Përpjekjet e fuqive ballkanike për mohimin e qenies së kombit shqiptar

Përveç shtypjes së gjithanshme osmane, vështirësi jo të pakta iu krijuan Lëvizjes Kombëtare Shqiptare edhe nga politika që ndoqën Fuqitë e Mëdha pas Kongresit të Berlinit, si edhe nga qëndrimi që mbajtën shtetet fqinje ballkanike ndaj çështjes shqiptare

Dr. Nexhat Avdiu

Çështja shqiptare në kuptimin nacional e territorial në Ballkan lindi gjatë Krizës Lindore. Ajo u krijua si e tillë kur kombet e tjera në Ballkan ose kishin krijuar shtetet e tyre kombëtare, ose ishin në procesin përfundimtar të krijimit të tyre.
Përveç shtypjes së gjithanshme osmane, vështirësi jo të pakta iu krijuan Lëvizjes Kombëtare Shqiptare edhe nga politika që ndoqën Fuqitë e Mëdha pas Kongresit të Berlinit, si edhe nga qëndrimi që mbajtën shtetet fqinje ballkanike ndaj çështjes shqiptare.
Pas zgjidhjes së Krizës Lindore të viteve ‘70, në Evropë u vendos njëfarë stabiliteti politik i përkohshëm. Anglia e Franca e përkrahën, ashtu si më parë, ekzistencën e Perandorisë Osmane në Ballkan për të ruajtur pozitat e tyre të privilegjuara që i kishin siguruar prej kohësh brenda territoreve të saj dhe për të penguar daljen e Rusisë në ngushticat e Bosforit e të Dardaneleve, si edhe të Austro-Hungarisë në Selanik. Rusia e Austro-Hungaria, nga ana e tyre, nuk e shikonin të mundshëm realizimin e synimeve të tyre për të mbizotëruar në këtë rajon pa u përgatitur politikisht e ushtarakisht jo vetëm kundër njëra-tjetrës, por edhe kundër fuqive të tjera të interesuara në çështjen lindore. Prandaj të dyja këto perandori nuk kishin ndërmend të cenonin hartën e Gadishullit Ballkanik. Nga ana tjetër Italia, duke qenë e pazonja, parapëlqente të ruhej sundimi osman në këtë zonë. Në këtë periudhë Gjermania po rritej me shpejtësi si një fuqi e madhe dhe po ushtronte presion të fuqishëm. Kancelari gjerman Bizmarku kërkonte të pengonte një koalicion antigjerman ndërmjet Francës e Rusisë së pakënaqur nga vendimet e Kongresit të Berlinit, prandaj përpiqej të mbante në anën e vet, krahas Austro-Hungarisë edhe dy rivalet e Vjenës, Petersburgun e Romën. Ky qëndrim u sanksionua edhe në përtëritjen e “Aleancës së tre perandorëve”, më 18 qershor 1881 ndërmjet sovranëve të Gjermanisë, Rusisë e Austro-Hungarisë.

Asnjë nga Fuqitë e Mëdha në atë kohë nuk kishte interes të përkrahte idenë e krijimit të një shteti shqiptar autonom ose të pavarur. Ato jo vetëm nuk e shikonin me sy të mirë lëvizjen çlirimtare shqiptare, por ishin të gatshme ta ndihmonin Perandorinë Osmane që të shtypte çdo kryengritje të brendshme të armatosur


Por stabiliteti politik që u vendos në Evropë ishte i përkohshëm. Secila fuqi e madhe përpiqej ta shfrytëzonte këtë periudhë “qetësie” për t’u përgatitur politikisht e ushtarakisht për arritjen e synimeve të veta në rastin e një krize të re politike.
Në fushën diplomatike fuqitë evropiane po vepronin me ngulm për krijimin e aleancave e të blloqeve politiko-ushtarake. Më 20 maj 1882, ndërmjet Gjermanisë, Austro-Hungarisë e Italisë u nënshkrua aleanca e njohur në histori me emrin Lidhja Tripalëshe; më 1894 Rusia u afrua me Francën dhe lidhi me të Aleancën Dypalëshe. Këto shënuan ndarjen e botës në dy blloqe imperialiste.
Në këto rrethana, asnjë nga Fuqitë e Mëdha në atë kohë nuk kishte interes të përkrahte idenë e krijimit të një shteti shqiptar autonom ose të pavarur. Ato jo vetëm nuk e shikonin me sy të mirë lëvizjen çlirimtare shqiptare, por ishin të gatshme ta ndihmonin Perandorinë Osmane që të shtypte çdo kryengritje të brendshme të armatosur.
Një dëm të madh i shkaktoi luftës së popullit shqiptar për çlirim kombëtar edhe qëndrimi i shteteve fqinje ballkanike, të cilat, siç shkruante gazeta “Shqipëtari” e Bukureshtit e vitit 1888, “nuk u kënaqën me plagët që i bënë gati për vdekje (gjatë Krizës së fundit Lindore të vitit 1878), po bëheshin gati ta gllabëronin fare për të forcuar trupin e tyre”.
Shtetet fqinje ballkanike u detyruan ta pranonin politikën e status quo-së që diktuan Fuqitë e Mëdha. Por, duke parashikuar se periudha e stabilitetit mund të merrte fund në një të ardhme të afërt, ato shtuan përpjekjet politiko-ushtarake e propagandistike për të shtënë në dorë zotërimet osmane në Ballkan.
Fuqitë ballkanike vijonin në mënyrë të ethshme përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve me anën e kishës, të shkollës, të propagandës etj., dhe mundoheshin me çdo mjet që në arenën ndërkombëtare të mohonin qenien e kombit shqiptar.
Kjo veprimtari i krijoi vështirësi të shumta Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nxiti grindjen e përçarjen midis popujve të Ballkanit, ndezi konflikte midis vetë shteteve ballkanike, prapa të cilave qëndronin disa fuqi të mëdha, e pengoi dhe e ndërlikoi procesin e çlirimit përfundimtar të Gadishullit Ballkanik.
Këtë politikë të monarkive ballkanike e shfrytëzoi edhe Porta e Lartë për të nxitur përçarjen midis popujve të Ballkanit, për të larguar vëmendjen e popullit shqiptar nga kontradikta e tij me sunduesin shekullor osman dhe për ta drejtuar atë vetëm kundër rrezikut të jashtëm. Por as politika përçarëse e Portës së Lartë, e as qëndrimi shovinist i shteteve ballkanike nuk i larguan shqiptarët nga lëvizja për çlirimin kombëtar dhe nga kërkesat e tyre të pavarura.

Rilindësit demaskuan karakterin antishqiptar të idesë së formimit të një shteti të përbashkët greko-shqiptar, që synonte t’i hidhte shqiptarët në një aventurë kundër Portës së Lartë, për të shtënë në dorë pastaj me lehtësi territoret e tyre


Pas qeverisë osmane ishte Greqia ajo që zhvilloi në këto vite një veprimtari të madhe armiqësore ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Qeveria e Athinës e përkrahur fuqimisht nga patrikana dhe nga i gjithë rrjeti i dendur i shkollave, i kishave që vareshin nga patrikana dhe i konsullatave greke të vendosura në viset jugore e të mesme të Shqipërisë, si edhe nga grekomanët vendas, e shumëfishoi veprimtarinë e saj për helenizimin e shqiptarëve. Në Shqipërinë e Jugut ishin çelur mjaft shkolla greke. Për helenizimin e shqiptarëve punonte gjithashtu Patrikana greke e Stambollit që mbronte me ngulm interesat e borgjezisë shoviniste greke, si edhe klerikët e lartë ortodoksë, që emëroheshin prej saj e që ishin kryesisht të huaj (grekë). Veprimtaria e klerikëve grekë e grekomanë përqendrohej kryesisht në luftën kundër shkollave shqipe. Përdorimi i shqipes në ceremonitë fetare dhe në librat “e shenjtë” paraqitej si një veprim antifetar. Mallkimi, shkishërimi, helmimi etj., binin mbi çdo shqiptar ortodoks që guxonte të punonte për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Madje ata u përpoqën të shfrytëzonin për këtë qëllim edhe prirjet antifeudale të popullsisë vendase. Për të shfrytëzuar këtë lëvizje, ata themeluan një varg komitetesh e shoqatash duke aktivizuar kryesisht arvanitët (arbëreshët) e helenizuar. Të tilla ishin Komiteti politik i Korfuzit i themeluar më 1883, Shoqata Kulturore “Vllamët shqiptarë” e themeluar në Athinë më 1884, Komiteti i fshehtë greko-epiriot i Korfuzit, rikrijuar në fillim të vitit 1885 etj. Gjatë viteve 1883-1884 Komiteti i Korfuzit u përpoq t’i nxiste shqiptarët të rrëmbenin armët kundër Turqisë, duke hedhur përsëri parullën e vjetër për formimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, nën kurorën e mbretit të Greqisë. Për ta popullarizuar këtë ide u dërguan agjitatorë si në Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë shqiptare të mërgimit.
Por këto orvatje nuk patën sukses. Rilindësit demaskuan karakterin antishqiptar të idesë së formimit të një shteti të përbashkët greko-shqiptar, që synonte t’i hidhte shqiptarët në një aventurë kundër Portës së Lartë, për të shtënë në dorë pastaj me lehtësi territoret e tyre.
Duke filluar nga viti 1884 qeveria e Athinës, tanimë jo me anë të Komitetit të Korfuzit, por drejtpërdrejt disa herë me radhë u bëri thirrje shqiptarëve të fillonin kryengritjen kundër Perandorisë Osmane dhe të merrnin pjesë në të ashtuquajturën Federatë të Shteteve Ballkanike, që përpiqej të formonte kryeministri grek Trikupis. Qarqet atdhetare shqiptare iu përgjigjën propozimit të Trikupisit me argumentin se Shqipëria nuk mund të fillonte asnjë kryengritje kur askush, madje as vetë kryeministri grek nuk tregohej përkrahës i shtetit shqiptar. Në atë kohë rilindësit mendonin se shqiptarët mund ta shqyrtonin çështjen e pjesëmarrjes në një federatë ballkanike vetëm pasi të viheshin në kushte të barabarta me popujt e tjerë të Ballkanit dhe pasi të kishin dhe ata shtetin e tyre kombëtar. Shqiptarët u nxitën për të rrëmbyer armët kundër Stambollit edhe nga Mali i Zi, i cili gjatë këtyre viteve bashkëpunonte për këtë çështje me Greqinë. Ata ishin në dijeni të këtij bashkëpunimi dhe të rolit të dyfishtë që luante Komiteti i Korfuzit për t’i shërbyer jo vetëm Athinës, por edhe Cetinës.
Veç kësaj, pretendimet shoviniste të qarqeve politike të Athinës ndaj trojeve shqiptare vazhdonin të gjenin përkrahje në disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha. Për të gjitha këto arsye patriotët shqiptarë shikonin në këto vite te Greqia dhe tek aleatja e saj, Patrikana e Stambollit, armiqë po aq të rrezikshëm për lëvizjen kombëtare, sa ishte edhe vetë Perandoria Osmane.

Të fundit

më të lexuarat