Personalitet që ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani dekoroi z. Xhim Xhema, shqiptaro-amerikanin e njohur, lobistin, patriotin e madh dhe filantropistin e dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Në njoftimin botuar në portalin e Presidencës së Republikës së Kosovës, thuhet se në Ditën e Presidentit, në shenjë mirënjohjeje në kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në prani të zv/ambasadorit të SHBA-së, z. Nikolas Xhakob dhe përfaqësuesve të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, dekoroi z. Xhim Xhema me “Urdhrin e Lirisë”.
Z. Xhim Xhema ishte dekoruar më parë edhe me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”, nga Presidenti historik, Dr.Ibrahim Rugova.
Në të njëjtën ceremoni, ditën e martë, më 24 maj, 2022, presidentja Osmani dekoroi me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova” edhe amerikanin, z. Kristofer Hiland. Ai është i njohur për komunitetin tonë në Nju Jork dhe më gjërë. Ai ka qenë zyrtar i lartë i fushatës për president të z. Bill Kinton dhe ka punuar shumë ngusht me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai ishte bërë pjesë e pa ndarë e këtij komuniteti me përpjekjet e tij në mbështetje të çeshtjeve kombëtare të shqiptarëve, sidomos në promovimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës gjatë viteve 1990.
Presidentja Dr. Vjosa Osmani, vlerësoi kontributin e të dekoruarve për afirmimin e çështjes së Kosovës ndër vite, dhe tha: “Duke e rikthyer vëmendjen tonë te miqtë e Kosovës dhe atdhetarët tanë përtej Oqeanit Atlantik, ne e ripërtërijmë edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë, Dr. Rugovën”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave.
Nuk është e rastit që Presidentja Osmani i dekoron veprimtarin dhe afaristin e dalluar në Amerikë, Xhim Xhemën me dekoratën, “Urdhri i Lirisë”, pikërisht në Ditën e Presidentit, që festohet në Kosovë kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës. Z. Xhim Xhema dhe Dr. Ibrahim Rugova kanë bashkëpunuar ngusht me njëri-tjetrin për të ndërkombatirizuar çështjen e Kosovës gjatë viteve 90-ta dhe më vonë, jo vetëm këtu në Amerikë, por edhe anembanë botës. Xhim Xhema për Zërin e Amerikës disa vite më parë ka thenë:“Presidenti Rugova ishte një udhëheqës largpamës, një njeri që mbronte idenë e mjeteve paqësore, por i vendosur në udhëheqjen e shqiptarëve drejt pavarësisë. Është vërtetë një tragjedi”, ka shtuar ai, “që Presidenti Rugova nuk jetoi të gëzonte pavarësinë e Kosovës”.
“Shpresoj që udhëheqësit e rinj të Kosovës të përqafojnë udhëheqjen paqësore të President Rugovës, një qëndrim që u ka siguruar shqiptarëve mbështetje në pjesën më të madhe të botës”, ka thenë Xhema për Zërin e Amerikës në vitin 2010.
Përveç atdhedashurisë së tij të flakët, Xhim Xhema dallohet për veprimtarinë e tij gjatë dekadave në Amerikë se ka ditur të zgjidhte dhe të bënte miq për kauzat shqiptare në Uashington, sidomos për çlirimin e Kosovës, duke siguruar mbështetjen e dy partive politike kryesore të këtij vendi – Republikanë dhe Demokratë. Kishte “bërë për vete”, politikanët më të dalluar dhe më me influencë të këtij vendi demokratik, njerëz me vlera morale dhe politike, por edhe humane si Robert Dole, që besonin në lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë popujt, pa dallim.
Është e pamundur të thuhet se sa shërbime i ka bërë Xhim Xhema gjatë 50-viteve të kaluara, Kosovës dhe kombit shqiptar, lirisë e demokracisë dhe interesave shqiptare në përgjithësi, duke ndërtuar ura të forta miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kohët e fundit, mësova se kishte qenë vet Xhim Xhema, i cili kishte kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që Presidenti Ronald Regan, që në vitin 1985,të dekoronte murgeshën shqiptare Nënë Terezën me “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, dekorata më e lartë që u jep presidenti i Amerikës personave “Me kontribute të veçanta ndaj sigurisë ose interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, paqes botërore ose arritjeve të mëdha publike ose private”. Desha ta përmend këtë fakt dhe hollësitë e aktivitetit të Xhim Xhemës për të pasqyruar veprimtarinë shumë dimensionale të tij, me qëllim për t’i zbardhur faqen kombit tonë para popullit amerikan dhe botës.
Ishte fati ynë që komuniteti shqiptaro-amerikan kishte njerëz si Xhim Xhema i cili me veprimtarinë dhe me miqësinë e tij që kishte lidhur me politikanët më të njohur të këtij vendi – bëri që “çështja e Kosovës” (The Kosovo issue) siç i referoheshim krizës në Kosovë atëherë në fjalorin e përditshëm – në mbrojtje të të drejtave dhe lirive për shqiptarët në përgjithësi. Ishte një periudhë shumë kritike në historinë e shqiptarëve në shekullin XX kur interesat e tyre kombëtare ishin vendosur në krye të listës së politikës së jashtme amerikane, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillim shekullin XXI.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në vitin 2003 e kishte vlerësuar kontributin e z. Xhema, gjatë viteve, me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë” me motivacionin: “Për devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejt përmirësimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut”.
Meritat e njohura dhe të panjohura të Xhim Xhemës gjatë dekadave janë aq të mëdha e aq të shumta, saqë nuk ka dekorata që mund të shpërblejnë veprat patriotike dhe humane të tij për një gjysmë shekulli. Modestia e tij është vërtetë një pasqyrim i asaj thënies biblike “Mos ta dij dora e majtë çfarë bën dora e djathtë”. Të gjithë ata që e njohin Xhimin, e dinë se nuk i pëlqejnë lavdet dhe vlerësimet. Më fal Xhimi, por nuk kisha si mos ta shënojmë dhe ta vlerësojmë, me këtë rast, dekoratën shumë të merituar “Urdhri i Lirisë”, që u dha Presidentja e Republikës së Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e të cilës punove aq shumë. Është domethënës fakti se kjo dekoratë të jepet, pikërisht, në Ditën e Presidentit kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës, mikut tënd të madh. Është gjithashtu një rast për të rikujtuar veprimtarinë tuaj edhe këtij brezit të sotëm të shqiptarëve, me miqtë tanë amerikanë në mbrojtje të interesave kombëtare, por edhe të ritheksojmë dhe të “ripërtërësimin edhe kujtimin për afirmuesin e madh të demokracisë, presidentin tonë Dr. Rugovën”, siç u shpreh edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Urimet janë shumë me vend për dekoratën e lartë të Republikës së Kosovës, “Urdhri i Lirisë! Pa kontributin e individëve si Xhim Xhema, nuk jam i sigurt se çfarë lirie do gëzonte sot Kosova.

Të fundit

më të lexuarat