Për qejfin e kujt shqiptarëti mbajnë mbiemrat membaresat sllave “viq” dhe “iq“

Menjëherë pas aneksimit të tokave shqiptare, në veçanti për shqiptarët në Mal të Zi, filluan ditët e errëta. Atëkohë filluan keqtrajtimet nga format më të ndryshme të ushtruar nga pushteti i asaj kohe. Kështu, nga ditët e para të uzurpimit të trojeve shqiptare, politika shtetërore ndërmori një varg masash ndëshkuese ndaj shqiptarëve si: ndryshimin e identitetit kombëtar (ndërrimin e mbiemrave), si dhe ndërrimin e emrave të disa vendbanimeve nga shqipja në gjuhën sllave e shumë veprime të tjera antiligjore. Të gjitha këto veprime atëkohë u bënë pjesë e jetës së shqiptarëve dhe kishin një qëllim të caktuar: asimilimin dhe shpërnguljen e sa më shumë të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Shqiptarët iknin se ishin të pafuqishëm për t’u përballur me një regjim të egër siç ishte ai. Gjithë këto veprime të paligjshme u bënë tepër të padurueshme për shqiptarët dhe reagimet e tyre ishin të papërfillshme dhe si rrjedhojë, shqiptarët u detyruan t’i braktisin trojet e tyre etnike dhe në tokat e tyre vendosnin banorë të tjerë malazezë me synim të ndryshimit të strukturës se popullsisë. Ky ishte edhe qëllimi kryesor i politikës serbo-malazeze, që do të thotë: “I forti mund të bëjë çfarë të dojë ndaj të voglit“.
Në anën tjetër, edhe pse në territoret e banuara me shqiptarë, në Mal të Zi u hapën disa shkolla fillore, por nxënësit shqiptarë nuk mësonin në gjuhën e tyre amtare, por ishin të detyruar të mësonin gjuhën, kulturën dhe historinë e popullit serbo-malazez. Por jo vetëm kaq, shqiptarëve iu ndërruan mbiemrat, duke iu ngjitur mbaresën sllave “viq “dhe“ iq”. Ky veprim ishte një nga imponimet e padrejta që iu bë shqiptarëve.

Por, kur filloi vendosja e mbaresës sllave në mbiemrat e shqiptarëve ?
Lidhur me këtë dukuri, studiuesi, Hajro Hajdari mes të tjerave shkruan: “Vendosja e mbaresës sllave së pari filloi në Kapetaninë e Tivarit dhe Podgoricës, në vitin 1880. Në Kapetaninë e Shestanit ky veprim asimilues u bë nga viti 1883-1898, në Ulqin nga viti 1899 e në vijim, në Krajë në vitin 1904-1905, ndërsa në Kapetaninë e Trieshit ky veprim përfundoi në vitin 1904 kur të gjitha familjet figurojnë me mbaresën sllave “iq” ose “viq”. Më tej Z. Hajdari shkruan: “Pas okupimit të dytë të trojeve shqiptare nga Mali i Zi, më 1912, (Ana e Malit, Kraja Lindore, Malësia, Rozhaja, Plava e Gucia), sa i përket mbiemrave të shqiptarët, okupuesi i ri përdori të njëjtën metodë. Në vitin 1914, të gjithë mbiemrat e shqiptarëve në Mal të Zi u çoroditën me mbaresën sllave “iq” apo “viq ”
Duhet theksuar se ky ishte një ndër qëllimet thelbësore të politikës për shkombëtarizimin e shqiptarëve të asaj kohe. Por, përkundër të gjithë kësaj katrahure që kaluan shqiptarët, për fatin e mirë, qenia jonë kombëtare në Mal të Zi vazhdoi të mbijetojë.
Dihet mirë se, në shumicën e rasteve, mbiemrat tregojnë origjinën apo klasën shoqërore të një familjeje, janë shprehje e identitetit kombëtar, andaj dhe ndërrimi i mbiemrave të shqiptarëve në mbiemra malazezë ishte shumë e rëndësishëm për politikën e kohës. Shikuar nga vështrimi historik, sufikset (prapashtesat), emri dhe mbiemri, në substancën tonë veçon etninë, përcakton identitetin kombëtar dhe mbrohet me të drejtat e njeriut dhe kushtetutë. Prapashtesat “viq“ dhe “iq” të mbiemrat e shqiptarëve, duhet parë si mbetje të mentalitetit pushtues, ku brenda natës u ndërruan, p.sh. Mehmeti është bërë Mehmedoviq, Kovaçi është bërë Kovaçeviq, Kurti është bërë Kurtoviq, Gjoni është bërë Gjonoviq, Bardhi është bërë Bardiq ose Bardhoviq, Hoxha është bërë Hoxhiq, Kasmi, Kasmiq, Doçi,Doçiq e kështu me radhë.
Duhet theksuar se shqiptarët në Mal të Zi janë popull autokton dhe janë në trojet e tyre etnike. Dikur pas viteve 60-ta, shqiptarëve në Mal të Zi u është lejuar t’i ndryshojnë (korrigjojnë) mbiemrat e tyre, por ishte një numër i vogël i tyre të cilët e morën këtë hap, sidoqoftë duhet përshëndetur gjithë ata të cilët morën guximin e duhur. Por, çfarë po ndodhë me shqiptarët sot ? Fatkeqësisht pjesa më e madhe e shqiptarëve edhe sot i mbajnë mbiemrat që nga ajo kohë, pra nuk i mbajnë mbiemrat autentikë. Përkundër asaj se ndryshimi i mbiemrit është i lejuar me ligj, çuditërisht ende sot shumë pak individë e shfrytëzojnë këtë të drejtë !

Për qejfin e kujt mbahen këta mbiemra ?
Është për t’u habitur fakti se ende në mesin e shqiptarëve, ka edhe nga ata që janë të “stolisur” me mbiemrin “viq” ose “iq”.Çudia edhe më e madhe është te disa nga ata të cilët janë të pajisur me diploma të arsimimit të lartë, e çka është më e keqja, në mesin e tyre edhe mësimdhënës, madje dhe me grada të larta shkencore, duke mbuluar poste të larta, pothuaj nga të gjitha strukturat institucionale, shoqërore e politike. Kjo është e pafalshme! Është mungesë e vetëdijes kombëtare. Kështu është edhe me bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë dhe punojnë në botën e jashtme. E gjithë këta, duhet ta kenë të qartë se me veprime të tilla, nuk i bëjnë nder vetit dhe as qenies kombëtare. Nuk e di për qefin e kujt e mbajnë këtë mbiemër të “veshur “me “viq” ose “iq”? !
Dikur, në kohët e mëparshme, nuk ishte aspak i lehtë ndryshimi- korrigjimi i mbiemrit, përveç sakrificës, duheshin muaj të tërë për të kaluar procedura burokratike dhe bëheshin pyetje të shumta nga organet përgjegjëse për arsyet e përmirësimi të emrit dhe mbiemrit. Tani ky veprim ka 20 vjet e më tepër që gjërat kanë ndryshuar, pothuaj në të mirë. Me ndryshimin e ligjit, procedurat janë shkurtuar dukshëm dhe fare thjesht mund të korrigjohet mbiemri, pa kaluar shumë procedura. Por, duhet vullnet i mirë dhe vetëdijesim më i shtuar. Kjo “është edhe një thirrje e ndërgjegjes kombëtare për të gjithë ata-ato të cilët ende e mbajnë këtë “stoli të dhuruar“!
Shpesh fitohet bindja se shqiptarët me tolerancën e tyre të tepruar ende nuk e marrin me seriozitetin e duhur çështjen e identitetit të tyre. Andaj, me shumë dashamirësi ju që sot jetoni brenda dhe jashtë shtetit, u them se ligji ua mundëson rikthimin e mbiemrave në shqip. Andaj, mos kini frikë nga askush, bëjeni me vetiniciativë, ngase në rend të parë respektoni veten, familjen, vendin dhe paraardhësit tanë. Them këtë, se gjithë këto elemente kanë pasur një prapavijë politike, atë të mohimit të gjuhës, kulturës, historisë e në përgjithësi të identitetit tonë. Është mirë që t’i heqim nga vetja gjithë ato iluzione, se me këtë prapashtesë do të jemi më të “kulturuar” dhe shqiptarët do t’i kenë punët mirë, duke qëndruar në heshtje me mbiemra të çoroditur, apo ndoshta për t’i bërë qejfin dikujt, ose siç mendojnë edhe disa: heqja e “viqit” ose “iqi-t” nuk të bën shqiptarë më shumë ! Madje shpesh dëgjojmë shprehjen, “I ka ikur koha patriotizmit “! Jo, kjo është demagogji, është inteligjencë artificiale. Kjo është çështje kombëtare, është çështja e ndërgjegjes sonë. Andaj, duhet ta forcojmë identitetin tonë, ta shkundim ndërgjegjen nga harresa jonë, t’i kthehemi origjinës, sepse ky është thelbi i identitetit tonë.
Me shpresën e mirë, që sado pak, këto rreshta të shkruara, do të ndikojnë në një të ardhme që t’i riktheheni mbiemrit të të parëve tanë. T’i rikthehemi identitetit tonë. Korrigjojeni një padrejtësi të imponuar në një kohë të caktuar, që ishte pa dëshirën tonë!

Të fundit

më të lexuarat