Projektligji që rrezikon të drejtën e votës për diasporën

Qeveria e Malit të Zi ka bërë propozimin për ndryshimet në Ligjin për regjistrat e vendbanimit dhe vendqëndrimit, ku duhet vënë në dukje disa zgjidhje problematike për diasporën shqiptare në tekstin e propozuar të këtij projektligji

Dr. Angjell Gojçaj

Së pari, neni 4 i projektligjit ndryshon ligjin aktual, sipas të cilit një shtetas malazes që emigron nga Mali i Zi me këtë projektligj është i detyruar të çregjistrojë vendbanimin e tij në Tuz, Ulqin, Guci apo diku tjeter në Mal të Zi. Sipas ligjit aktual, ai nuk është i detyruar ta bëjë këtë, por lihet i lirë nëso do mund ta bëjë ose jo.
Ky projektligj ka shumë formulime të pakuptueshme si p.sh. formulimi “me qëllimin për të jetuar përgjithmonë në të” është problematik sepse, së pari, është e vështirë të provosh qëllimin e dikujt, dhe së dyti, një qytetar mund të ketë ndërmend të jetojë përgjithmonë në një vend tjetër, por ka shumë raste që nuk arrin të marrë të drejtën e qëndrimit në shtetet ku kanë migruar.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm në ligj aktual është futja e një neni të ri 19a – çregjistrimi i vendbanimit sipas detyrës zyrtare i cili përcakton, ndër të tjera, që Ministria e Brendshme do të lëshojë një vendim për çregjistrimin e vendbanimit, nëse një inspektim në terren konstaton se një qytetarë i Malit të Zi nuk jeton në adresën e regjistruar duke kontrolluar vendbanimin, vërtetohet se ai ka emigruar në një shtet tjetër në të cilin ka një qëndrim të përhershëm dhe nuk e ka çregjistruar vendbanimin e tij në mënyrën e përshkruar më sipër. Domethënë organet shtetërore do shkojnë shtëpi për shtëpi të bëjnë inspektime për të vertetuar nëse jeton një qytetar në shtëpi apo jo.

Të drejtën për të votuar dhe të drejtën e vendbanimit do të humbasin kryesisht pakicat nacionale në Mal të Zi veçanërisht pakica shqiptare. Kjo do të ndikojë në strukturën ekzistuese të votuesve në zonat shqiptare në Mal të Zi, kështu që hapen dyshime të justifikuara për ndonjë inxhinieri zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme

Problematike me këtë ndryshim është zbatimi i tij në praktikë sipas së cilës procedurë, Ministria e Brendshme do të përcaktojë nëse një qytetar malazes nuk jeton me të vërtetë në adresën e regjistruar, domethënë që ai u zhvendos në një vend tjetër ku ai ka një qëndrim të përhershëm. Në bazë të cilit kriter dhe si do të vlerësohet nëse qytetari ynë vërtet nuk jeton në atë adresë? Ky veprim është absurd sepse lë hapesirë për manipulime dhe keqpërdorime, mbase mund të ndodhë në praktikë që një qytetar apo krejt familja të kënë shkuar në pushime apo në një punë të përkoshme dhe ai të mos gjendet fizikisht në shtëpi kur të vijë inspektimi, dhe kështu në bazë këtij propozimi të ligjit rrezikon të humbas të drejtën e vëndbanit dhe të votës.
Shtrohet pyetja gjithashtu se si Ministria e Brendshme kur merr një vendim për çregjistrimin e vendbanimit, do të përcaktojë këtë fakt vendimtar se shtetasi ynë ka qëndrim të përhershëm në një shtet tjetër, duke ditur që shumë shtete të tjera nuk paraqesin të dhëna për vendbanimin e qytetarëve të tyre.
Gjithashtu, shtrohet pyetja se si qytetari ynë do të informohet se është marrë një vendim për çregjistrimin e vendbanimit, në mënyrë që ai të bëjë një ankesë, pra një padi në Gjykatën Administrative siç përcaktohet me ligj. Theksoj se procedura e çregjistrimit të vendbanimit të një shtetasi është një procedurë komplekse dhe se formulimi i propozuar i nenit 19a të ligjit nuk është specifikuar dhe rregulluar qartë, gjë që do të krijojë probleme në zbatimin praktik dhe ka karakter diskriminues ndaj pakicave kombëtare.
Prandaj, është e qartë se teksti i propozuar i Ligjit nuk mund të shihet veçmas nga Ligji për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve i cili në nenin 11 përcakton që një qytetar malazes i cili ka banuar në Mal të Zi për të paktën dy vjet para zgjedhjeve ka të drejtën e votës . Të gjithë qytetarët tonë në diasporë të cilëve u është lëshuar një vendim për çregjistrimin e vendbanimit do të humbasin të drejtën e votës (por edhe disa të drejta te tjera) dhe do të fshihen nga lista e votuesve, çka është një hap prapa në demokratizimin e Malit të Zi. Ky është një veprim diskriminues për një popull autokton siç janë shqiptarët.
Zyrtarët në pushtet harrojnë që qytetarët tanë nga diaspora, të cilët, ndër të tjera, vijnë dhe jetojnë për një periudhë të gjatë këtu, paguajnë taksa, kanë pasuri të paluajtshme në Mal të Zi, kanë lidhur fatin e tyre me shtëpinë e tyre dhe vëndin ku kanë lindur dhe janë rritur, që kryesisht janë larguar nga këtu për arsye diskriminimi dhe arsye financiare, kështu që u detyruan të shkojnë dhe të punojnë jashtë vendit, tani ata mbesin pa leje qëndrimi dhe pa të drejtë vote në vendin e tyre të lindjes.
Disa prej tyre kalojnë një pjesë të konsiderueshme të vitit në Malin e Zi, investojnë paratë e tyre, kanë pasuri të paluajtshme dhe pronë për të cilat i paguajnë taksat shtetit, kështu që të gjithë ata a duhet të lihen pa të drejtën e qëndrimit dhe të votimit në vendin e tyre të lindjes?
Prandaj, nuk guxohet t’i privohet diasporës tonë e drejta në vendbanim dhe e drejta e tyre për të votuar dhe kriteret për votim duhet të bëhen në përputhje me praktikën e shteteve antare të BE-së, ku madje diaspora voton nga shtetet ku ata jetojnë.
Të drejtën për të votuar dhe të drejtën e vëndbanimit do të humbasin kryesisht pakicat nacionale në Mal të Zi, veçanërisht pakica shqiptare. Kjo do të ndikojë në strukturën ekzistuese të votuesve në zonat shqiptare në Mal të Zi, kështu që hapen dyshime të justifikuara për ndonjë inxhinieri zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme.
Në anën tjetër, propozimi i vendimit për ndryshimet në vendimin për kriteret për përcaktimin e kushteve për marrjen e shtetësisë malazeze duke ndërruar fjalët “qëndrim i përhershëm” me fjalët “qëndrim i përhershëm i aprovuar dhe / ose qëndrim i përkohshëm i miratuar në përputhje me ligjin që rregullon qëndrimin e të huajve në Mal të Zi ”. Me këtë propozim shkurtohet koha për fitimin e nënshtetësisë malazeze nga 15 vite në 10 vite, po ashtu zgjerohet numri i atyre që mund të përfitojnë nënshtetësine në bazë të këtij vendimit. Me këtë ndryshim, kryesisht qytetarët e ikur nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina do të fitojnë të drejtën e votës pas dy viteve të marrjes së shtetësisë në përputhje me nenin 11 të Ligjit për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve. Atëherë është e qartë se numri dhe struktura e elektoratit në Malin e Zi mund të ndryshohet ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2024, ku do të zvogëlohet numri i votuesve të pakicave prej përafërsisht 15.000 deri 20.000, dhe njëkohësisht do rritet numri i shtetasve të rinj që janë shpërngulur nga shtetet e lartpërmendura. (Malësia.org)

Të fundit

më të lexuarat