Qëllimi përfundimtar i
Putinit nuk është Ukraina, por qytetërimi perëndimor…

Vladimir Sorokin

Evropa tani duhet të merret jo me ish-Putinin, por me Putinin e ri i cili e hodhi mënjanë maskën e tij të “partnerit në biznes” dhe të “bashkëpunëtorit paqësor”. Nuk do të ketë kurrë më paqe me të. Si dhe pse ka ndodhur kjo?
Në filmin e fundit të trilogjisë “The Lord of the Rings” të Peter Jacksonit, kur Frodo Baggins duhet të hedhë në llavën përvëluese Unazën e mallkuar të Fuqisë, atë unazën që u ka sjellë shumë vuajtje dhe luftë banorëve të Tokës së Mesme, papritmas vendos ta mbajë për vete. Dhe, me vullnetin e unazës, fytyra e tij befas nisë të ndryshojë duke u bërë e lig dhe e keqe. Unaza e Fuqisë e kishte marrë atë në zotërim të plotë. Megjithatë, në librin e Tolkienit ka një fund të lumtur …
Kur Putini u vendos në fronin e pushtetit rus nga një Boris Yeltsin i sëmurë, më 1999, fytyra e tij ishte mjaft simpatike, madje tërheqëse, ndërsa retorika e tij ishte shumë e shëndoshë. Shumëkujt iu duk se njeriu që ngjitej në majat e piramidës ruse të pushtetit ishte zyrtar inteligjent pa krenari dhe arrogancë dhe një individ modern që e kuptonte se Rusia post-sovjetike kishte vetëm një rrugë të mundshme për të ardhmen: demokracinë. Foli jo pak për demokracinë në intervistat e tij të asaj kohe, duke ua premtuar qytetarëve të Federatës Ruse vazhdimin e reformave, zgjedhjet e lira, lirinë e fjalës, respektimin e të drejtave të njeriut nga autoritetet, bashkëpunimin me Perëndimin dhe, më e rëndësishmja, një rotacioni të vazhdueshëm të atyre që janë në pushtet.
“Nuk e kam ndërmend të lidhem për këtë karrige”, ka thënë ai.
Në Rusi, siç e dinë të gjithë, njerëzit ende besojnë te fjalët dhe paraqitjet e qëndisura të sundimtarëve. E, në atë kohë, ky njeri ishte “individ i këndshëm në çdo aspekt”, siç shkroi Nikolai Gogol për protagonistin e tij te “Shpirtrat e vdekur”: i hapur për diskutim, i gatshëm t’i kuptojë të gjithë, serioz e jo pa humor apo aftësi që të bëjë shaka me veten.
Për më tepër, disa politikanë, intelektualë dhe teoricienë politikë të cilët tash janë kundërshtarë të ashpër të Putinit e të sistemit të tij, e mbështetën atë; disa prej tyre madje kaluan nëpër dyert e shtabit të fushatës së tij për ta ndihmuar që t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme. Dhe, ia doli. Por, Unaza fatale e Fuqisë ruse tashmë ishte në gishtin e tij dhe po e kryente punën e vet tinëzare: një përbindësh perandorak nisi ta zë vendin e këtij individi të pashëm e të këndshëm.
Në Rusi pushteti është piramidë. Kjo piramidë u ndërtua nga Ivani i Tmerrshëm në shekullin XVI – një car ambicioz, brutal e i pushtuar nga paranoja e shumë vese tjera. Me ndihmën e ushtrisë së tij personale – opriçnina – e ndau në mënyrë mizore dhe gjakatare shtetin rus në pushtet dhe në njerëz, miq dhe armiq, e hendeku mes tyre u bë hendeku më i thellë. Miqësia e tij me Hordhinë e Artë e bindi se e vetmja mënyrë për të sunduar gjigantin e Rusisë ishte duke u bërë pushtues i kësaj zone të madhe. Pushteti zotërues duhej të ishte i fortë, mizor, i paparashikueshëm dhe i pakuptueshëm për njerëzit. Populli nuk duhet të ketë zgjidhje tjetër veçse t’i bindet dhe ta adhurojë. Dhe, një person i vetëm ulet në majën e kësaj piramide të errët; një person i vetëm zotëron pushtetin absolut dhe të drejtën për të gjithë.
Në mënyrë paradoksale, parimi i fuqisë ruse nuk ka ndryshuar shumë në pesë shekujt e fundit. E konsideroj këtë si tragjedinë kryesore të vendit tonë. Piramida jonë mesjetare ka qëndruar lartë gjatë gjithë asaj kohe; sipërfaqja e saj ka ndryshuar, por kurrë forma bazike. Dhe, ka qenë gjithmonë një sundimtar i vetëm rus i ulur në kulmin e saj: Pjetri I, Nikolla II, Stalini, Brezhnevi, Andropovi … Sot Putini është ulur në kulmin e saj për më shumë se 20 vjet. Pasi ka shkelur premtimin e vet ai lidhet për karrige me gjithë fuqinë e tij. Piramida e Pushtetit e helmon sundimtarin me autoritet absolut. Lëshon dridhje arkaike mesjetare te sundimtari dhe te brezi i tij, mbase duke u thënë: “Jeni zotërit e një vendi integriteti i të cilit mund të ruhet veç me dhunë dhe me mizori; bëhu i padepërtueshëm, si unë, aq edhe mizor e i paparashikueshëm, se çdo gjë të lejohet, se duhet të shkaktosh tronditje dhe frikë te popullata jote, se populli nuk duhet të të kuptojë, por duhet të ta ketë frikën”.
Mjerisht, Jelcini i cili erdhi në pushtet në kulmin e valës së Perestrojkës, nuk e shkatërroi formën mesjetare të piramidës; thjesht e rinovoi sipërfaqen e saj – në vend të betonit të zymtë sovjetik u bë shumëngjyrëshe dhe u mbulua me tabelat që reklamonin mallra perëndimore. Piramida e Fuqisë i përkeqësoi tiparet më të këqija të Jelcinit: u bë i pasjellshëm, ngacmues dhe alkoolik. Fytyra e tij u kthye në maskë të rëndë e të palëvizshme të arrogancës së paturpshme. Nga fundi i sundimit të tij, Jelcini e nisi një luftë të pakuptimtë në Çeçeni kur ky vend vendosi të shkëputej nga Federata Ruse. Piramida e ndërtuar nga Ivani i Tmerrshëm arriti të zgjonte imperialistin edhe te Jelcini, një demokrat ky jetëshkurtër: si car rus dërgoi tanke dhe bombardues në Çeçeni duke e dënuar popullin çeçen me vdekje dhe me vuajtje.
Jelcini dhe krijuesit tjerë të Perestrojkës që e rrethonin, jo vetëm që nuk e shkatërruan Piramidën e mbrapshtë të Pushtetit, por nuk e varrosën as të kaluarën sovjetike – ndryshe nga gjermanët e pasluftës që varrosën kufomën e nazizmit të tyre në vitet 1950. Kufoma e këtij përbindëshi që kishte asgjësuar dhjetëra miliona qytetarë të vet e që e kishte kthyer vendin 70 vjet pas në të kaluarën, u mbështet në një cep: do të kalbet vetë, menduan ata. Por, doli se nuk kishte vdekur.
Pas ardhjes në pushtet, Putini nisi të ndryshojë. Dhe, ata që fillimisht e mirëpritën sundimin e tij, gradualisht e kuptuan se këto ndryshime nuk ishin të mira për Rusinë. Kanali televiziv NTV u shkatërrua, kanalet tjera nisën të kalonin në duart e bashkëpunëtorëve të Putinit pas së cilës gjë hyri në fuqi regjimi i censurës së rreptë: tash e tutje Putini nuk prekej nga kritikat.
Mikhail Khodorkovsky, kreu i kompanisë më të pasur e më të suksesshme në Rusi, u arrestua dhe u burgos për 10 vjet. Kompania e tij “Yukos” u grabit nga miqtë e Putinit. Ky “operacion special” u krijua për t’i frikësuar oligarkët tjerë. Kjo edhe ndodhi: disa prej tyre u larguan nga vendi e pjesa tjetër u betuan për besnikëri ndaj Putinit. Disa madje u bënë financues të tij.
Piramida e Fuqisë vibronte dhe dridhjet e saj e ndalën kohën. Si një ajsberg i madh, vendi po lundronte nëpër të kaluarën – fillimisht te e kaluara sovjetike, pastaj te e kaluara mesjetare.
Putin deklaroi se rënia e BRSS-së ishte katastrofa më e madhe e shekullit XX. Për gjithë njerëzit sovjetikë me mendje të shëndoshë, rënia ishte veçse bekim; ishte e pamundur ta gjeje një familje të vetme të padëmtuar nga Rrota e Kuqe e represioneve staliniste. Miliona u asgjësuan. Dhjetëra miliona u helmuan nga tymrat e komunizmit – qëllim i paarritshëm që kërkon sakrifica morale dhe fizike nga qytetarët sovjetikë. Por, Putini nuk arriti ta tejkalonte oficerin e KGB-së brenda tij; oficerin që ishte mësuar se BRSS-ja ishte shpresa më e madhe për përparimin e njerëzimit dhe se Perëndimi ishte armik i aftë vetëm për korrupsionin. Duke e vënë në lëvizje makinën e tij kohore drejt të kaluarës, dukej sikur po kthehej në rininë sovjetike ku ndjehej shumë rehat. Gradualisht i detyroi të gjithë nënshtetasit e tij të kthehen atje.
Perversiteti i Piramidës së Pushtetit qëndron në faktin se ai që ulet në kulmin e saj e transmeton gjendjen e tij psikosomatike për gjithë popullsinë e vendit. Ideologjia e putinizmit është mjaft eklektike; respekti për sovjetikën rri krah për krah me etikën feudale – Leninin që ndan shtratin me Rusinë cariste dhe me krishterimin ortodoks rus.
Filozofi i preferuar i Putinit është Ivan Ilini – monarkist, nacionalist rus, antisemit dhe ideolog i Lëvizjes së Bardhë që u dëbua nga Lenini prej Rusisë Sovjetike në vitin 1922 dhe që e përfundoi jetën në mërgim. Kur Hitleri erdhi në pushtet në Gjermani, Ilini e uroi përzemërsisht për “ndërprerjen e bolshevizimit të Gjermanisë”. “Refuzoj kategorikisht të vlerësoj ngjarjet e tre muajve të fundit në Gjermani nga këndvështrimi i hebrenjve gjermanë … Hipnoza liberal-demokratike e mosrezistencës është hedhur poshtë …”, shkroi ai. Megjithatë, kur Hitleri deklaroi se sllavët ishin racë e rëndit të dytë, Ilini u ofendua dhe Gestapoja shpejt e çoi në paraburgim për kritikat që nisi t’i bënte. Më pas ai u shpëtua nga Sergei Rahmaninovi dhe u nis për në Zvicër.
Në artikujt e tij Ilini shpresonte se, pas rënies së bolshevizmit, Rusia do ta kishte Fyhrerin e vet të madh i cili do ta çonte vendin nga gjunjët. Në të vërtetë, “Rusia që çohet nga gjunjët” është slogani i preferuar i Putinit dhe i putinistëve të tij. Nga Ilini i merr gjithashtu udhëzimet kur flet me përbuzje për një shtet ukrainas “të krijuar nga Lenini”. Në fakt, Ukraina e pavarur nuk u krijua nga Lenini, por nga Rada Qendrore në janar 1918, menjëherë pas shpërbërjes së Asamblesë Kushtetuese nga Lenini. Ky shtet u ngrit për shkak të agresionit të Leninit, por jo falë përpjekjeve të tij. Lenini ishte i bindur se nëse, pas bolshevikëve, autoritetet në Rusi “bëhen antikombëtare dhe antishtetërore, servile ndaj të huajve, për ta copëtuar vendin, për t’u bërë patriotikisht joparimorë, duke mos mbrojtur ekskluzivisht interesat e kombit të madh rus pa i marrë parasysh rusët e vegjël kurva [ukrainasit]të cilëve Lenini ua dha shtetësinë, atëherë revolucioni nuk do të përfundonte po do të hynte në fazën e re të zhdukjes nga dekadenca perëndimore”.

Të fundit

më të lexuarat