Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi të shtunën se Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wes Mitchell, filloi të dielën një vizitë prej pothuaj një jave në Evropë. Në njoftimin e DASH thuhet se kësaj radhe, Ndihmës Sekretari i Shtetit do të ndalet në Bukuresht të Rumanisë ku pritet të takohet me udhëheqës të lartë të vendit dhe me analistë të pavarur për të diskutuar mbi sigurimin rajonal dhe për bashkëpunimin ekonomik
Për Koha Javore: Frank Shkreli
Gjatë qëndrimit të tij në Rumani, zyrtari i lartë amerikan për punët evropiane do të kryesojë delegacioni amerikan, i cili po merr pjesë në Dialogun e gjashtë amerikano-rumun dhe do të mbajë një fjalim në Universitetin e Bukureshtit. Pas Bukureshtit, diplomati i lartë amerikan Wes Mitchell do të vizitojë Zagrebin ku do të takohet me 19 qershor me zyrtarët më të lartë kroatë për të biseduar me ta mbi zhvillimet e fundit në Kroaci dhe në rajon, duke përfshirë, sipas njoftimit të DASH edhe stabilitetin në rajon dhe sigurinë energjetike.
Nga Kroacia, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë do të niset për në Pragë për të marrë pjesë në Dialogun Strategjik-amerikano-çek dhe do të mbajë një fjalim të sponsorizuar nga Samiti Evropian i Pragës dhe Instituti Globsec. Në vazhdim të vizitës së tij në Evropë, diplomati i lartë amerikan do të shkojë në Bruksel ku përveç takimit me Zëvendës Kryeministrin belg, Alexander De Croo, pritet të diskutojë me zyrtarët e lartë evropian, bashkëpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe të mbajë një fjalim në Institutin Carnegie të Evropës, para se të kthehet në Washington. Një vizitë në Shqipëri nuk pasqyrohet në itinerarin e vizitës në rajon të zyrtarit më të lartë amerikan për Evropën dhe Euroazinë.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “819” të revistës Koha Javore
