Përmbytja e të papërmbytshmit

Ndërtimi i tij filloi në kantierin e anijeve “Harland & Wolfe” në Belfast (Irlandë e Veriut) në vitin 1909, u lëshua në përdorim më 31 maj 1911 dhe u kompletua në shkurt të vitit 1912, me një kosto prej rreth 10 milionë dollarësh. Një vigan që nuk ishte parë e nuk ishte dëgjuar, 45.328 tonelata i rëndë, 268.98 metra i gjatë, 28.19 metra i gjerë dhe 53.34 metra i lartë, që do të dukej si një “qytet lundrues”, linja më e madhe e pasagjerëve në botë

Hajrudin S. Muja

Deri në çerekun e parë të shekullit XIX, i vetmi rrugëtim për të përshkuar Atlantikun ishte me “pako lundrimi” të ngadalshëm, të ngushtë dhe me pasoja të paparashikueshme, që mund të zgjaste me muaj. Në vitin 1858 u ndërtua një anije “e papërmbytshme”, që u quajt “Great Eastern”, një vigan 19.000 tonelatash, i gjatë 213.36 metra, që në çdo pikëpamje ishte “dy anije në një”! Vetëm dy vite pasi kishte filluar shërbimin transatlantik, pikërisht në natën e 27 gushtit 1862, duke lundruar për Nju Jork me 820 pasagjerë, në “Montuk Point” (Long Island) u gërvisht në një shkëmb të paeksploruar, duke i shkaktuar një të çarë prej 25.29 metrash të gjatë dhe 2.74 metrash të gjerë. Për fat të mirë, pjesa anësore e brendshme mbeti e pathyer dhe dhoma e motorëve e palagur, prandaj nuk u mbyt, por të nesërmen ajo vetë lundroi deri në portin e Nju Jork-ut [Lord:1986, ff. 30-31].
Nga kjo kohë, shënimet statistikore japin informata të rëndësishme për ndërtime anijesh të mëdha, secila më moderne se tjetra. Në nëntor të vitit 1879, në përdorim u lëshua anija “Arizona”, më e madhja në ditët e saj, e ndërtuar nga “John Elder & Company” në Skotlandë, e cila u përball me një molo akulli, duke i shkatërruar 30 këmbët e turirit, por pa humbje njerëzore. Pas tij më i veçuari dhe më luksozi ishte “Olympic”, që u lëshua në përdorim më 20 shtator 1910 dhe shërbeu për 25 vjet.

Dizajni i mahnitshëm që nuk ishte parë dhe nuk ishte dëgjuar më parë, sa vetë pronarët dhe kapiteni i anijes, veterani i deteve Eduard Xhon Smith, deklaruan me arrogancë se as “vetë Zoti nuk mund ta fundosë këtë anije”! E njëjta u tha edhe nga një anëtar i paidentifikuar i ekuipazhit, që duke u drejtuar pasagjerëve u tha se “vetë Perëndia nuk mund ta fundosë këtë anije”! Kështu u krijua miti i pamposhtjes!


Në fillim të vitit 1908, zyrtarët e kompanisë britanike “White Star Line” deklaruan se donin të ndërtonin një avullore gjigante transatlantike. Të gjithë kemi dëgjuar për të. U quajt “Titanik” [Titanic], por përse? Pati vetëm një burim në lidhje me këtë. As vetë botuesi i “Belfast Morning News” si mitologjist nuk mundi të kuptonte, por në një editorial të mëvonshëm shkroi se me këtë emërtim quhej një racë mitologjike e cila zhvilloi luftë kundër vetë Zeusit deri në shkatërrimin përfundimtar të tyre. Zeusi: “Goditi titanët e fortë e të guximshëm me rrufe, duke e bërë vendbanimin e tyre të fundit thellësinë më të ulët e të harruar të Tartarusit”. Pastaj shprehu çudinë përse kjo anije gjigante u quajt me emrin e një race që simbolizonte përpjekjet e kota për t’u mposhtur nga armiku i tyre triumfues?! Ai pohoi madje se ndërtuesit dhe pronarët e dinin mirë dhe sigurisht duhej të kishin një arsye të fortë për këtë emërtim, në dukje të papërshtatshëm [Lord:1986, f. 26].
Plini i Riu (61-113) qe i pari që bëri përshkrimin e shpërthimit të Vesuviusit dhe zjarrit të madh të Pompejit, në vitin 79 të erës së re, si fenomene gjeologjike pa përfshirje të dragojve, pa kacafytje të titanikëve dhe zortave [Fortey: 2005, f. 5]! Madje edhe kryqëzata e parë e shekullit XI shpesh quhej “ekspedita titanike” [Asbridge:2004, f. 2]. Në kontekst vetë pretendimi “i pathyeshëm” ose “i papërmbytshëm” nuk ishte aspak i logjikshëm për emërtimin e këtij ‘gjiganti’ [Lord:1986, f. 27]!
Sidoqoftë, ndërtimi i tij filloi në kantierin e anijeve “Harland & Wolfe” në Belfast (Irlandë e Veriut) në vitin 1909, u lëshua në përdorim më 31 maj 1911 dhe u kompletua në shkurt të vitit 1912, me një kosto prej rreth 10 milionë dollarësh [Everett:2012]. Një vigan që nuk ishte parë e nuk ishte dëgjuar, 45.328 tonelata i rëndë, 268.98 metra i gjatë, 28.19 metra i gjerë dhe 53.34 metra i lartë (nga vija ujore deri në majë të katër hinkave), që do të dukej si një “qytet lundrues”, linja më e madhe e pasagjerëve në botë.
Brendësia e modeluar sipas “Hotel Ritz” të Londrës, me kabina të klasit të parë dhe sallë pritjeje në stilin perandorak. Një “hotel” me dhoma gjumi, me palestër, me katër restorante dhe 50 mijë enë porcelani nga “Stonier & Co” e Liverpul-it, me pishinë, me spital, me dhomë operative, me skarë, kopsht palmash dhe një dhomë frigoriferi për të mbajtur ushqime të ndryshme. Kishte dhoma leximi, dy biblioteka, dy berberhane, banja turke, banja elektrike dhe një dhomë të errët fotografike. Në bord botohej edhe buletini ditor “Atlantic Daily Bulletin“, me lajme, reklama, çmime të aksioneve, rezultate të garave me kuaj, thashetheme të shoqërisë dhe menynë e ditës. Kishte dhoma ngrënieje dhe duhanpirjere, trotuare të hapura dhe të mbyllura. Një turbinë dhe dy motorë të fuqishëm me avull, secili me nga 15.000 kuaj fuqi, 29 bojlerë, secili mesatarisht nga 5.15 metra në diametër, më i madhi 6.09 metra i gjatë, kurse më i vogli 3.62 metra [“The Sinking of the Titanic”, 1912, f. 7]. Këta motorë për ta mbajtur me energji digjnin çdo ditë nga 600 tonë qymyr, me të cilën operonte një ekip prej 176 burrash. Shkallët madhështore zbrisnin në dhjetë kuvertat e anijes dhe paraqisnin panele lisi dhe kerubinë prej bronzi. 10.000 ishte numri i përafërt i llambave të përdorura në anije dhe i dritareve për t’i ndriçuar dhomat publike dhe kabinat, ku mund të akomodoheshin 3.547 pasagjerë me “varka shpëtimi për të gjithë” [Lord: 1986, f. 86]. “New York Tribune” (27.11.1010) pati publikuar një artikull ku shtrohej pyetja: “Si mund ta ankorojmë këtë përbindësh detar kur të arrijë në portin e Nju Jorkut?”
Më 1 qershor 1911, “Irish News and Belfast Morning News” e përshkroi si të pathyeshëm: “Në rast aksidenti, apo në çdo rast që të duket e nevojshme, kapiteni mundet, vetëm duke lëvizur çelësin elektrik t’i mbyllë menjëherë të gjitha dyert, praktikisht ta bëjë anijen të pambytshme”.
Pak ditë më pas edhe revista “Shipbuilder” shkruante për këto dyer “të mrekullueshme”, të cilat me lëvizjen e një çelësi elektrik do të mbylleshin dhe do ta bënin anijen të pambytshme [Lord: 1986, f. 28]!
Dizajni i mahnitshëm që nuk ishte parë dhe nuk ishte dëgjuar më parë, sa vetë pronarët dhe kapiteni i anijes, veterani i deteve Eduard Xhon Smith, deklaruan me arrogancë se as “vetë Zoti nuk mund ta fundosë këtë anije”! E njëjta u tha edhe nga një anëtar i paidentifikuar i ekuipazhit, që duke u drejtuar pasagjerëve u tha se “vetë Perëndia nuk mund ta fundosë këtë anije”! Kështu u krijua miti i pamposhtjes!
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat