Putini nuk duhet të ndalet, por të mposhtet

Vetëm një Putin i gjunjëzuar mund të jetë i mirë dhe i padëmshëm. Sot, rinia dhe i gjithë njerëzimi duan një botë ndryshe, më të bukur, më joshëse, jo si ajo e Putinit. Ata e meritojnë, edhe nëse duhet të paguajnë çmimin më të lartë për të: liria është më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër

Për Koha Javore: Fiqret Mujeziqi /Shtutgart

Lufta në Ukrainë ka ngjallur frikë dhe habi në botë. Frikë sepse konflikti mund të eskalojë dhe fundi mund të bëhet i paparashikuar, i habitur sepse standardet e vendosura botërore dhe e drejta ndërkombëtare nuk po respektohen. Rusia po sulmon një shtet të lirë, pa ndonjë pretekst dhe pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Rusia si një përbindësh i frikshëm tashmë ka hyrë në një aventurë të rrezikshme. Si një fuqi bërthamore, ajo përbën një kërcënim për të gjithë njerëzimin dhe botën e lirë. Ky është një shtet i oligarkëve të pasur dhe njerëzve të varfër. Me ardhjen në pushtet të V. Putinit, gjërat filluan të shkojnë në një drejtim të rrezikshëm: ai eliminoi të gjithë kundërshtarët e tij politikë, duke favorizuar një rreth të ngushtë oligarkësh që u pasuruan jashtëzakonisht shumë, ndërsa nga ana tjetër forcoi aparatin e dhunës për të ruajtur pushtetin e tij autoritar. Më 21 mars 2014 Rusia pushtoi Krimenë, e cila me rënien e BRSS-së, më 1991, i takonte Ukrainës (N. Hrushçov më 1954 ia kishte ndarë Republikës Sovjetike të Ukrainës). Bota nuk reagoi, sepse në njëfarë mënyre shikohej si “e drejtë“ e Rusisë mbi këtë territor, por edhe nga frika e prishjes së marrëdhënieve me Rusinë dhe zgjimi i demonit të fjetur.
Më vonë konflikti eskaloi gjithnjë e më tepër. Ukraina Lindore është në qendër të tensioneve me Rusinë. Njohja nga Moska e “Republikave Popullore” të Donjetskut dhe Luhanskut e çon konfliktin në një nivel të ri. Rusia sulmon, lufta e agresionit kundër Ukrainës e planifikuar dhe e urdhëruar nga Putini filloi më 24 shkurt 2022. Sulmi në shkallë të gjerë i nisur nga Rusia në të gjithë territorin e Ukrainës shënoi një pikë kthese për të gjithë Evropën. BE dhe SHBA reaguan duke miratuar sanksione kundër Rusisë dhe zonave separatiste të Ukrainës lindore. Rusët ndeshën në një rezistencë të paparë dhe plani për pushtimin e shpejtë të Ukrainës dështoi. Kësaj radhe edhe bashkësia ndërkombëtare dhe organizatat ndërkombëtare po reagojnë. Perëndimi nuk do t’i lërë në fatin e tyre ukrainasit, përfshirë ata që kërkojnë strehim jashtë atdheut të tyre. Nga ana tjetër, kjo luftë ka hapur dilema të mëdha se si do të duhej të përfundonte. Sidoqoftë fundi i saj, pasojat do të ndihen një kohë të gjatë, qoftë në rrafshin ekonomik apo politik.
Bazuar në ngjarjet në terren, një luftë e shpejtë dhe fitore ruse është e vështirë. Nga ana tjetër, do të ishte me pasoja fatale për botën e lirë, sepse oreksi pushtues nuk do të shuhej dhe mund të shkaktonte çrregullime edhe në vendet tjera e sidomos në Ballkanin Perëndimor. Një luftë e gjatë dhe rraskapitëse do të kishte pasoja të rënda ekonomike, sociale dhe politike. Një mundësi do të ishte largimi i Putinit nga skena politike dhe rivendosja e paqes në këto hapësira. Ky skenar është po ashtu i vështirë dhe mund të ndodhë vetëm nëse do të shpërthente një revoltë gjithëpopullore në Rusi. Por edhe po të kishte ndonjë rezistencë popullore në Rusi, kjo do të shtypej nga sistemi oligark i Putinit.
Karakteri i këtij regjimi rus pasqyrohet se cilat vende në botë e mbështesin atë: Koreja e Veriut, Bjellorusia, Eritrea, Siria, pra vendet më diktatoriale në botë. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta ketë të qartë se fitorja e Putinit në këtë rast nuk duhet lejuar kurrë, sepse jo vetëm Ukraina është në rrezik por i gjithë njerëzimi po kërcënohet nga një demon i tmerrshëm. Në Rusi, një punëtor fiton 400 dollarë në muaj, ndërsa një pensionist fiton 190 dollarë. Ata nuk duan luftë. Edhe të rinjtë rusë nuk duan të vdesin për Putinin dhe oligarkinë ruse, e cila zotëron jahte të shtrenjta dhe pasuri të pafundme. Një fitore për oligarkët rusë do ta bënte botën më të pasigurt dhe të frikshme, ndaj duhet ndaluar me çdo kusht që kjo të ndodhë. Bota e lirë dhe demokratike nuk duhet të shikojë, por të veprojë. Putini nuk duhet të ndalet, por të mposhtet. Vetëm një Putin i gjunjëzuar mund të jetë i mirë dhe i padëmshëm. Sot, rinia dhe i gjithë njerëzimi duan një botë ndryshe, më të bukur, më joshëse, jo si ajo e Putinit. Ata e meritojnë, edhe nëse duhet të paguajnë çmimin më të lartë për të: liria është më e shtrenjtë se çdo gjë tjetër.

Të fundit

më të lexuarat