
Partitë politike në Mal të Zi shpërfaqin gjendjen e përgjithshme që e kemi në shoqëri, e që vazhdon të jetë shoqëri patriarkale, sidomos në mënyrën se si e trajtojmë gruan në përfaqësimin e jetës publike. Ky fenomen i padëshirueshëm, i paligjshëm dhe diskriminues ndaj gjinisë femërore u përsërit edhe në zgjedhjet lokale 2022, të cilat u mbajtën më 23 tetor në 14 komuna të Malit të Zi (Podgoricë, Danilovgrad, Tivar, Zetë, Budvë, Tivat, Kollashin, Bijello Pole, Shavnik, Zhablak, Pluzhinë, Plevle, dhe Plavë). Edhe në këto zgjedhje që u mbajtën në një kohë krize të rëndë politike në këtë shtet, ku dy qeveri janë ndryshuar gjatë dy viteve, ku kjo e fundit është në mandat teknik, për fat të keq çështja e përfaqësimit të grave në listat zgjedhore ka mbetur formalitet, respektivisht vetëm retorikë politike, sepse nuk u respektua parimi i barazisë gjinore (neni 39 A i Ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve) që në listën zgjedhore duhet të jenë të paktën 30 përqind gra.
Komisioni Komunal Zgjedhor në pesë komuna i ka shpallur të paligjshme 13 lista zgjedhore, por nuk bëri asgjë për ndëshkimin e atyre partive (subjekteve e koalicioneve) politike të cilat nuk respektuan as minimumin ligjor në listat e tyre, por i lejoi ato të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në ato komuna.
Përderisa disa subjekte politike në çdo cikël zgjedhjesh nuk po e përfillin Ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, nuk kam parë se dikush ka iniciuar përgjegjësi për punën e komisioneve komunale zgjedhore në këtë rast. Madje e kemi parë reagimin e vonuar të Asociacionit (Klubit) të Grave të Kuvendit të Malit të Zi , i cili ka kërkuar që çdo degradim dhe diskriminim i gruas në Mal të Zi të sanksionohet rreptësisht, dhe të mos lejohen të marrin pjesë në zgjedhje ato parti politike që në përputhje me ligjin nuk përfaqësojnë pjesëmarrjen e grave në listat zgjedhore. Zëri më i fuqishëm kundër kësaj dukurie shqetësuese për krejt shoqërinë tonë është dëgjuar si vazhdimisht nga shoqatat joqeveritare (shoqëria civile). Ato thonë se aq më keq është kur ligji nuk respektohet nga ata që e miratuan vetë, pra subjektet politike. Shoqëria civile menjëherë pas publikimit të listave zgjedhore, theksoi se numri i pamjaftueshëm i grave në zgjedhjet e planifikuara lokale duhet të na shqetësojë të gjithëve dhe të na hapë çështjen e karakterit të vlerave që ushqehen realisht mes subjekteve të ndryshme politike nëse ato nuk hapin hapësirë qoftë edhe për një minimum, ose një e treta, e lëre më një përfaqësim i barabartë i grave.
Duhet përkujtuar se kuota e detyrueshme e anëtarëve të gjinisë më pak të përfaqësuar në lista nuk është e re në ligj, prandaj kjo sjellje nuk mund të atribuohet si injorancë ngathtësisë së pjesëmarrësve në zgjedhje, dhe as komisioneve komunale zgjedhore, të cilat me apo pa qëllim i anashkaluan këto gjëra. Edhe pse politika në Mal të Zi kryesisht dominohet nga meshkujt, është e papranueshme për një shoqëri që pretendon dhe të shkojë përpara në aspektin e zhvillimit ose të ketë progres në aspektin e vendosjes së vlerave të mirëfillta evropiane, ende mos të respektojë minimumin e kuotave të përcaktuara me ligj kur bëhet fjalë për përfaqësimin e grave në listat zgjedhore. Gratë meritojnë të jenë të përfaqësuara në mënyrë të drejtë dhe të barabartë në të gjithë hierarkinë e partive politike, sikurse edhe në qeverisjen e vendit. Drejtuesit e partive politike duhet të turpërohen nëse veprojnë ashtu që gratë t’i organizojnë e t’i ndajnë në një organ të veçantë brenda partisë. Vendi i grave është në kryesinë e partisë, të përfaqësuara siç duhet denjësisht dhe në mënyrë të barabartë. Ato përbëjnë më se gjysmën e popullatës sonë dhe partitë duhet të instalojnë një praktikë tjetër e cila do t’u mundësojë atyre të jenë të përfaqësuara në mënyrë adekuate në jetën publike, në poste të larta në të gjitha nivelet e pushtetit. Për këtë nevojitet një mentalitet tjetër dhe një reformë zgjedhore e vazhdueshme, sepse në rrethana aktuale gruaja në poste udhëheqëse shihet si dobësi për burrat, të cilët e kanë kultivuar idenë se ata duhet të jenë violina e parë.
