Poeti i dhembjes dhe dashurisë

Me jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tij të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngusht pas mbërritjes së tij në Amerikë, por edhe nga shkrimtarë të mëdhenj të kombit si Ismail Kadare, Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar nderoi gjithashtu veten dhe familjen e tij të ngushtë dhe më të gjerë

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

(vijon nga numri i kaluar)
Veprat e Luigj Çekajt kishin rënë në dorë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili ka vlerësuar librin e parë të Luigjit me poezi “Vjeshta në aeroporte”. Në një letër dërguar poetit malësor nga Parisi, Kadare e ka vlerësuar me këto fjalë poezinë e tij: “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua. Së pari për nivelin e tij poetik dinjitoz, e pastaj për rezinjatën me të cilën ju dëshmoni për kalvarin tuaj… Ju flisni për dhembjen me fisnikëri, sepse dhembja njerëzore nuk e përjashton kurrë fisnikërinë. Kumti juaj në këtë rast, qoftë artistik, qoftë ai moral, ka një peshë të dyfishtë”, thuhet në letrën e Kadaresë dërguar poetit Luigj Çekaj, më 28 nëntor 1998.
Në veprat e tij Luigji shpreh, njëkohësisht, dhimbjet dhe dashurinë, së pari për nënën e vet të shumëvuajtur, për Shkodrën e tij të dashur: “Në qytetin e Nju Jorkut, unë vij nga Shkodra, i pezmatuar”, dhe dashurinë e tij për Shqipërinë:
“Shqipëri, asgjë në botë veç nënës,
Nuk kam dashur më shumë se ty.
Ti me frymën tënde më ke kthyer në qenie ajri,
Ti me duart e tua më ke bërë njeri,
Gjërat unë i ndjej thellë në shpirt.” (Motivi për Shqipërinë)
Por në veprat e tij shfaqen edhe ndjenjat për Amerikën, ku më në fund gjeti strehimin, por edhe liri e pak paqe të merituar, më në fund. “Mes shqiptarëve të Nju-Jorkut, sigurisht”, shkruan Luigji, përfshirë ne që na konsideronte si kushërinjtë e tij nga Bzheta e Shkrelit të Malësisë së Madhe që ishim vendosur në Amerikë dekada më parë e të cilëve poeti e shkrimtari u kushton një artikull të gjatë “Dy fjalë të mira edhe për kushërinjtë e mi të mirë”.
Në librin “Unë vij nga Shkodra”, ai na përmend pothuaj të gjithë ne emër për emër, ndërsa ka kujtuar takimin e parë me secilin prej nesh në Amerikë duke shënuar mbresat që i kishim lënë atij në takimin e parë me të. “Me kushëririn Fran Shkrelin u pashë me hënë të mirë, sy për sy dhe shpirt për shpirt”, shkruan Luigji në librin e tij “Unë vij nga Shkodra”. “Biseda me Franin atë mbrëmje shkoi vërtet shumë mirë. Pothuajse gjithmonë ramë në një hulli të kthjelltë mendimesh të përafërta! Nuk patëm në asnjë rast mosmarrëveshje të çastit, apo kundërshtime të mirëfillta arsyetimesh të kundërta, madje aty rreth orëve të mesnatës kur darka mbaroi dhe erdhi koha të ndaheshim me Fran Shkrelin, unë më shumë se me një kushëri, u ndava si me një mik timin të kahershëm”, ka kujtuar Luigj Çekaj takimin tonë të parë në Amerikë.

Poeti e shkrimtari Luigj Çekaj nuk ankohej kurrë për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nëpër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, as nuk ankohej për gjendjen jo aq të mirë shëndetësore, as për sëmundjen e rëndë që më në fund i mori jetën, në moshën 70-vjeçare, në fillim të këtij viti, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara

Gjatë gjithë asaj bisede në takimin e parë me të, më kujtohet se me qëllim, duke mos dashur të trazoja plagët e vjetra të vuajtjeve të tij e të familjes, nuk e pyeta asgjë për të kaluarën e tij dhe, sidomos, për vuajtjet e nënës së tij dhe familjes në Shqipëri, pasi pak a shumë e dinim situatën e përgjithshme nëpër të cilën kishin kaluar ata dhe të tjerë si ata, që kishin ndonjë të afërm të familjes të arratisur në Amerikë. Por gjatë atij takimi të parë me mua, as ai vetë nuk deshi të fliste për vuajtjet e tij dhe të familjes së tij në Shqipërinë komuniste. Por, duke u ndarë me Luigjin atë natë, ashtu siç shënon ai në librin e tij, unë nuk u durova pa i thënë: “Ju sonte nuk më folët asgjë të përveçme për të kaluarën tuaj personale në Shqipëri, deshta me thënë për kalvarin e gjatë të dhimbjeve tuaja të pambarimta. Ma merr mendja se bëre mirë që nuk fole, se i di të gjitha dhe se intelektualët e një vendi nuk janë nëna fëmijësh jetimë që kujtojnë e zgjidhin hallet e veta me të qara…”.
Vërtet, i tillë ishte poeti e shkrimtari Luigj Çekaj, kurrë nuk ankohej për vuajtjet dhe kalvarin e gjatë nëpër të cilin kishte kaluar ai dhe familja e tij nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, as nuk ankohej për gjendjen jo aq të mirë shëndetësore, as për sëmundjen e rëndë që më në fund i mori jetën, në moshën 70-vjeçare, në fillim të këtij viti, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.
Profesori i ndjerë, Agron Fico, në një shkrim vlerësues kushtuar poetit Luigj Çekaj, botuar vite më parë, pasi ka vlerësuar meritat letrare të veprës së tij, është shprehur më së miri për ndjenjat njerëzore të shprehura në veprat e Luigj Çekajt: “Luigj Çekaj është poet i fuqishëm lirik, është kryepoet që edhe pse trajton kalvarin dhe dramën e vuajtjeve dhe persekutimeve të familjes dhe të brezit të vet, në thelb dëshmon për ndjenja të thella humane të dashurisë njerëzore dhe shoqërore. Lirika e poetit Luigj Çekaj është meditative, përsiatjet janë jo thjesht nocione publicistike-politike, por darë dhe çekanë ndaj regjimit të pashpirt, të egër, regjimit totalitar-komunist: “Statujat e diktatorëve nuk qëndrojnë mbi piedestale. Ato janë ngulur si shpata në gjokset e njerëzve të pafaj” (Statujat e diktatorëve).
Luigj Çekaj simpatizohej nga të gjithë, pa dallim, me të cilët ai vinte në kontakt: për sjelljet e tij prej një zotërie të vërtetë, për fisnikërinë e natyrës së tij prej malësori, si dhe për njerëzinë dhe çiltërinë e përzemërt, duke bërë shumë miq këtu në Shtetet e Bashkuara, shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare. Me jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tij të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngusht pas mbërritjes së tij në Amerikë, por edhe nga shkrimtarë të mëdhenj të kombit si Ismail Kadare, Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar nderoi gjithashtu veten dhe familjen e tij të ngushtë dhe më të gjerë. Shkreli dhe Malësia e Madhe janë krenarë me të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për aq pak vite sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, para se, fatkeqësisht, sëmundja t’ia shkurtonte jetën, parakohësisht, në fillim të këtij viti.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat