiptarët katolikë, myslimanë e ortodoksë, me ndihma morale dhe materiale, duke shënuar si gjithmonë një dëshmi të gjallë e konkrete tolerance, bashkëpunimi e vëllazërimi midis shqiptarëve.
Duke folur për përpjekjet vendimtare të krijimit të qendrës së re, Dom Zef Oroshi pat thënë se kishte mësuar nga përvoja e Peshkop Fan Nolit vite më parë dhe se ajo përvojë e kishte bindur atë, se në qoftë se komuniteti shqiptar në Amerikë nuk duhej të shkrihej – duke humbur gjuhë, kulturë e tradita – atëherë ishte e nevojshme ndërmarrja e çdo sakrifice për të përballuar çdo sfidë e çdo pengesë për themelimin e Qendrës Katolike.
Ky përvjetor ka një rëndësi historike, pasi shënon fillimin e një fushate që pat mbjellë farën e parë duke mbledhur fillimisht 4.000 dollarë për blerjen e Qendrës Katolike Shqiptare, e që tre vjet më vonë u pasua me botimin e rëvistës Jeta Katolike Shqiptaro-Amerikane, pasi Lidhja Katolike kishte nevojë për një botim zëdhënës, por për më tepër kjo ishte edhe revista e vetme katolike shqiptare në botë, që shërbeu për të mbajtur gjallë lidhjet me të afërm dhe me të largët. Para se të fillonte botimi i revistës Jeta Katolike, popullarizimin e Lidhjes së re në komunitet dhe më gjërë, e kishte marrë përsipër Tonin Mirakaj me artikujt e tij të botuar në gazetën Shqiptari i Lirë. Kështu që në një mënyrë Tonini, si sekretar i parë, dhe gazetat Shqiptari i Lirë dhe Dielli ishin propaganduesit e parë të veprimtarisë fetare dhe patriotike të Lidhjes së re Katolike.
Megjithëse gjatë kësaj periudhe, shërbimet fetare të komunitetit katolik shqiptar bëheshin nepër kisha të ndryshme amerikane, puna e rëndë e kryetarit Dom Zef Oroshit dhe anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane si dhe serioziteti i kësaj nisme të komunitetit të vogël katolik, 50-vjetë më parë, u kurorëzua natën e Krishtlindjes të dhjetorit 1969, kur u tha mesha e parë në Qendrën Katolike Shqiptare në 4221 Park Avenue të lagjës Bronks. Kryetari i Lidhjes Katolike Dom Zef Oroshi, në predikimin e tij me këtë rast përshëndeti grigjën e tij duke u thënë: “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej. Siç pat thënë vite më parë, në krijimin e Lidhjes Katolike me 1962, Dom Zefi rithkesoj edhe me ketë rast se “Kjo sot është një shkëndi e vogël që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë edhe votrat e errësueme në Atdhe” – duke shtuar se “Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqe për gjithkënd dhe me gjithkënd.”
Kishës së parë katolike shqiptare në Nju Jork, me dekret të Arqipeshkvit të atëhershëm të Nju Jorkut, Eminences së tij Terence Kardinal Cooke, iu njohën të gjitha të drejtat si famulli e plotë, me përjashtim të emërtimit famulli, përfshirë të drejtën e rezidencës së famullitarit në Qendër, si dhe të drejtën për të pasur vulën zyrtare dhe të drejtat për të kryer shërbimet fetare si pagëzime, kurorëzime dhe funerale.
Akordimi nga Kardinali Terence Cooke, Qendrës Katolike Shqiptare i të drejtave kanonike për të kryer të gjitha shërbimet fetare aty, ishte shumë i rëndësishëm pasi me këtë të drejtë, shqiptarët katolikë nuk ishin më të detyruar të shkonin nga një kishë amerikane në tjetrën për nevojat e tyre shpirtërore e fetare, duke emëruar Mons. Zef Oroshin administrator të Qëndrës dhe bashkëpuntor të tij Dom Rrok Mirditën, i ardhur nga Arqipeshkvia e Tivarit, i cili me entuziazmin e tij sjellë një bashkëpunim të zellshëm e të frytshëm duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë. Por, ndërsa komuniteti i besimtarëve katolikë sa vinte e shtohej gjatë viteve, nevoja për një kishë më të madhe po bëhej më urgjente. Nga shënimet historike mbi jetën dhe veprimtarinë e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane del se meshtarët, në marrëveshje me Këshillin e Kishës vendosën t’i lëshojnë një thirrje të re mbarë popullit të komunitetit shqiptaro-amerikan për një ndihmë të posaçme për të bërë të mundur ndërtimin e një kishe të re, më të madhe, pasi numri i emigrantëve sa vinte e shtohej sidomos i atyre nga trojet tona në ish-Jugosllavi. Pas lejeve dhe aprovimeve të nevojshme nga autoritetet shtetërore dhe kishtare amerikane, më 24 shtator, 1978 bëhet inaugurimi i kishës së re me një meshë madhështore dhe pjesëmarrje të madhe bashkatdhetarësh nga i mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, me përfaqsues të të gjitha feve dhe nga mbarë viset shqiptare. Nuk ishte kjo një ndërmarrje aspak e lehtë. Në një editorial të gazetës Dielli të asaj kohe, kryeredaktori Xhevat Kalljaxhiu përshëndet hapjen e Kishës Katolike shqiptare në Bronks, si “një vepër me të vërtetë të madhe”, dhe uron e përgëzon ‘’iniciatorin e vjetër e kryesor, Monsinjor Zef Oroshin, të Përndershmin Rrok Mirditën, këshillat dhe besimtarët, që nuk kursyen prej shumë vjetësh, ndihmën morale dhe materiale për këtë vepër të shenjtë fetare e kombëtare’’, si “ndërgjegjës të misIonit të tyre jo vetëm si predikues të fjalës së Zotit, por edhe si predikues të Shqiptarizmit e të vëllazërimit midis shqiptarëve’’, përfundoi editorialin ish-gazetari i njohur i Zërit të Amerikës Xhevat Kallajxhiu. Në ndërkohë, shqiptarët katolikë të Nju Jorkut kishin ndezur edhe një shkëndi tjetër atë të ‘’ Shën Pjetrit e Palit’’, nën udhëheqjen e meshtarit Dom Lazër Shëldija, e cila në shkurt të vitit 1987, me miratimin e këshillave dhe të meshtarëve të tyre, Dom Rrok Mirdita dhe At Andrew Nargaj ndërmorën vendimin për bashkim historik, në një kishë të përbashkët, kushtuar Pajtores së Shqiptarëve, Zojës së Shkodrës. Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anembanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera.
