
Në lidhje me këtë çështje në Arkivin Shtetëror të Malit të Zi ekziston një dokumentacion i gjerë, ku si gamë e trajtimit ka Ulqinin nga viti 1880 e më pas, të cilat janë me interes për hulumtuesit, studiuesit dhe opinionin e gjerë.
Në kumtesë do të prezantohen të dhëna për popullsinë sipas vendbanimeve dhe shpërndarjen e tyre territoriale, sipas strukturës kombëtare të popullsisë, duke dëshmuar dhe kolonizimin e këtij mjedisi me popullsi sllave(malazeze) që ishte synimi strategjik i pushtetit malazias, në këtë periudhë kohore.
Ulqini, viktimë e Fuqive të Mëdha
Në lidhje me çështjen e Ulqinit, përkatësisht me dorëzimit të tij nga ana e Perandorisë Osmane Malit të Zi, më 26 nëntor 1880, deri më tash janë shkruar artikuj e studime të ndryshme, nga del se kemi të bëjmë me një rast specifik të presionit të Fuqive të Mëdha të kohës, jashtë vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ndonëse shqiptarët u organizuan për të kundërshtuar planet e Fuqive të Mëdha, madje i rezistuan me luftë Perandorisë Osmane, se nuk dëshirojnë të aneksohen nga Mali i Zi, në saje të rrethanave dhe kushteve të pabarabarta nuk arritën të përballojnë situatën e krijuar, sepse u mundën ushtarakisht1.
Nën administrimin e ri popullsia e Ulqinit dhe rrethinës së saj shfaqi pakënaqësi, andaj vendosi të emigrojë dhe u vendos kryesisht në Shkodër dhe Durrës. Kemi të bëjmë me një emigrim të imponuar, ku sipas të dhënave të cilat disponojmë kanë emigruar 413 familje, apo rreth 1/3 e popullsisë, duke qenë ky eksodi më i madh i njohur deri atëherë në këtë mjedis2. Në lidhje me këtë çështje ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme, që dëshmohet edhe me patronimet e familjeve ulqinake të vendosura në këto dy qytete deri në ditët tona3. Ndonëse ishte qytet homogjen i dominuar nga popullsia shqiptare, në rrethana të reja politika shtetërore malazeze si mision kishte ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë, duke e kolonizuar këtë mjedis me popullsi sllave, kryesisht malazeze.
Në lidhje me këtë çështje dëshmojnë të dhënat e ndryshme burimore, ku me peshë të veçantë janë ato arkivore, e në rastin konkret nga Arkivi Shtetëror i Malit të Zi në Cetinë. Deri më tash numri i studiueseve shqiptarë që kanë hulumtuar në këtë arkiv ka qenë i pakët, ku veçojmë Gj,Nikprelaj4, Z.Cana5, R.Rexha6, ndërsa së fundmi një punë me vlerë ka realizuar H.Hajdari7 i cili hulumtimet në Arkivin Shtetëror të Malit të Zi në Cetinë i ka prezantuar në botimin e veçantë. Në këtë botim janë publikuar 302 dokumente, të cilat kanë peshë të veçantë, andaj si të tilla duhet të konsultohen nga të gjithë që trajtim kanë Ulqinin në këtë periudhë kohore.
Në lidhje me temën në shqyrtim Arkivi Shtetëror i Malit të Zi ofron të dhëna më interes që ka të bëjë sipas librit për mbledhjen e haraçit (dacijes), në Ulqin për vitin 1888, pra tetë vite pasi ky qytet u aneksua nga Malit të Zi. Janë këto të dhënat e para për popullsinë, vendbanimet dhe përkatësinë e tyre kombëtare, në rastin konkret asaj shqiptare e malazeze.
Paraqitja tabelore e vendbanimeve dhe popullsisë sipas përkatësisë kombëtare në Ulqin(1888)*
Në lidhje me të dhënat demografike për Ulqinin dhe rrethinën e tij ekzistojnë të dhëna me interes, varësisht prej burimeve dhe autorëve të ndryshëm.
Sa i përket të dhënave të cilat disponojmë, deri në vitin 1880 në Ulqin numri mi familjeve të përkatësisë fetare ortodoks e ka qenë simbolik. Kështu në vitin 1863-64, në Ulqin kishte 453 shtëpi, e nga to 451 shtëpi të konfesionit islam, ndërsa dy ishin ortodokse dhe një në paralagje (Mera), pra gjithsej 3 familje ortodokse8. Ndërsa me kalimin e kohës ky numër u rrit deri në 11 familje. Nga ana tjetër familje katolike ishin 6 në Mera, dhe 21 në Shtoj, ndërsa në pesë fshatra të tjera më të afërta thuhet se kishin 86 shtëpi myslimane dhe 87 katolike, apo gjithsej 173 shtëpi9.
Në lidhje me familjet e përkatësisë fetare ortodokse në Ulqin duhet cekur se ata këtu u vendosën për të gjetur strehim si familje të cilat kishin ikur nga hakmarrja në Mal të Zi, por kishte të emigruar edhe për shkaqe ekonomike por këtu u vendosën edhe zejtarë e tregtarë, të cilët zhvilluan veprimtarinë e tyre në këtë qytet. Pikërisht në këtë kategori ishin disa familje të përkatësisë ortodokse të ardhur këtu nga Reka e Dibrës apo jugu i Shqipërisë.
Ndërsa sa i përket përkatësisë së tyre kombëtare ekzistojnë dilema sepse të gjitha nuk kanë qenë sllavofone (malazeze), sepse ekzistojnë të dhëna se në këtë numër ka pasur edhe të përkatësisë shqiptare dhe vllehe. Andaj duke pasur parasysh këto dilema për këto familje ortodokse, disa autor cekin se deri në vitin 1880, në Ulqin nuk ka pasur asnjë familje malazeze10.
Të dhënat për numrin e banorëve në prag të vitit 1880, janë të ndryshme, kështu francezi Bozhur thekson së Ulqini në shek. XIX kishte 6000 banorë, ndërsa Gopçeviqi me 1878 jep shifrën prej 8000 banorë, ndërsa për vitin 1880, na jepen të dhëna pre 5000 banorëve11.
E dhëna se nga viti 1878 e deri me 1880 numri i popullsisë ka rënë për 3000 banorë dëshmon emigrimin e shqiptarëve nga Ulqini në sajë të aneksimit të qytetit nga Mali i Zi(nëntor 1880), që në një farë mënyrë paraqet gjendjen reale demografike.
(vijon)
