Valbona Zeneli & Xhozef Van
Senatorët amerikanë e kuptojnë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor, me një qartësi të dukshme mendimesh dhe idesh në të gjithë legjislacionin e propozuar. Përbërja e tij është dukshëm e lidhur me mësimet e historisë, me logjikën e fortë dhe sensin e përbashkët dhe të qartë për veprimet strategjike, të cilat janë të nevojshme për të ecur përpara. Ky draftligj përshkruan në mënyrë të shkëlqyer një formulë për promovimin dhe rëndësinë e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe krijimit të institucioneve të forta, për të harmonizuar mundësitë e investimeve ekonomike që do të mund të adresojnë dobësitë e shumta në rajon.
Më e rëndësishmja është se ky legjislacion i propozuar nuk shmanget nga theksimi i efekteve paralizuese të korrupsionit dhe qeverisjes së dobët dhe të mbrapshtë. Ekziston një gjuhë e qartë që do të ndihmojë në zhvillimin e strategjive kombëtare kundër korrupsionit në të gjitha vendet e rajonit, por edhe si një kambanë paralajmëruese për politikanët që shijojnë nocionet e tyre të rreme të mosndëshkimit. Është e qartë se koha e tyre po mbaron.
I pasur me detaje që trajtojnë mundësitë e investimeve, zhvillimin e infrastrukturës, sfidat e emigracionit, por edhe rolin kritik të grave në shoqëri, ky draftligj promovon rëndësinë e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO për vendet, të cilat dëshirojnë këtë rrugë. E thënë thjesht është një legjislacion i shkëlqyer. Nëse do të miratohet dhe financohet në mënyrën e duhur, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme për ta drejtuar rajonin në një rrugë që do të realizojë vetë emrin e legjislacionit: Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor.
Amerika duket se pas rolit të rëndësishëm që ka luajtur për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, këtë herë do të luajë rolin e një “inkubatori ekonomik” për këtë rajon të varfër të Evropës dhe shpesh të lënë pas dore. Nga një perspektivë e thjeshtë ekonomike, të anashkalosh potencialin e Ballkanit Perëndimor është e gabuar. Dimensionet historike të sigurisë gjeopolitike të rajonit, mund të kenë krijuar një ndjenjë të vizionit “të mbyllur brenda tunelit”, duke krijuar një ndjenjë paralize në vendimmarrje, sidomos nga BE-ja. Problemet janë të shumta. Vendet e rajonit për sa i përket nivelit demokratik, përshihen si kategoritë e “demokracive me të meta” dhe “regjimeve hibride”, sipas Indeksit të Demokracisë. Problem është qarkullimi i lloj të njëjtë të politikanëve të fortë që masin madhështinë e tyre me aftësitë për të përfituar sa më shumë nga korrupsioni. Të njëjtat personalitete shkëlqejnë edhe në ndezjen me mjeshtëri të tensioneve etnike dhe fetare, për të shpërqendruar popullatën nga problemet reale. Dinamikat politike, të kombinuara me mbetjet e praktikave kulturore otomane, krijojnë një rajon shumë kompleks.
Roli i SHBA-së ka qenë jetik në dhënien fund të konflikteve të përgjakshme të rajonit në vitet 1990. Megjithatë, paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor nuk mund të ndodhin pa një funksion imponues për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të rajonit. Sfidat e vërteta të sigurisë në rajon burojnë nga premtimet iluzionare të pafundme të tranzicionit të stërzgjatur. Kjo lidhet me kombinimin toksik të lidershipit të korruptuar, që vazhdon të ushqejë varfërinë, anshmërinë në sundimin e ligjit, korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Me sa u tha më sipër si sfond, ekzistojnë edhe efektet e shtuara destabilizuese të akterëve të ndryshëm malinjë në rajon: Rusia, Kina, dhe së fundmi Irani me sulmet e tij kibernetike. Ndikimi rus dhe kinez në Ballkan, ngjall një epokë të re të konkurrencës strategjike dhe ilustron se Ballkani Perëndimor mund të shihet si një terren për t’u shfrytëzuar nga akterë të ndryshëm.
Fushatat e pandërprera dezinformuese ruse dhe kineze janë vetëm një aspekt i përpjekjeve të tyre për të destabilizuar rajonin. Përdorimi i furnizimeve energjetike si “armë” nga Rusia dhe diplomacia e “borxhit” e përdorur nga Kina, kanë efekte sfiduese në rajon. Disa vende të Ballkanit Perëndimor varen ekskluzivisht nga energjia ruse, gjë që i jep Moskës ndikim të jashtëzakonshëm si në rastin e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Strategjia e Kremlinit është të dëmtojë integrimin në NATO dhe BE të rajonit. Kremlini do të vazhdojë të përdorë veglat e tij të luftës hibride duke shfrytëzuar institucionet e dobëta, politikanët e korruptuar dhe duke politizuar tensionet etnike dhe fetare.
Kina ka zgjedhur një taktikë të ndryshme duke iu afruar rajonit si një portë tregtare për të çuar përpara nismën e saj “Brez dhe Rrugë”, duke qene se Ballkani Perëndimor është një lidhës kyç me Evropën Perëndimore. Infrastruktura e dobët në rajon, mungesa e kapitalit, rregullat jo të qarta, ligjet e dobëta të prokurimit publik, rregulloret për forcën punëtore e mjedisin, dhe rehatia e lidershipit me praktikat korruptive, mund ta kthejnë rajonin në një shesh lojërash ideale për kreditë e “lehta” kineze, dhe një sërë metodash të tjera të fuqisë së butë për të fituar ndikim.
Aktualisht ekzistojnë 122 projekte kineze me një vlerë të përllogaritur prej rreth 31 miliardë dollarësh, ku më shumë se 70 përqind janë në formën e huadhënies koncesionale, sipas të dhënave të fundit të BIRN. Kjo përbën pothuajse 40 përqind të stokut total të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), i cili është 85 miliardë dollarë në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, e cila nuk njihet nga Kina.
Vlerësimi i aktiviteteve ekonomike kineze nuk është i lehtë, sepse Kina zakonisht kërkon klauzola të rrepta konfidencialiteti në marrëveshjet e saj të investimeve – klauzola që kufizojnë transparencën dhe mbështesin korrupsionin. Thënë kështu, sasia e aktivitetit kinez është shqetësuese. Sipas AidData, rreth dy miliardë dollarë ndihmë kineze për zhvillim, janë shpenzuar në rajon që nga viti 2000, duke i dhënë Kinës një terren të rëndësishëm. Projektet kineze janë të synuara mirë, duke përfshirë gamën e granteve për të mbështetur administratën publike, donacionet për modernizimin e bujqësisë, shkollat, faljen e borxheve dhe Institutet Konfuçi.
Nga ana tjetër, krijimi i mundësive për të rinjtë është një parakusht për të ngadalësuar emigracionin dhe ikjen e trurit nga rajoni, i cili nxitet nga dëshpërimi ekonomik dhe institucional. Në vitin 2021, të ardhurat mesatare për frymë të gjashtë vendeve të Ballkanit ishin rreth 7.000 dollarë – as 15 përqind e të ardhurave mesatare të BE-së dhe pak më shumë se 10 përqind e të ardhurave për frymë të SHBA-së. Konvergjenca e shumëdëshiruar ekonomike me Perëndimin duket qartë se nuk ka ndodhur ende.
Tregtia midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor është minimale. Në vitin 2021, shkëmbimet tregtare ishin rreth 1.5 miliardë dollarë, sipas të dhënave të UNComtrade, në një kohë që nivelet e tregtisë midis SHBA-së dhe BE-së arritën në 760 miliardë dollarë. Marrëveshjet e mundshme të tregtisë së lirë midis SHBA-së dhe Ballkanin Perëndimor, do të shërbenin si një shtytës i fortë për rritjen e niveleve të tregtisë dhe investimeve, dhe do të lehtësonin integrimin e rajonit në tregun e përbashkët evropian.
Një treg i mirëarsimuar, me 18 milionë konsumatorë, por me një Prodhim të Brendshëm Bruto prej 132 miliardë dollarësh, Ballkani Perëndimor ka potencialin të bëhet një rajon me rritje të shpejtë ekonomike, i cili mund të lidhet lehtësisht me tregun e përbashkët të BE-së, treg prej 17 trilionë dollarësh. Megjithatë, gjashtë vendet e marra së bashku kanë tërhequr më pak se 0.2 përqind të stokut të investimeve të huaja direkte globale, sipas të dhënave të UNCTAD.
Në mënyrë të ngjashme, stoku total i investimeve të huaja direkte amerikane në rajon është vetëm 900 milionë dollarë, sipas Zyrës së Analizës Ekonomike të SHBA-së, krahasuar me rreth katër trilionë dollarë që kompanitë amerikane kanë investuar në ekonominë e BE-së. Megjithatë, rajoni është shumë dinamik në aftësinë e tij për t’u përgjigjur shpejt, siç tregohet në rastin e Shqipërisë. Në vitin 2021, Shqipëria pa një rritje prej 70 përqind të stokut të investimeve amerikane (nga 99 milionë dollarë në 168 milionë dollarë), falë investimeve të reja amerikane në sektorin e energjisë.
Me shënjestrimin e investimeve të duhura, Ballkani Perëndimor mund të bëhet një qendër kritike për “Allyshoring” (sjelljen e investimeve të huaja nga vendet e largëta në vendet aleate), duke stimuluar prodhimin e mallrave kritike brenda ekonomisë transatlantike. Kjo do të ishte e rëndësishme për të krijuar teprica në sektorët kryesorë të sigurisë kombëtare dhe për të eliminuar varësitë e produkteve nga Kina dhe ato energjetike nga Rusia. Investimet në energji, automatizim, robotikë dhe inteligjencë artificiale do të provonin të ishin investime me kosto vërtet efektive në afat të gjatë, dhe do të krijonin kapacitete brenda komunitetit transatlantik. Investimet në këta sektorë përfundimisht do të nisnin projektet e nevojshme të infrastrukturës dhe do të krijonin mundësi të reja punësimi në Ballkanin Perëndimor.
Në analizën përfundimtare, ndihma për vendet e Ballkanit Perëndimor është në interes kolektiv të sigurisë kombëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rëndësia gjeostrategjike e Ballkanit Perëndimor u theksua qartë edhe gjatë stërvitjes ushtarake Defender-Europe 21, të udhëhequr nga SHBA-ja dhe tregoi rolin kritik që vendet e NATO-s dhe aspirantët në rajon luajnë në mbështetjen e aleancës transatlantike. Rëndësia e rajonit bëhet edhe më kritike për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Kthimi i konfliktit në Evropë na bën të gjithëve të kuptojmë që vizioni i një Evrope të lirë, në paqe dhe në prosperitet, duhet të mbetet objektivi ynë i përbashkët. Ballkani Perëndimor është pjesë shumë e rëndësishme e kësaj analize. Çdo mosveprim do të sillte pasoja të rënda. Nëse investimet e duhura do të drejtohen për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe mirëqeverisjen, rajoni do të marrë drejtim dhe “magjia do të ndodhë”. Ashtu siç propozohet, Akti i Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor, do te ishte legjislacion i jashtëzakonshëm që do të mund të sillte ndryshimin e shekullit në rajon.
