Përgjegjësit duhen ndëshkuar

Uji është jetë, por në Kalanë e Ulqinit dhe zonat e tjera të larta, në vrullin e sezonit turistik nuk ka ujë

Hajrullah Hajdari

Uji është përbërës thelbësor dhe i nevojshëm për jetën e të gjitha organizmave të gjallë. Uji është një pasuri natyrore me interes të përgjithshëm dhe kusht i zhvillimit dhe ekzistencës së shoqërisë në përgjithësi. Pra, uji është jetë! Nisur nga kjo, Ligji mbi veprimtaritë komunale në Mal të Zi përcakton se furnizimi me ujë është një ndër veprimtaritë komunale si kusht i pazëvendësueshëm për jetën dhe punën e qytetarëve, bizneseve dhe subjekteve të tjera në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore. Njësia vetëqeverisëse vendore është përgjegjëse për mirëmbajtjen e infrastrukturës komunale, pajisjeve dhe mjeteve për kryerjen e këtyre aktiviteteve. Pra, qytetari dhe jo vetëm, gëzon të drejtën e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm dhe furnizimin me ujë për realizimin e detyrave zhvillimore dhe arritjen e vazhdueshme të zhvillimit të shoqërisë në tërësi.

Deficiti i furnizimit me ujë, faktor kufizues për jetë e zhvillim ekonomik
Komuna e Ulqinit është e vetmja komunë në bregdetin malazez që ka pasur dhe ka potenciale të mjaftueshme ujore dhe mundësi të sigurojë ujë të mjaftueshëm për qytetarët dhe ekonominë e saj. Përkundër këtij potenciali dhe mundësisë, sot e kësaj dite, Komuna e Ulqinit nuk po i përmbushë detyrimet apo obligimet ndaj qytetarëve dhe ekonomisë së saj. Furnizimi me ujë është i parregullt dhe i pamjaftueshëm. Deficiti i furnizimit me ujë është bërë një faktor kufizues në jetën dhe zhvillimin ekonomik.
Ky vit i thatë hidrologjik, edhe më tepër nxori në pah mangësitë e sistemit të furnizimit me ujë, por edhe të keqadministrimit e sidomos mosveprimit të udhëheqjes vendore, apo mosinteresimit të saj për realizimin e projekteve të aprovuara për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të qytetarëve dhe të ekonomisë. Stafi i NPK-së, tetëmbëdhjetë (18) vite më parë, qytetarëve të Ulqinit ua ka prezantuar projektin afatgjatë për zgjidhjen e furnizimit me ujë në territorin e Komunës së Ulqinit. Udhëheqja dhe pushteti vendor vijnë e shkojnë, ndërrohen kryetarë e parti politike në pushtet, por për fatin e keq të qytetarëve, furnizimi me ujë nuk është në nivelin e duhur, që do të mundësonte jo vetëm furnizimin me ujë të pijshëm por edhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e mëtutjeshëm të turizmit – degës kryesore ekonomike në Komunën e Ulqinit. Pasojat janë të mëdha, mbase të parikuperueshme për momentin!
Kalaja e Ulqinit, një tërësi urbanistike dhe arkitektonike ndër më të vjetrat në Adriatik, pikë e rëndësishme turistike për çdo qytetar që Ulqinin e ka zgjedhur si destinacion për të kaluar pushimet verore, pikë turistike e cila pa dyshim valorizon vlerat historike, kulturore e turistike të këtij qyteti, që nga gjysma e muajit korrik po vuan furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm. Qytetarët dhe turistët janë të dëshpëruar e të mërzitur për gjendjen dhe kaosin e krijuar si pasojë e mosfurnizimit me ujë të këtij lokacioni atraktiv turistik.

Ulqini duhej të kishte furnizim të rregullt me ujë nga viti 2004
Sistemi i ujësjellësit të Ulqinit, konceptualisht është i ndarë në dy zona: zona e lartë dhe zona e ulët. Gjatë sezonit turistik, për shkak të mosbalancimit kohor të shpenzimit të ujit, shpeshherë vjen deri te mungesa e rrjedhjes së ujit në sistem dhe si pasojë në zonat e larta uji nuk arrin dot. Kështu, zonat e larta e veçanërisht Kalaja, nuk furnizohen dot me ujë! Të mbetesh pa furnizim me ujë për plot 24 apo më shumë ditë është fatkeqësi.
A ka zgjidhje?! Sigurisht se po! Po pse është kështu?!
Në vitin 2003, stafi i NKP-së, duke u nisur nga fakti se furnizimi i rregullt me ujë është faktori kryesor për vijimin normal të sezonit turistik si dhe nga fakti se me kapacitetet ekzistuese dhe sistemin në dispozicion është e pamundur të arrihet një gjë e tillë, hartoi planin për zgjidhjen e këtij problemi madhor. U propozua ndërtimi i një depozite ujore, me kapacitet 5.000 m kub, në lartësi mbidetare 78 m, i cili do të zgjidhte problemin e furnizimit me ujë të zonave të larta e në rast të rënies në tërësi të sistemit të ujësjellësit, do të furnizonte, me rënie të lirë, tërë qytetin për 4-6 orë. Sipas elaboratit, shpenzimet e investimit në këtë projekt do të nxirreshin për dhjetë (10) vite vetëm nga ndryshimi i çmimit për shpenzimin e energjisë elektrike.
Projekti i depozitës së propozuar është aprovuar dhe reviduar nga ekspertë eminentë të kohës. Këshilli drejtues i NKP-së, në nëntor të vitit 2003 e aprovoi këtë projekt të rëndësishëm strategjik. Projektet e furnizimit me ujë në bregdetin e Malit të Zi dhe Cetinës, në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi, u përkrahën nga konsorciumi i bankave në Mal të Zi, me kushte kreditore shumë të volitshme. Projektet e propozuara nga NKP-ja e Ulqinit u renditën në vendin e parë dhe konsorciumi i bankave ishte i gatshëm të financionte të gjitha projektet e kësaj ndërmarrjeje me vlerë prej 1.8 milionë euro. U shpall tenderi i projekteve dhe u përzgjodhën kryesit e punës. Sipas tenderit, depozita do të ndërtohej për më pak se 900 mijë euro. Mirëpo, ky investim duhej të merrte garancinë e Komunës së Ulqinit, pra Kuvendi i kësaj komune duhej të miratonte vendimin për dhënien e garancisë për 70% të mjeteve, sepse 30% duhej t’i siguronte Qeveria e Malit të Zi.

Kur politika (UDSH) përzihet në profesion, dështimi ishte (është) i paevitueshëm
Por politika u përzie keqas në këtë projekt. Unioni Demokratik i Shqiptarëve u pozicionua kundër këtij projekti, edhe pse kryetari i Komunës dhe kryetari i Këshillit drejtues të NKP Ulqini ishin nga radhët e tyre.
Cilat ishin interesat e tyre?! S’i kam kuptuar sot e kësaj dite!
Edhe pse ky projekt u përkrah edhe nga partitë opozitare në Kuvend, me qëllim që mos të prishet koalicioni, Kuvendi i komunës së Ulqinit nuk e dha pëlqimin për shfrytëzimin e mjeteve kreditore për realizimin e këtij projekti madhor. Projekti për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të Ulqinit dështoi. Ndërmarrjet publike të ujësjellësve të komunave të tjera na e panë hajrin, grabiteshin se kush nga mjetet e lëna nga Ulqini do të marrë më shumë. Kështu politika shterpë, hileqare apo ziliqare e UDSH-së, pa menduar fare për pasojat e vendimit të tyre, krejtësisht të paarsyeshëm, i la qytetarët, afaristët ulqinakë dhe turistët të vuajnë furnizimin me ujë për tetë (8) vitet e ardhshme. Nga viti 2012, kur Ulqini filloi të marrë një sasi uji nga ujësjellësi rajonal, furnizimi me ujë u përmirësua sadopak, por jo në nivelin dhe shkallën që ulqinakët e meritojnë dhe me ligj u takon. Përsëri uji mungon.
Duhet cekur se përveç ndërtimit të depozitës së ujit në fjalë për furnizimin e qëndrueshëm me ujë të qytetarëve dhe ekonomisë, ekipi profesional i NKP-së Ulqin në bashkëpunim me ekspertët e Sekretariatit dhe supervizionit për realizimin e programit për përmirësimin e furnizimit me ujë në komunat bregdetare të Malit të Zi dhe Cetinës, identifikoi dhe i radhiti si prioritare planet investuese deri në vitin 2015, e këto janë: shpimi (ndërtimi) edhe i pesë pusave në Lisën Bore me qëllim të rritjes së kapacitetit (dy janë ndërtuar), dhe ndërtimi i fabrikës për përmirësimin e cilësisë së ujit, rehabilitimi dhe zgjerimi i rrjetit të shpërndarjes me qëllim të zvogëlimit të humbjeve në rrjetin kryesor dhe rehabilitimi i 12 puseve në Lisën Bore, ndërrimi i gypave të azbestit, ndërtimi i një depozite ujore në Katërkollë dhe të një depozite tjetër prej 4.000 m kub në Gjerana etj. Të gjitha këto investime do të kishin mundësuar një furnizim të qëndrueshëm me ujë edhe të zonave të larta, pra edhe të Kalasë. Por, ç’e do kur udhëheqja vendore e menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje publike në vend të përmbushjes së obligimeve ligjore dhe realizimin e projekteve në fjalë, ose të ndonjë projekti tjetër, me veprime joprofesionale dhe kyçjeve të pakontrolluara në rrjet e dobësuan edhe më shumë rrjedhshmërinë e ujit për të arritur në zonat e larta.
Me sa jam në dijeni, asnjë nga këto investime prioritare gjer në ditët e sotme nuk është realizuar. Përgjegjës për realizimin e këtyre projekteve është pushteti vendor dhe kryetarët e komunës. Ata pothuajse nuk merakosen fare për këtë gjendje kaotike në furnizim me ujë në zonat e larta. Nuk është vetëm Kalaja, sepse uji në kuotën 18 m e më lart nuk arrin as në Kodra e Gjerana. Si rrjedhojë, qytetarët dhe turistët vuajnë, ndërsa nga ana tjetër, politikëbërësve edhe përkundër obligimeve ligjore nuk u hynë ferrë në këmbë.

Shpresa vdes e fundit
Tanimë kur në horizont është një shpresë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në bashkëpunim me Bankën Gjermane, partitë politike, sidomos ato shqiptare, duhet t’i bashkërendojnë veprimet e të marrin përgjegjësinë. Përgjegjësi duhet ndëshkuar. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen, mos t’i mbyllin sytë para problemeve që kanë zgjidhje, duhet të kërkojnë përgjegjësi nga ata që nuk i zbatojnë obligimet e marra dhe ligjore. E fundit: të shpresojmë!

Të fundit

më të lexuarat