
(vijon nga numri i kaluar)
Bisedat e fshehta që filluan në dhjetor 1917 në Zvicër, u dhanë shqiptarëve shpresa për ruajtjen e tërësisë territoriale në marrëveshjen që Antanta i ofronte Austro-Hungarisë. Në një situatë të këtillë, Shqipëria do të shpëtonte nga tërbimi sllav, sikur të mos vepronte Franca, e cila përmes ministrit të Punëve të Jashtme, Stefan Pizhonit, deklaroi se “Franca do të luftojë deri në fitore të plotë kundër Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë”, për “çlirimin” e vendeve dhe kthimin e territoreve të marra me forcë! Natyrisht që territoret e shqiptarëve të marra me forcë nga popujt sllavë e grekë, nuk konsideroheshin të tilla në llogaritë franceze!
Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, të mbështetura nga Rusia, kishin ambiciet e veta të përbashkëta për të përjashtuar turqit nga Ballkani. Por “turq” ata konsideronin një pjesë të madhe të popullatës autoktone, që në një masë të madhe ishte islamizuar prej kohësh, kryesisht shqiptarë, boshnjakë, pomakë (myslimanët bullgarë) etj. Ishte një etje “çlirimtare”, e cila me heshtje të mbuluar me gjak u përkrah dhe u ndihmua nga faktori ndërkombëtar
Kryetari amerikan Udrou Uillson, më 8 janar 1918 kërkoi krijimin e shteteve etnike në Ballkan. Para Kongresit Amerikan, ai shtroi 14 pikat diplomatike, ndër të cilat pika e 11-të kishte rëndësi të madhevpër çështjen shqiptare, sepse marrëdhëniet në mes disa shteteve të Ballkanit duhej rregulluar në bazë të marrëveshjeve miqësore, të mbështetura në vijën historike të përkatësisë nacionale. Ai gjithashtu shprehej: “Diplomacia mendjelehtë evropiane, duke marrë tokat e shqiptarëve në Veri, Lindje e Jug dhe duke ua dhënë ato fqinjëve të tyre, në fakt do të shkaktojnë luftëra të përditshme ndërmjet atyre shteteve” [Williams:1934/37]. Ishte një deklaratë që u dha shpresa shqiptatëve për bashkimin e trojeve etnike në një shtet të përbashkët, që i inkurajoi ata t’i dërgonin Uillsonit një memorandum me të cilin i kërkonin bashkimin e tokave të pushtuara nga viti 1912-1918, ku përqindja e popullsisë është mbi 92% shqiptare.
Por kërkesa e Uillsonit indinjoi serbët, sepse nuk flitej për bashkimin e popujve “serbë”. Çuditërisht edhe disa shqiptarë shkurtpamës që besonin në qendrën e pansllavizmit pas Revolucionit të Tetorit, kërkesat e Uillsonit i quajtën “demagogji propagandistike”. Nëntë ditë më vonë, Pashiqi iu dërgoi ankesë shteteve të Antantës për Uillsonin që “është kundër bashkimit të popujve sllavë”. Diplomacia evropiane, si duket, përkrahu kërkesën e Pashiqit në Selanik, në shkurt të vitit 1918 “për barazinë e popujve të vegjël e të mëdhenj”. Përkundër premtimit të shteteve të Antantës që të ruajnë neutralitetin në shkëmbim të ruajtjes së autonomisë dhe kërkesës së Uillsonit në Konferencën e Paqes në Paris, në Kuvendin e mbajtur më 5 janar 1918, Shqipëria nuk u përmend fare!
Në Beograd, intelektualët e “gjenocidit” me peticionin e janarit 1986 shënuan fillimin e ngritjes së nacionalizmit serb të Millosheviqit, u bënë të suksesshëm me propagandat e tyre për “gjenocidin e shqiptarëve kundër serbëve të Kosovës”
Diplomacia angleze doli me një proklamatë ku vinte në pah mbrojtjen e të “drejtave nacionale” të popujve sllavë dhe kërkesave “nacionale” të popujve të shtypur, por shqiptarët edhe këtë herë, edhe pse të ndarë e të grabitur, nuk hynin fare në këtë kategori! Përveç kësaj, situata politike në vend ishte shumë e rëndë. Shqipëria sundohej nga pushtues të ndryshëm si grekë, italianë, austriakë e bullgarë, dhe vështirë koordinoheshin punët në një Shqipëri të ndarë në katër pjesë. Si e tillë, ishte e pamundur që të koordinoheshin kërkesat për një Shqipëri të pavarur etnike. Në Versajën e 1919-s, nuk ishin rusët, por serbët që me krime të vulosura nga francezët u zgjeruan për pesë herë.
Naçertania [1844], Marrëveshja sekrete Serbi – Austro-Hungari [1881], Plani Sekret për dezorientimin e Kryengritjes Shqiptare [1912], Programi për likuidimin e shqiptarëve [1920], Konventa Jugosllavo-Turke [1938], Programi i Miloviqit [1941], Amnestia sekrete e çetnikëve [1944], Marrëveshja Xhentëlmene [1953], Publikimi i Librit të Kaltër [1977], ishin të gjitha programe me synime shfarosëse [Bajrami:2006/241], të cilat Evropa i vulosi me heshtjen e mbuluar me gjak!
Sipas Limon Rushitit (1994), në periudhën 1918-1921 u vranë dhe u masakruan 12.346 shqiptarë, u burgosën 22.160 veta, u dogjën 6.125 shtëpi të shqiptarëve dhe u plaçkitën 10.515 familje shqiptare [“Gjenocidi dhe aktet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve”, f. 79]. Një raport që iu dërgua shefit të Misionit anglez në Shqipëri, gjeneralit Hadson, flet për 44.700 viktima shqiptarë në Sanxhak e Mal të Zi gjatë viteve 1941-1945 [Bytyçi:2009/153]. Sot as vetë shqiptarët nuk dinë shumë për Masakrën e Hormovës (1914), Masakrën e Përbregut (Lumë – 1913), Masakrën e Bihorit (1915), Masakrën e Selanit [Paramithisë (1917)], Masakrën e Hereçit (1941), Masakrën e Sopotit (1944), Masakrën e Filatit (1945), Masakrën e Tivarit (1945) dhe shumë të tjera të cilat Evropa i përkrahu me heshtjen e mbuluar me gjakun shqiptar!
Ngjarjet e këtilla, që për fat të keq nuk kanë qenë të pakta, historianët nuk i kanë interpretuar si natyrë gjenocidale. Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia, të mbështetura nga Rusia, kishin ambiciet e veta të përbashkëta për të përjashtuar turqit nga Ballkani. Por, “turq” ata konsideronin një pjesë të madhe të popullatës autoktone, që në një masë të madhe ishte islamizuar prej kohësh, kryesisht shqiptarë, boshnjakë, pomakë (myslimanët bullgarë) etj. Ishte një etje “çlirimtare”, e cila me heshtje të mbuluar me gjak u përkrah dhe u ndihmua nga faktori ndërkombëtar, duke filluar nga Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit (1978) dhe duke vazhduar më pas me Luftërat Ballkanike (1912-1913), me Luftën e Parë (1914-1918) dhe të Dytë Botërore (1939-1945), e deri në luftërat e fundshekullit të kaluar (1992-2001), që rezultoi në shkatërrimin përfundimtar të asaj që mbas një historie të gjatë të mbuluar me gjak, mbante emrin më të çuditshëm të “Vëllazërim-Bashkimit”!
Në vitin 1981 shqiptarët e Kosovës shpallën mosbindje civile dhe demonstratat masive studentore tronditën “provincën” [Halpern & Kideckel:2000/69]. Evropa nuk i mori parasysh kërkesat e tyre dhe as rezistencën civile, diplomatike e gandiste dhjetëvjeçare të Ibrahim Rugovës, por i la të lirë serbët për të ushtruar gjenocidin dhe spastrimin etnik të Bosnjës dhe të Kosovës, në prag të mijëvjeçarit të tretë. Në Beograd, intelektualët e “gjenocidit” me peticionin e janarit 1986 shënuan fillimin e ngritjes së nacionalizmit serb të Millosheviqit, u bënë të suksesshëm me propagandat e tyre për “gjenocidin e shqiptarëve kundër serbëve të Kosovës”. Në shprehjen e Vuk Drashkoviqit, përkrahësit e Millosheviqit në rrugët e Beogradit brohorisnin: “Për Shën Savën ata që nuk dinin asgjë, dhe në mbrojtje të ortodoksizmit të kërcënuar ngriheshin njerëz pa formim shpirtnor, të cilët nuk dinin si duhet bërë kryq, dhe shumica e të cilëve kurrë nuk e kishin prekur Biblën me dorë”!
Kosova iu nënshtua kontrollit ushtarak, kurse udhëheqësit shqiptarë të Kosovës i zëvendësoi me serbë, duke iu gulfatur gjithnjë e më shumë “frymëmarrjen” [Carter&Norris:1996] dhe duke ua mbyllur të gjitha shkollat shqipe të Kosovës [Tanjug, 21.10.1991]. Problemi i Kosovës u anashkalua nga Bashkësia Ndërkombëtare për një kohë të gjatë dhe u përjashtua nga bisedimet e paqes dhe negociatat mbi luftën që po zhvillohej në ish-Jugosllavi. Deklarata e Pavarësisë së shqiptarëve më 1991 u përball me përgjigjen e ashpër ushtarake të Millosheviqit. Si pasojë UÇK hyri në një luftë të armatosur me Serbinë për pavarësinë e Kosovës [Judah:2000/108-109]. Disa diplomatë perëndimorë u ngutën ta etiketojnë si “grup terrorist” [Alpasan:2003], duke refuzuar të shohin kush vërtet po bënte terror! Ata kishin sjellur në Kosovë tipat e Arkanit, i cili për shkak të problemeve të adoleshencës qëndroi për një kohë në “qendrën edukativo-korrektuse”, dhe në vend që ta përmirësonte e bëri “më të sëmurë” [Tomašević:2008/486]. (vijon)
