
E para e punës, shumë po spekulohet gjoja me mandate të garantuara për shqiptarët si e drejtë e fituar në marrëveshjen e krajl Nikollës me Sulltanin. Kurse opinioni nuk e di që mandatet e garantuara për shqiptarët në Malin e Zi kanë qenë të garantuara vetëm me kushtetutën e vitit 1906 të mbretit Nikollë, i cili edhe pse ishte absolutist, në kushtetutën e tij shkruante: “Edhe Ulqini zgjedh një deputet”. Që do të thotë se përfaqësimi i shqiptarëve në Mal të Zi qenka e drejtë e fituar që në atë kohë, kurse sot çështja e mandateve të garantuara është thjesht një spekulim i partisë në pushtet për të fituar zgjedhjet. Këtë e arsyeton fakti se kjo bëhet përmes ndryshimit të Ligjit zgjedhor, i cili siç do të shihet më poshtë, nga viti 1990 e deri më sot ka pësuar plot 19 ndryshime dhe plotësime e që ishte në shërbim të fitoreve të partisë që ishte në pushtet por edhe të opozitës malazeze, për të cilët edhe sot punojnë përfaqësuesit e shqiptarëve, madje edhe me këtë kërkesë të deputetit Çobaj kur tha që do të angazhohen për mandate të garantuara.
Në fakt, deputeti Çobaj dhe të gjithë të tjerët, kur dalin me këso tezash më kujtojnë Mark Milanin, i cili e njihte mirë shqiptarin dhe i porosiste malazezët që të mos hidhërohen me fqinjët e tyre, sepse ata shpeshherë janë të prirë të fantazojnë disa gjëra të cilave pastaj sillen edhe u besojnë, duke u ngopur me lugë boshe që mund të na ngjajë edhe aktualisht me këtë mendësi politike.
Ajo që duhet të na shqetësojë është përse deputetët shqiptarë, të cilët, ç’është e vërteta, asnjëherë nuk janë ankuar për Ligjin zgjedhor që është diskriminues për ta qysh se shqiptarët dolën nga koncepti i organizimit politik, i menduar pas rënies se komunizmit, i deputetit Gjergj Gjokaj dhe Lek Lulgurit, koncept zgjedhor që do të ishte edhe sot afirmativ për popujt pakicë, duke i avancuar ata e sidomos tashmë në kohën kur edhe vetë serbomalazezëve u është mësuar veshi që Mali i Zi është shtet shumënacional, shumëgjuhësor dhe shumëkonfesional.
Po të aplikohej sërish formula frytdhënëse e Gjergjit dhe Lekës, shqiptarët do të kishin 13 deputetë si dikur, plus nëse pasurohet lista edhe me kroatët do të kishim 14 deputetë. Kjo është ajo së cilës i frikësohen serbomalazezët si popuj shumicë, por edhe partia URA, e cila me zero për qind të votave kushtëzon me kryeministër?! Kjo na duket që ka për të ndodhur edhe në zgjedhjet e radhës, kur sipas prapaskenave që po luhen shqiptarët do të lejohen të kenë pesë deputetë, por kryeministër i ardhshëm i Gjukanoviqit të moderuar do të jetë Abazoviqi në pushtet si pakicë, sepse kështu do të mund të neutralizohen votat e mandateve të garantuara për shqiptarët.
Dilema tjetër, dëshiroj të besoj që është më tepër një mosdashje sesa një mosdije, për vetë faktin kur flitet për mandate të garantuara, kur nuk dihet se sa është numri real i shqiptarëve në Malin e Zi, pasi dy partitë e popujve shtetformues mbajnë peng rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë, duke mos i publikuar ato qëllimisht, sepse kanë ndryshuar raportet numerike. Pra, më duket një çikë mosdije e të gjithë atyre që kërkojnë të caktojnë numrin e mandateve shqiptare pa e ditur realisht se sa është numri i shqiptarëve në shkallë vendi. Kështu, dilema e të gjitha dilemave është përse partitë e mëdha mbajnë peng numrin etnik të popullsisë në Malin e Zi. Kurse shqiptarët e partisë së Nik Gjeloshajt tashti kujtohen për mandate të garantuara, duke shpejtuar që shqiptarëve t’u japin pesë deputetë.
Mendoj se falë politikës dhe gjeopolitikës në shoqërinë malazeze bukur mirë të demokratizuar, edhe njerëzit me identitet pothuajse të humbur kombëtar e fetar po e ndiejnë nevojën që t’i kthehen vetvetes. Sipas nesh, njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen duke iu kthyer rrënjëve të veta dhe si rezultat edhe ata shqiptarë të asimiluar, me regjistrimin e fundit kanë deklaruar se i kthehen origjinës, duke e shtuar kështu numrin real të shqiptarëve në strukturën e përgjithshme të popullsisë. Por nuk është vetëm kjo derdhje, sepse derdhje ka edhe nga ata që duke mos mundur t’i kthehen origjinës – shqiptarët e besimit katolik me sa jemi të informuar kanë filluar të deklarohen kroatë, që e rrit numrin e kroatëve të Malin e Zi. E kam fjalën për zonat shqiptare.
Ajo që fut dyshimin në manipulimet në Ligjin zgjedhor për këshilltarët dhe deputetët është edhe fakti se përse, fjala bie boshnjakët, në qytetin e Ulqinit herë garojnë veçmas me mandate të garantuara, ku fitojnë një këshilltar me çelës, kurse së fundmi u futën në listë me PDS-në?! Mirëpo, për çudi, këtë mundësi ligjore nuk e përdorin shqiptarët! LD në MZ në qytetin e Tivarit nuk e përdor, deputeti Çobaj në qytetin e Podgoricës, por besa edhe të Zetës ku do të kishim edhe atje këshilltar(ë), duke i kushtëzuar ata në balancat dhe përçarjet që bëjnë partitë e mëdha, kurse këtë nuk e bëjnë as në Plavë, Guci e Rozhajë.
Se vota shqiptare pas zgjedhjeve të para pluraliste kurrë nuk ka qenë e garantuar, por e instrumentalizuar, që në faktin kur në ligj ishte caktuar njësia e dytë zgjedhore shqiptare, me mundësi të derdhjes së votave nga njësia e madhe shqiptare e që ishte në fakt votë e shitur, sepse uji nuk derdhet prej enës së vogël në enën e madhe por anasjelltas. Për këtë shqiptarët kurrë s’kanë pasur numër të garantuar votash, por herë kishim pesë deputetë, pastaj katër, pastaj një, besa edhe asnjë, kurse numri i votave për shqiptarët shkonte nga 10.500 -11.500 vota. Pra, një dallim shumë i vogël. Ndërsa votat e shqiptarëve u shkonin serbomalazezëve me mekanizëm zgjedhor, asnjë votë e serbomalazezëve nuk digjej në favor të mandateve të shqiptarëve. Duke përfunduar, faktet flasin se fajin në këtë mes nuk e ka tradhtia por vetëtradhtia. Që të kuptohet, kur opozita malazeze s’po mund ta merrte pushtetin nga monopoli i PDS-së, ajo u ankua ndaj Ligjit zgjedhor te Komisioni i Venecias, kurse shqiptarët nuk u ankuan dhe për këtë kemi të drejtë të dyshojmë që vota e shqiptarëve gjithnjë është shitur, përndryshe kemi pasur hapësirë që edhe ne të ishim ankuar si Partia Popullore e Socialistëve (SNP).
