
Në këtë gamë, e tërë përgjegjësia bie mbi individët e zgjedhur apo të emëruar në pozita të ndryshme në nivel lokal apo qendror, sepse kemi të bëjmë me resorët e ndryshëm që kërkojnë përkushtim profesional, sepse ata në pozita të tilla nuk janë për të zgjidhur çështjet personale apo familjare, por të qytetarëve të cilët i përfaqësojnë.
Duke marrë parasysh se vendosja në pozita të ndryshme edhe tash në pluralizëm pothuaj në tërësi diktohet nga partitë politike, mbetet çështje për diskutim për raportet shoqërore tash dhe në të ardhmën. Një qëndrim i tillë për çështje kadrovike mbetet i hapur, sepse si duhet të veprojnë pjesëtarët e partive të tjera që duan të punësohen në administratë e gjetiu në saje të konkursit publik përmes referencave profesionale.
Por, përvoja 30-vjeçare e pluralizmit, lë për të dëshiruar sepse më përjashtim të disa rasteve, në pozitat udhëheqëse janë vendosur individë jo të denjë për pozita të tilla, sepse çështjet e tilla trajtohen si ekskluzivitet personal e jo të përfaqësimit të atyre që i kanë votuar. Identike është gjendja edhe në përbërjen e këshillave drejtuese, ku me përjashtim të ndonjë rasti, aty vendosën individë pa njohuri profesionale por më së shumti militantë partiakë, ku si të tillë aty janë ma tepër formal, andaj kontributi në çështjet përkatëse është nën çdo nivel.
Ulqini- rast për hulumtim jo vetëm lokal
Rasti i Ulqinit është i veçantë dhe rast për hulumtim, sepse ka munguar qasja e tillë, ngase dominonte oportunizmi profesional për qellime personale. Një dukuri e tillë ka të bëjë sidomos me sektorin e mbrojtjen së pasurisë së komunës, për mundësitë e pashfrytëzuara për të demaskuar veprimet korruptive që kanë ekzistuar më herët.
E dhëna se deri më tash një çështje e tillë nuk është trajtuar me prioritet duke qenë çështje ekskluzive komunale, dëshmon dështimin profesional në qeverisjen lokale. Fjala është kryesisht për privatizimin e objekteve dhe ndërmarrjeve shoqërore që kanë vepruar në territorin e Komunës së Ulqinit, të cilat kanë dështuar tërësisht, që me të drejtë quhet plaçkitje profesionale në nivel shtetëror. Ndërsa rasti i ish-Pushimores së sindikatave të Kosovës, ku Komuna e Ulqinit pësoi me një borxh prej 6.5 milion eurosh, që ishte skandal i veçantë i korrupcionit e plaçkitjes së komunës, do të mbetet rast për hulumtime në tekstet juridike.
Në lidhje me çështjen e privatizimit, përkatësisht të plaçkitjës së ndërmarrjeve shtetërore dhe pronave të komunës, ka ekzistuar heshtje e plotë nga individët kompetentë. Jo se ka munguar qasja profesionale, por mungesa e guximit për t’u ballafaquar me realitetin e hidhur në vend. Rasti i mosparaqitjes së ankesës nga ana e Komunës ne lidhje me privatizimin e parcelës në “Fushën e Topave” në Kala, duke ia mundësuar palës tjetër ndërtimin e një objekti hotelier (që nuk është përfunduar ende), paraqet rastin skandaloz, jo vetëm juridik për pushtetin lokal të Ulqinit.
Nuk ka dilemë se çështja e privatizimit ka qenë identike pothuaj si në tërë Malin e Zi, por në Ulqin përmes privatizimit janë realizuar skenaret e oligarkëve të ndryshëm me mbeshtetje lokale dhe shtetërore, me pasoja për popullatën vendore. Pikërisht një privatizim i tillë i dështuar ndikoi në rritjen e papunësisë duke nxitur emigrimin e popullatës në botën e jashtme.
Privatizimi – dosje e veçantë(!)
Vetëm tani pas ndryshimit të pushtetit në saje të rotacionit të pushtetit nga 30 gushti 2020, në këtë aspekt ka filluar të lëvizë në favor të qytetarëve. Rasti i Valdanosit, rikthimi i pronarëve të ligjshëm, si dhe mundësia që Kriporja të jetë përsëri në pronësi të shtetit, paraqet rastin e parë për rikthimin e drejtësisë së munguar. Me këto dy raste duhet të jetë vetëm fillimi, sepse duhet vazhduar më tutje për të rikthyer drejtësinë e munguar në këto tridhjetë vite.
Duhet të rishqyrtohen privatizimet e dështuara jo nga mandati i kaluar por më herët, duke parë edhe rolin e Komunës së Ulqinit, duke ofruar argumente në favor të të punësuarëve në ndërmarrjet përkatëse, siç janë hotel Galebi, Otrant etj. Vetëm në këtë mënyrë do të eliminohen dyshimet dhe dilemat që do të jetë në favor të proceseve të tilla.
Kemi të bëjmë me një dosje të veçantë nga fusha e privatizimit të pronës dhe të ndërmarrjeve shoqërore, që do të ishte voluminoze nëse do të realizohej si botim i veçantë nga pushteti lokal i Ulqinit. Një botim të tillë mund ta realizojnë vetëm ata që nuk kanë qenë pjesë e këëtyre veprimeve apo aferave korruptive, dhe janë profesionistë të dëshmuar e sidomos të guximshëm për të prezantuar të vërtetën para opinionit të gjerë.
Heshtja e imponuar
Nuk mund të arsyetohet më asgjë heshtja disavjeçare ndaj procesit të privatizimit në Ulqin, jo vetëm duke ngritur komisione por edhe procese gjyqësore si në komuna të tjera në Mal të Zi. Pse diçka e tillë nuk ka ndodhur në Ulqin nuk është vështirë të kuptohet, sepse përveç mungesës së profesionalizmit, qendron mungesa e guximit dhe kompleksi i frigës ndaj pushtetit qendror. Kemi të bëjmë me kompleksin e të nënshtruarit ndaj pushtetit si rezultat i raportit ndaj qytetarëve të Ulqinit, si në monizëm edhe tash në pluralizëm.
Po ashtu, nuk duhet përjashtuar edhe hipotekat e ndryshme ndaj përfaqësuesve të Ulqinit në raport me strukturat e ndryshme qeveritare, të cilët janë zënë peng, andaj si të tillë heshtjen e kanë pasur të imponuar. Nuk ka dilemë se nga të tillët mbrojtja ka qenë mision i pamundur, ngase ka dominuar interesi personal e jo ai qytetar apo publik.
Përfundimisht për ndryshime cilësore nevojiten persona me integritet moral dhe profesional, sepse të tillët mund të na përfaqësojnë me dinjitet si kudo në botën e qytetëruar, ngase nuk kemi të bëjmë me çështje personale, por të përgjithshme në favor të qytetarëve.
