
Pranvera e përgjakshme kosovare e vitit 1981, pranvera studentore ose demonstratat e vitit 1981, apo quajeni si të doni, paraqet një kthesë të madhe historike për popullin shqiptar, ku përfundimisht u shembën themelet e ish-Jugosllavisë pushtuese në Kosovë. Kjo pranverë e 1981-shit ishte pranvera e zgjimit kombëtar, ku shpërthyen demonstratat e studentëve në Prishtinë dhe në qytetet tjera të Kosovës, duke iu bashkëngjitur edhe nxënësit e shkollave, punëtorët e ndërmarrjeve të ndryshme, me një fjalë krejt populli i Kosovës, në një revoltë të akumuluar breza me radhë, kundër varfërisë, padrejtësisë, pabarazisë, shtypjes, persekutimeve, vuajtjeve, burgosjeve, diskriminimit, vrasjeve, dëbimeve e spastrimeve etnike nga ana e Serbisë mbi popullin liridashës të Kosovës.
Ato filluan më 11 mars 1981, në mensën e studentëve, për të vazhduar më 26 mars, më 1 dhe 2 prill 1981. Unë mora pjesë në këto demonstrata, derdha gjak nga duart e këmbët. Gjuajta me gurë tanket armike me forcën e shpirtit!
Në atë kohë studentët e guximshëm hartuan listën e kërkesave të shumta, që filluan me parullat “Kushte për studentët”, “Kushte për punëtorët”, “Poshtë robëria, rroftë liria”, “Lironi shokët tanë”, “Trepça është e jona”, për të vazhduar me ato më të fortat që dridhnin sistemin e atëhershëm, si ”Kosova kosovarëve”, ”Kosova Republikë”, ”Republikë kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, ”Duam vetëvendosje”, ”Të gjithë shqiptarët janë Një”, ”Jemi shqiptarë, s`jemi jugosllavë” etj. etj.
Në këto demonstrata të studentëve të Universitetit të Prishtinës, shumë u përgjakën, disa u vranë e me qindra të tjerë u arrestuan dhe u dënuan me shumë vite burgim të rëndë. Demonstruesit ishin duarthatë përballë policisë e armatës vrastare jugosllave, e cila iu kthye me zjarr e hekur, me brutalitetin më të madh!
Këto demonstrata patën jehonë dhe rrezatim të madh politik ndërkombëtar. Veç politika e Beogradit dhe disa politikanë shqiptarë të Kosovës, i dënuan, duke i cilësuar si ”kundërrevolucion”, ”demonstrata kundërrevolucionare”, e studentët “irredentistë”, “separatistë” etj.
Data të tilla të historisë së Kosovës është mirë të shënohen dhe të përkujtohen, sepse ngjarje të tilla lëvizën historinë shqiptare, homogjenizuan popullin paqedashës të Kosovës, dhe jo vetëm, dhe pas dyzet e pesë vjetëve, me mburrje themi se edhe disa studentë shqiptarë nga Mali i Zi që studionin në Kosovë, morën pjesë në këto protesta gjithëpopullore, e disa nga ata, u arrestuan dhe u dënuan me nga dy vjet burg. Edhe unë e pata “fatin” të më burgosin për shkak të bindjes sime, se kam lexuar libra të ndaluar, të botuar në Shtëpinë Botuese ”Naim Frashëri“ në Tiranë, që këndova këngë patriotike, që dola në rrugë e bërtita ”Kosova Republikë”, që shava ushtrinë e policinë të cilat rrahen, vranë e bënë kërdinë, që thashë se korbat e zi do të hanë njëri-tjetrin e pëllumbi i bardhë do të sjellë lirinë, se më shumë se asgjë desha Shqipërinë…!
Lavdi të rënëve për liri! Zoti i bekoftë studentët, mbarë popullin e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhën nëpër botë!
