Partitë shqiptare duhet të përfillin vullnetin e votuesit të tyre

Në 30 vitet e kaluara populli shqiptar, kryesisht, ka gjykuar drejt, duke votuar partitë shqiptare. Kjo i obligon politikanët shqiptarë dhe është thirrje për ndërgjegjësim. Koha është për reflektim, ashtu që partitë politike duhet të veprojnë në frymën e vullnetit të shprehur të votuesit, pra vullneti i tyre nuk duhet të tjetërsohet. Në të kundërtën, vota e popullit në një kohë të caktuar do t’i ndëshkojë. Populli me votën e vet duhet të flasë edhe një herë. Deri atëherë po presim!

Hajrullah Hajdari

Zgjedhjet për ushtrimin e pushtetit vendor në Komunën e Ulqinit do të mbahen më 27 mars, ose në ndonjë ditë në muajin maj të këtij viti! S’ka rëndësi kjo. Me rëndësi është se këto zgjedhje do të vënë në sprovë edhe një herë votuesin shqiptar dhe partitë politike shqiptare. Votuesi shqiptar, edhe një herë, sigurisht do të votojë shqip dhe në këtë rast partitë politike shqiptare do të vendosen në sprovë – të veprojnë sipas vullnetit të votuesve apo të veprojnë sipas interesave të individëve apo grupeve të ndryshme, gjegjësisht nëse dëshirojnë apo jo të ushtrojnë pushtetin vendor në Komunën e Ulqinit.
Siç dihet, para katër viteve, edhe pse i kishin numrat e duhur për krijimin e shumicës dhe të drejtën e zgjedhjes së të parit të Ulqinit, kjo për çudi të madhe të votuesve të tyre, por edhe të opinionit shqiptar në përgjithësi, nuk ndodhi. Me zemërgjerësi të madhe partitë politike shqiptare këtë të drejtë ia dhuruan PDS-së së Millo Gjukanoviqit.
Nga vështrimi retrospektiv i paraqitjes dhe veprimit të partive politike shqiptare në tridhjetë vitet e kaluara në demokracinë pluraliste do të vërejmë se, sidomos në marrëdhënie me pushtetin shtetëror dhe mundësinë e ndikimit në vendimmarrje dhe realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve nuk kanë qenë gjithmonë koherente, madje shpeshherë kanë qenë diametralisht të kundërta. Pothuajse gjithmonë kanë mbizotëruar interesat e ndonjë partie, mbase edhe të individëve të caktuar, mbi interesat e përbashkëta qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. Dhe e gjithë kjo, si rrjedhojë e papërgjegjësisë dhe mungesës së një platforme të përbashkët politike dhe të një platforme të veprimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Akti i parë – Fillimi i bashkëpunimit me partinë-shtet
Fillimet e pluralizmit politik në Mal të Zi, shqiptarët i përjetuan si një shkëputje nga e kaluara e hidhur nën sundimin jugosllav. Fillimet e pluralizmit reflektonin shpresë për një të ardhme më të mirë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Si rrjedhojë lindi partia e parë politike shqiptare – Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Menjëherë pas fitores brilante të kësaj partie në zgjedhjet e para pluraliste, lindën apo dolën në pah lakmitë apo synimet këmbëngulëse të disa individëve, apo grupi individësh që kishin dëshirë të fortë për lavdi personale, për pozitë apo pushtet. Ky synim s’kishte qëllim tjetër veçse dëshirën për t’i ndaluar të tjerët (ata që ishin në pushtet dhe në krye të partisë) për të dalë në çdo mënyrë mbi ata në përpjekje për të arritur qëllimin e tyre. Si rrjedhojë, pasi kishin kaluar vetëm diçka më shumë se dy vite nga dalja në dritë e partisë së parë politike shqiptare, lindi partia e dytë politike – Unioni Demokratik i Shqiptarëve. Kjo, sikur të ekzistonte bashkëpunimi i sinqertë në mes të këtyre dy partive, nuk do të kishte asgjë të keqe. Madje disa shpresonin se kjo mund të ishte pozitive dhe do të mundësonte integrimin më të shpejtë kombëtar të popullsisë shqiptare në Mal të Zi. Por, siç do të shohim më vonë, kjo nuk ndodhi.
Pas zgjedhjeve të vitit 1998, diferencat politike ndërmjet këtyre partive u thelluan edhe më tepër. Qasja politike e këtyre dy partive politike në lidhje me zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi ishte diametralisht e kundërt. Përderisa LDnëMZ mbronte qëndrimin se mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjes shqiptare është rregullimi dhe garantimi i të drejtave kombëtare me Kushtetutën e Malit të Zi dhe në asnjë mënyrë nëpërmes institucioneve qeveritare, qoftë edhe nëpërmes një ministrie të veçantë, UDSH-ja përkrahu mendimin e partisë në pushtet – PDS-së për krijimin e Ministrisë së Pakicave. Si rrjedhojë UDSH-ja, edhe pse kishte fituar votat e vetëm 39% të trupit zgjedhor shqiptar përkundrejt 61% që kishte fituar LDnëMZ, u bë pjesë e Qeverisë së Malit të Zi dhe mori postin e ministrit në Ministrinë e Pakicave. Rezultatet dihen, por sa ka ndihmuar kjo ministri në zgjidhjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi duhet të gjykojë votuesi shqiptar!
Pas këtyre diferencimeve në mendime dhe qëndrime, përsëri dolën në pah synimet këmbëngulëse të disa individëve apo grupeve individësh që kishin për qëllim ngritjen e pozitës së tyre dhe pushtetin, sigurisht jo interesat e shqiptarëve në përgjithësi. Si rrjedhojë, në skenën politike shqiptare, deri më sot, në Mal të Zi marshuan apo defiluan jo më pak se 12 apo 13 parti e grupe qytetarësh. Çmenduri apo turp, quaje si të duash! Ndërkaq dikush mund ta mendojë si diçka pozitive, por pozita kushtetuese-politike e sidomos ekonomike e shqiptarëve në Mal të Zi nuk u përmirësua.

Akti i dytë – Shtrirja e bashkëpunimit të panevojshëm me partinë-shtet në nivelin lokal
Përveç mosmarrëveshjeve dhe qëndrimeve të kundërta si në aktin e parë, me formimin e shumë partive politike filluan edhe kundërthëniet dhe qëndrimet e ndryshme në lidhje me ushtrimin e pushtetit vendor. Në zgjedhjet lokale të vitit 2006 partitë politike shqiptare fituan besimin e 10.234 votuesve (LDnëMZ 4.373, UDSH 3.692, Forca e Re Demokratike 2.169), pra vota të mjaftueshme që partitë shqiptare të krijojnë pushtetin vendor në Ulqin. Por ambiciet e veçanta të individëve apo grupeve të individëve bënë që UDSH-ja, e përkrahur nga katër këshilltarë të PPD-së, për herë të parë të krijojë shumicën dhe pushtetin vendor me Partinë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviqit, duke lënë jashtë dy partitë shqiptare – LDnëMZ-në dhe Forcën e Re Demokratike, që kishin marrë besimin e 63.93% të votuesve shqiptarë. Ky koalicion jo i natyrshëm, përçarës dhe, siç do të rrjedhin gjërat joefikas, nuk do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të Komunës së Ulqinit. Përkundrazi, stagnimi zhvillimor dhe varfërimi i qytetarëve ishte gjithnjë më i dukshëm. E kështu vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite. Edhe më keq se kaq ndodhi pas zgjedhjeve lokale të vitit 2018. Të gjitha partitë politike shqiptare së bashku kishin fituar mandatet e duhura për krijimin e pushtetit vendor. Por, edhe pse nuk kishin nevojë, për çudi edhe të votuesve të tyre, por edhe të opinionit të gjerë publik shqiptar, krijuan koalicion së bashku me PDS-në. Madje me zemërgjerësi të paparë, kësaj radhe edhe të parin, pra kryetarin e komunës e zgjodhën nga radhët e kësaj partie. Ishte ky veprim i mashtrimit të votuesit shqiptar dhe tjetërsim i vullnetit të shumicës.
Disa menduan se me instalimin e PDS-së në krye të pushtetit vendor në Ulqin do të fillonte edhe zhvillimi më i shpejtë i kësaj komune bregdetare, së paku proporcionalisht me resurset e shumta natyrore që Zoti ia fali. Kësaj radhe, zhgënjimi i popullsisë së Komunës së Ulqinit ishte më i madh. Asnjë investim madhor ekonomik apo infrastrukturor në këto katër vite. Agonia zhvillimore ekonomike vazhdon, varfëria e popullsisë po thellohet, papunësia apo nepotizmi në punësim gjithnjë e më shumë po thellohen, dhe si rrjedhojë boshatisja e këtyre trojeve nuk ka të ndalur.
Në 30 vite pushtet në Mal të Zi dhe jo më pak se 13 vite në pushtet në Ulqin, PDS-ja arriti të shkatërrojë ekonominë e Ulqinit, shkatërroi objektet më të mira turistike dhe kurrë nuk i rindërtoi ato, shkatërroi dhe devastoi pandalim e mëshirë Kriporen e Ulqinit, Agroulqinin e shumë ndërmarrje të tjera. Si rrjedhojë, në bazë të indeksit zhvillimor të NJLV-ve në Mal të Zi, Ulqini është komuna më e pazhvilluar në bregdetin malazez dhe renditet si e dymbëdhjeta në Mal të Zi! A nuk ishin të mjaftueshme këto të dhëna për partitë politike shqiptare para se krijuan koalicionin me PDS-në?! Apo, a prisnin se do të ndodhin çudira në zhvillimin ekonomik të Ulqinit, sidomos pasi kryetari i porsazgjedhur i komunës kishte deklaruar: “Unë jam këtu për të siguruar pagat e punëtorëve, ndërsa për investime kapitale është Qeveria”! Pra, Qeveria e Gjukanoviqit që ishte në pushtet, deri atëherë, plot 26 vite!
A thua nuk e dinin se “ujku qimen e ndërron, por vesin jo”. Si do të investojë në një komunë ku nuk kishte investuar gjatë gjithë asaj kohe?! Shqiptarët e dinin këtë argument, ndaj edhe votuan partitë politike shqiptare për të krijuar pushtetin vendor në Ulqin, ashtu siç pak më vonë do të ndodhte në Malësi, ku të gjitha partitë shqiptare u bashkuan dhe krijuan pushtetin vendor pa PDS-në.
Gabimin e bërë, edhe pse me vonesë, e hetoi (a thua s’e kishte ditur!) Forca e Re Demokratike, reflektoi dhe doli nga ky koalicion jonatyror dhe joefikas. Pra, për ngecjen në zhvillimin ekonomik e kulturor të Komunës së Ulqinit pa mëdyshje përgjegjës janë edhe partitë politike shqiptare në koalicion me PDS-në. Ato e dinë dhe duhet ta dinë se përveç interesave të disa individëve, nuk kanë arritur të realizojnë ato për çka i ka autorizuar populli me votën e vet, as në aspektin zhvillimor dhe as në atë të përfaqësimit, ndonëse ka edhe ndonjë arritje me interes të përgjithshëm.

Akti i tretë – Koha për ndërgjegjësim dhe reflektim
Zgjedhjet janë shpallur. Në 30 vitet e kaluara populli shqiptar, kryesisht, ka gjykuar drejt, duke votuar partitë shqiptare. Kjo i obligon politikanët shqiptarë dhe iu bën thirrje për ndërgjegjësim. Koha është për reflektim, ashtu që partitë politike duhet të veprojnë në frymën e vullnetit të shprehur të votuesit, pra vullneti i tyre nuk duhet të tjetërsohet. Në të kundërtën, vota e popullit në një kohë të caktuar do t’i ndëshkojë. Populli me votën e vet duhet të flasë edhe një herë. Deri atëherë po presim!

Të fundit

më të lexuarat