Provokim i hapur në dëm të marrëdhënieve politike, etnike dhe fetare

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Ministria e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore të Malit të Zi ka pranuar propozimin e Mitropolisë së Malit të Zi dhe Bregdetit (MCP), që lokacioni në majën e Rumisë, ku në mesin e vitit 2005 u vendos në mënyrë të paligjshme një kishë, të përfshihet në Planin Hapësinor-Urbanistik të komunës së Tivarit, si vend për objekte fetare, ka shkruar para disa ditësh e përditshmja malazeze “Vijesti”, njofton portali Ulqini Online.
Sipas këtij njoftimi, botuar origjinalisht në gazetën malazeze “Vijesti”, ky akt është hapi i parë dhe kusht paraprak që e ashtuquajtura “Kisha e Trinisë së Shenjtë” në majë të Rumisë të legalizohet, del nga të dhënat në raportin e debatit publik mbi ndryshimet dhe plotësimet në “Planin Hapësinor Urbanistik” të Tivarit, publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë që drejtohet nga Sllaven Radunoviq, anëtar i partisë Demokracia e Re Serbe (Nova srpska demokratija), me qëllim për të mundësuar legalizimin e asaj “kishe” duke përcaktuar lokacionin në Rumi si një territor për të ndërtuar “objekte fetare”.
Ky akt ilegal nuk ka të bëjë asgjë me “Trininë Shejte”, me lirinë fetare, as me “demokracinë”, sepse kjo “kishë” teneqe propozohet për qëllime të caktuara djallëzore, nga qarqe antishqiptare të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, që ai “objekt fetar” të legalizohet për ndërtim në tokë të huaj – në trojet iliro-arbërore ndër shekuj. Në mënyrë aspak demokratike, se në Krajë dhe në Rumi ka vetëm shqiptarë autoktonë me shekuj, të cilët nuk pyeten fare për këtë nismë ilegale në vendlindjen e tyre – një lokacion ku nuk ka asnjë serb të fesë ortodokse dhe një krahinë kjo ku nuk ka shkelur kurrë këmba serbo-sllave. Por që është një krahinë në rrethin e qyteteve ndër më të lashta, Ulqin-Tivarit, me një histori të pasur iliro-arbërore, kishtare katolike dhe kulturoro-gjuhësore shqipe, nga ku kanë dalë një numër figurash historike shqiptare, si Gjon Buzuku e shumë të tjerë nga ajo zonë e Malësisë së Mbishkodrës. Një prej tyre, Gjon Buzuku, prift katolik, autor i “Mesharit”, që konsiderohet si vepra letrare më e vjetër shqipe, mendohet, sipas ekspertëve, ta ketë origjinën, pikërisht nga Kraja, aty ku sot Kisha Ortodokse Serbe ka në plan të legalizojë atë territor iliro-arbëror si pronë të saj, duke ndërtuar një “kishë”. Për kë?!
Kisha “teneqe” ortodokse serbe në majë të malit të Rumisë shqiptare, mal të cilit, më kujtohet se vendasit, historikisht por edhe sot, me krenari i këndojnë këngën “Moj Rumia bjeshkë e naltë…, ti u bafsh oj ma e naltë…”. Si e tillë, strategjikisht, ajo “kishë” mbikëqyr liqenin e Shkodrës dhe qytetin Shkodër!
Nuk është për t’u habitur, pra, se herët ose vonë, Kisha Ortodokse Serbe nuk do hiqte dorë nga ky projekt për ndërtimin e një kishe në majë të Rumisë, se kjo do të ndodhte duke marrë parasysh përpjekjet e pandërprera dhe afatgjata në vazhdim të Kishës Serbe, në bashkëpunim me elemente të tjera antishqiptare, përfaqësues të interesave serbo-ruse në Mal të Zi, me objektivin për të përvetësuar, ilegalisht, lokacione si maja e Rumisë, por edhe vende e zona të tjera, sidomos gërmadhat e kishave katolike të vjetra iliro-arbërore të atyre anëve, përfshirë ato të Shasit, në breg të liqenit, me të njëjtin emër.
Pjesë e këtyre përpjekjeve sllave për të ndryshuar identitetin kombëtar të asaj krahine shqiptare është, pra, edhe kjo e ditëve të sotme – duke zgjedhur rrugën “zyrtare” për të legalizuar “kishën” teneqe ortodokse serbe, të vendosur vite më parë me helikopter në majë të Rumisë nga Kisha Ortodokse Serbe.
Për lexuesit që ndoshta nuk janë të njohur me historinë e asaj zone, Rumia/Kraja është një krahinë e lashtë iliro-arbërore, një vend ku nuk ka pasur kurrë më parë kishë ortodokse serbe, por as popullsi sllave, siç tregojnë statistikat demografike edhe sot, megjithëse shumë shqiptarë të atyre zonave janë larguar nga vendi i të parëve të tyre, kryesisht për në Amerikë, për një jetë më të mirë, si rrjedhim i shtypjeve historike politiko-ekonomike nga sllavët ndaj shqiptarëve vendas, gjatë shekujsh.
Ka vite që me shkrime modeste, kohë pas kohe, jam munduar të tërheq vëmendjen – jo vetëm të lexuesve por edhe të autoriteteve shqiptare në Ulqin, Shqipëri dhe në Republikën e Kosovës, ndaj rrezikut që u kanoset trojeve shqiptare në Mal të Zi nga përpjekjet e pamëshirshme serbo-malazeze, me mbështetjen historike ruse, për të ndryshuar historiografinë e atyre trojeve me qëllim të zhdukjes së identitetit etnik, kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve, si banorë shekullorë të trojeve iliro-arbërore të zonës Ulqin-Tivar. Ka kohë që kam paralajmëruar se marrëveshja tri vjet më parë e ish-kryeministrit të Malit të Zi, me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviq, me Patriarkun e Kishës Serbe, Porfirije, do ta bënte më të lehtë për Kishën Ortodokse Serbe të shpallte pretendimet e saj false, tani në mënyrë zyrtare, për të mbrojtur “të drejtat” e saj fetare e kombëtare në krahinat shekullore iliro-arbërore, në krahinat Tivar-Ulqin, të banuara nga shqiptarët ndër shekuj.
Ja pra, Kisha Serbe ka filluar “procesin ligjor” për “legjitimimin” e vendosjes së një “kishe” ortodokse serbe në një lokacion në majë të malit të Rumisë, në Krajën e Gjon Buzukut, aty ku nuk ka asnjë besimtar sllav ortodoks, me pretendimin se ajo kishë me rrethinë, historikisht, është “pronë” e saj, sot e gjashtë shekuj më parë.
Kjo nismë “zyrtare” nga Kisha Ortodokse Serbe, për të përcaktuar atë lokacion në majë të Rumisë si një vend për ndërtim “objektesh fetare”, siç raportohet nga burimet mediatike malazeze, është pranuar për shqyrtim nga autoritetet. Kjo nismë, e pranuar nga ministria përkatëse e Qeverisë së Malit të Zi për t’u shqyrtuar për miratim, nuk është asgjë tjetër veçse një provokim i hapur i radhës, me mbështetje zyrtare të Qeverisë së Malit të Zi, por me ndikime shumë negative në marrëdhëniet politike, etnike dhe fetare në Mal të Zi. Për shqiptarët kudo, ky rast nuk duhet të jetë një çështje e izoluar që iu përket vetëm shqiptarëve nën Malin e Zi, por është një çështje që ka nevojë për vullnetin dhe aftësinë e gjithë shqiptarëve kudo për ta kundërshtuar, duke e parë këtë rast si çështje në mbrojtje të identitetit kombëtar e kulturor në trojet shqiptare në tërësi dhe si një e drejtë kombëtare të pacenueshme – si një çështje e sigurimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve, kudo qofshin ata.
Për fat të keq, historikisht, institucionet zyrtare vendore shqiptare në Mal të Zi, por edhe Tirana e Prishtina zyrtare kanë heshtur përballë kërcënimeve dhe janë shquar për moskujdesje ndaj mbrojtjes së objektivave historike të identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve, jo vetëm në Mal të Zi por edhe anembanë trojeve shqiptare. Kam drojë se ky mosinteresim ndaj trojeve shqiptare dhe historisë kombëtare vjen si pasojë e ideologjive të huaja të elitës shqiptare, e influencuar nga politikat ateiste, sllavo-komuniste, bolshevike në radhët e kësaj elite, sidomos në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe anembanë trojeve shqiptare. Një politikë që tani po e shohim më qartë se kurrë në këto 35 vite pas shembjes së Murit të Berlinit, që nga moskujdesi zyrtar po shkatërron identitetin, traditën dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve, në mohim të historisë – por në favor të një fryme të re globaliste, shkatërruese, antikombëtare.
Kisha shkruar në kohën kur përflitej për nismën famëkeqe, të ashtuquajtur, “Ballkani i Hapur”, se edhe në qoftë se kjo ide hidhet poshtë, eventualisht, nga ana e vendeve perëndimore, sllavo-serbët do të gjejnë mënyra të tjera për t’i realizuar planet e interesave të tyre afatgjata politiko-ekonomike në Ballkan, si gjithmonë në kurriz të interesave shqiptare. Priti se po hynë për penxhere, me mënyra të tjera “legjitime” dhe “zyrtare”, siç ishte marrëveshja e kryeministrit malazez me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviq, me Kishën Ortodokse Serbe – aleaten më të ngushtë të Rusisë së Putinit në Ballkan. Për fat të keq, po e përsëris se brezi aktual i politikanëve shqiptarë janë të paaftë të bëjnë shtetin për të mbrojtur kombin dhe as nuk po e zhvillojnë shoqërinë civile, as mekanizma të tjera që të mbrojnë shtetin, historinë dhe identitetin kombëtar nga pretendimet armiqësore dhe nga përvetësimi ilegjitim i tokës, identitetit dhe historisë kombëtare të shqiptarëve, nga fqinjët dashakeqës historikë.
Në fund të fundit, siç thotë populli, livadhi është i deleve që e kullosin. Si gjithmonë në të kaluarën, serbo-sllavët edhe sot duan të kullosin në livadhet e shqiptarëve, me heshtjen ndaj grabitjeve ilegjitime të trojeve shqiptare ose edhe me pëlqimin e vetë shqiptarëve.
Zoti ndihmë, si përhera!

Të fundit

më të lexuarat