Qëllimi i organizatorëve – ruajtja dhe transmetimi i trashëgimisë së lashtë

Në ditën e parë të karnavaleve u mbajt “Ballo nën Maska”; ditën e dytë “Karnavali i fëmijëve” dhe “Mbrëmja e humorit – Bashkim Alaj dhe këngëtari Malësori”; ditën e tretë “Nata e Saragave dhe Grupi “MARS”; dhe në ditën e katërt dhe përbyllëse “Mbrëmja finale dhe koncerti i Sabri Fejzullahut”

Tuz – “Karnevali-Koret”, një manifestim me një traditë pothuajse tridhjetëvjeçare me karakter kulturor e zbavitës, u organizua në Malësi, i cili për katër ditë rresht mblodhi një numër të madh qytetarësh nga vendi dhe rajoni, por edhe grupe të shumta pjesëmarrëse edhe nga qytetet e tjera të Malit të Zi dhe nga rajoni.
Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Karnevali-Koret”, Arton Gjokaj për gazetën “Koha Javore” shprehet se këtë vit karnavaleve u është rikthyer ai shkëlqimi i plotë të cilin e kishin deri në vitin 2020 (para pandemisë), sepse u rikthyen maskat dhe defilimi i grupeve të cilat kishin munguar.
“Motivi dhe qëllimi i organizatorëve është që kjo trashëgimi të ruhet dhe të përcillet tek brezat e rinj, dhe mu për këtë arsye karnavali ka program të paraparë për të gjitha grupmoshat, që nga ata më të vegjlit e deri të rriturit. Tuzi falë sukseseve në karnevale, sot rënditet në qytet më të njohura të karnevaleve jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë. Në lidhje me këtë, Komuna e Tuzit është anëtare e plotë e Federatës Evropiane të Qyteteve të Karnevaleve (FECC)”, thekson Gjokaj.
I pyetur se në ç’nivel është interesimi i të rinjve sot për t’u bërë pjesë e këtij manifestimi, kryetari i Shoqatës “Karnevali- Koret”, Arton Gjokaj tregon se viteve të fundit ka një rënie të interesimit nga të rinjtë, megjithatë, siç tha, organizime të këtilla që sjellin artistë dhe këngëtarë me famë gjithëshqiptare ngjallin mjaft interesim dhe tubojnë numër të madh të qytetarëve si nga Malësia ashtu edhe nga qytetet e tjera si Ulqini, Shkodra, Plava dhe Gucia.
“Këtë vit në karnevale merr pjesë edhe grupi nga Tirana. Programi i përmbushur dhe zbavitës, me dhjetëra ekipe pjesmarrëse në karnaval të fëmijëve dhe po aq në atë të të rriturve, me artistë si Sabri Fejzullahu, Malësori, Bashkim Alaj dhe Grupi “Mars”, po e kthejnë Tuzin vërtetë në një qytet festiv dhe modern”, thekson Gjokaj.
Kryetari i Shoqatës “Karnevali- Koret” hapjen zyrtare të karnavaleve e bëri të premten (17 shkurt 2023) me takimin që zhvilloi me udhëheqësinë e Komunës së Tuzit dhe me kryetarin Gjeloshaj, me ç’rast e falëndëroi Komunën për mbështetje.
“Ishte ky një takim i qëlluar pasi që shoqata “Karnevali- Koret” falënderoi Komunën për mbështetjen, sidomos në këto katër vitet e fundit ku shoqata jonë gëzon statusin e veçantë”, u shpreh Gjokaj.
Në ditën e parë të karnavaleve u mbajt “Ballo nën Maska”; ditën e dytë “Karnavali i fëmijëve” dhe “Mbrëmja e humorit – Bashkim Alaj dhe këngëtari Malësori”; ditën e tretë “Nata e Saragave dhe Grupi “MARS”; dhe në ditën e katërt dhe përbyllëse “Mbrëmja finale dhe koncerti i Sabri Fejzullahut”. Gjatë mbrëmjeve të karnavalit u organizua edhe “Carnival bazar” në qendër të Tuzit.
Në karnevalin e Tuzit tashmë rregullisht marrin pjesë ekipet mysafire nga qytetet e tjera të Malit të Zi dhe rajoni, gjë që i jep këtij manifestimi një karakter më të gjerë rajonal. Grupet pjesemarrëse në natën finale ishin nga Malësia, Shkodra, Tirana, Budva dhe Tivati.
Tradicionalisht karnavali mbyllet me ndezjen e “shrigës” që këtë vit u punua në formën e një dore e cila shtyp butonin e luftës, e që simbolikisht përcjell mesazhe për ndalimin e agresionit në botë duke promovuar kështu paqen, argëtimin dhe dashurinë.
Ky është viti i njëzetetetë i organizimit të karnavaleve në Malësi.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat